Poroshenko kërkon në OKB ndalimin e agresionit rus në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, u ka bërë thirrje shteteve që të ndihmojnë në ndalimin e agresionit rus në shtetin e tij, duke thënë se luftimi i një ndërhyrjeje të tillë, është pjesë e misionit të Kombeve të Bashkuara.
Poroshenko ka shfrytëzuar pjesën më të madhe të fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të sulmuar Rusinë, e cila ka aneksuar Gadishullin e Krimesë më 2014 dhe që nga ajo kohë ka mbështetur separatistët në konfliktin në lindje të Ukrainës, çka ka rezultuar me më shumë se 10,300 persona të vdekur.
Poroshenko ka thënë se asgjë nuk do të ndalojë atë që e ka cilësuar si “politikë agresive imperialiste” të Rusisë, përveç nëse kombet botërore bashkohen për t’u përballur me liderët e Moskës.
“Është në dorën tonë të mbikëqyrim ata. Përndryshe cila është ideja e të mbledhurit këtu?”, ka pyetur ai.
Rusia nuk ka komentuar fjalimin e Poroshenkos, derisa Kremlini vazhdimisht mohon ndonjë përfshirje në konfliktin në lindje të Ukrainës.
Në një forum të ndarë të OKB, agjencia ruse e lajmeve “Interfax”, ka raportuar se Poroshenko ka përsëritur thirrjet e tij për një operacion paqeruajtës të OKB-së në Ukrainë, duke thënë se një gjë e tillë do të ndihmonte në rikthimin e “sovranitetit dhe integritetit territorial”.
Poroshenko është thënë të ketë falënderuar Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara për “mbështetje ndërkombëtare për këtë inciativë”, ndonëse OKB-ja nuk ka miratuar asnjëherë kërkesën për mision paqeruajtës.