Veturat e grupit të Milan Radoiçiqit tani në përdorim nga Policia e Kosovës

22 korrik 2024 | 08:54

Veturat që ishin përdorur nga grupi terrorist i Milan Radoiçiqit, në sulmin e shtatorit të kaluar, tashmë janë në përdorim nga institucionet tona. 34 veturat që ishin konfiskuar, tashmë i kanë kaluar njësive të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Gjithçka që kishin pasur me vete, terroristët pjesë e grupit që udhëhiqej nga Milan Radoiçiqi kishin lënë prapa derisa po iknin nga Kosova, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Përveç arsenalit të jashtëzakonshëm të armëve e municionit, prapa mbetën edhe 34 vetura të përdorur nga ta, duke përfshirë edhe vetura të blinduara.
Të njëjtat, nuk do të mbeten pa u shfrytëzuar.

Në fakt, tashmë ato janë në posedim të Policisë së Kosovës, dhe i janë ndarë njësive të ndryshme.

Këtë e kanë konfirmuar edhe vet ky institucion.

“Policia e Kosovës ne te gjitha rastet dëshmitë/provat e konfiskuara përfshirë automjetet i trajton sipas kompetencës ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Pas përfundimit të proceduarave të parapara ligjore, në baze të vendimit të gjykatës kompetente dhe Agjencisë për administrimin e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara, automjetet iu dedikohen institucioneve shtetërore sipas nevojës, përfshirë edhe Policisë së Kosovës”, thuhet nga ana e PK-së.

Kjo gjë i është mundësuar Policisë e institucioneve tjera ndërmjet një ndryshim-plotësimi të ligjit përkatës të cilin e shpjegon avokati, Asdren Bytyqi.

“Pas plotësim-ndryshimit të ligjit për administrimin e pasurisë së konfiskuar ka të drejtë agjencia për administrimin e këtyre pasurive që të njëjtat të ja jep Qeverisë në shfrytëzim sipas kërkesave të saj, poashtu edhe dikastereve qeveritare apo edhe agjencive”, ka theksuar Bytyqi në RTV Dukagjini.

Pos këtyre veturave që koston nuk e kanë dhe aq të vogël, pasi përfshinte mes tjerash edhe vetura të blinduara, në shtator të vitit të kaluar në Banjskë ishte konfiskuar edhe mbi 50 predha minahedhëse 82 milimetërsh, mbi 60 të tjera predha minahedhëse 82 mm, 75 granata dore, 8 mina anti-tank, 150 copë eksploziv dinamit e shumë municion tjetër ushtarak.

Edhe pas aksionit, Policia në disa lokacione të ndryshme në veri kishte zbuluar depo me armë e municion të shumtë, që besohet se ishte shfrytëzuar nga grupi i Radoiçiqit, i cili megjithëse mori përgjegjësinë për sulmin terrorist, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mbushen 14 vjet kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në…