AGK-ja dënon kërcënimet ndaj gazetarëve pas raportimeve për Faton Hajrizin

21 korrik 2024 | 17:15

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me një sërë videosh kërcënuese, kryesisht në platformën Tik Tok, ndaj disa gazetarëve dhe medieve, në ditët e fundit.

Kërcënimet kanë ardhur në lidhje me raportimet për Faton Hajrizin, i arratisur nga burgu në Kosovë, dhe për të cilin raportohet se është vrarë në Serbi.

Cak i sulmeve janë bërë më së shumti Ermal Panduri, autor i emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, dhe Vehbi Kajtazi, udhëheqës i Paparaci, dhe panelist në Klan Kosova. Gjithashtu, me mesazhe fyese e kërcënuese janë paraqitur edhe fotografitë e Jehona Bajramit të Klan Kosova dhe Doruntina Bylykbashit të TV Dukagjini.

Videot e kanë përshkrimin “Vrasësit e Faton Hajrizit”, dhe i akuzojnë mediat dhe gazetarët se kanë kontribuar në ngjarjet në Serbi, që çuan në vrasjen e Hajrizit.

Akuzat ndaj medieve dhe gazetarëve përveç të pabaza, janë shumë të rrezikshme dhe vënë seriozisht në rrezik sigurinë e gazetarëve të apostrofuar dhe familjeve të tyre.

AGK-ja, u bën thirrje kolegëve gazetarë që të denoncojnë individët dhe llogaritë prej nga vijnë këto kërcënime, dhe fton Policinë e Kosovës të aktivizojë Njësitin e Krimeve Kibernetike për të gjetur dhe mbajtur përgjegjës ata që kërcënojnë.

Meqë shumë prej kërcënimeve vijnë nga jashtë Kosovës, AGK-ja pret që autoritetet e sigurisë të bashkëpunojnë me partnerët e tyre jashtë vendit, për të zbuluar autorët e kërcënimeve me jetë ndaj gazetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari Ekrem Nimani zgjidhet kryetar i nëndegës në Vilingen Shwenningen…