Kuvendi i Serbisë sot legjitimon projektin e “Botës serbe”

23 korrik 2024 | 08:31

Sot në Beograd do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Serbisë, ku ndër të tjera do të ketë propozim për vendim për miratimin e Deklaratës për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmes së përbashkët të serbëve.

Propozimi për vendim për miratimin e Deklaratës është dorëzuar nga Qeveria e Serbisë, ndërsa më 2 korrik është miratuar edhe nga Kuvendi Kombëtar i Republikës Srpska.

Presidenti i RS Milorad Dodik njoftoi se do t’i drejtohet Kuvendit të Serbisë kur të shqyrtohet Deklarata nga i ashtuquajturi Parlamenti Gjithëserb.

“Më vjen mirë do të diskutohet dhe miratohet Deklarata do të kem rastin t’i drejtohem Kuvendit të Serbisë dhe të them se si ne serbët e shikojmë Serbinë si strehën tonë, atdheun tonë, se ne preferojmë një Serbi të fortë, sepse ne e dimë se ajo është një garantues i mjaftueshëm për të na mbrojtur”, tha Dodik.

Deklarata 49 pikësh e miratuar më 8 qershor në “Kuvendin Gjithëserb” – një takim i përbashkët i Qeverive të Serbisë dhe Republikës Sprska në Bosnje Hercegovinë – nuk është asgjë tjetër përveç konkretizimit të “Botës Serbe”

Në të ashtuquajturin “Kuvend Gjithëserb” morën pjesë edhe pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe dhe të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, por edhe serbë tjerë të rajonit.

Se deklarata e miratuar në “Kuvendin Gjithëserb” është programi i nacionalizmit serb për shekullin 21 dhe se e njëjta është shkruar në gjuhën e vjetër të nacionalizmit serb, e thotë edhe profesori i filozofisë, Blerim Latifi.

“Një program i cili shpërfaq gjendjen e një kombi që ecë përpara, ndërsa shikimin e ka të ngulitur fort në të shkuarën. Aty, p.sh., gjendet mesjeta, shekulli 19, shekulli 20, por jo shekulli në të cilin po jetojmë”, ka shkruar Latifi në platformën sociale, Facebook.

Kjo deklaratë, në vlerësimin e tij, është paralajmërim i fqinjëve se Serbia “nuk e ka ndërmend të heqë dorë prej revanshizmit historik ndaj tyre”.

“Një program farsë, i cili nëse injorohet si ata të mëparshmit, premton të kthehet në tragjedi”, shton ai.

Gjatë “Kuvendit Gjithëserb” të 8 qershorit u theksua që ai i mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë “për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat e tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Në deklaratë thuhej, mes tjerash, se serbët në Kosovë, si dhe të gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet t’i mbrojnë manastiret, kishat, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shqetësoi ky organizim, i cili nga Rusia u përshëndet.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj perëndimorë nuk pajtohen me Deklaratën e miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sëpska.

“Nuk e kam pasur mundësinë t’i lexoj të gjitha raportet lidhur me ‘Kuvendin Gjithëserb’, por e kuptoj që aty përdoret gjuhë që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. E kuptoj që ky është qëndrimi i tyre, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, nuk është i SHBA-së, i partnerëve tanë të QUINT-it apo kujtdo tjetër”, tha Hovenier.

Për “Kuvendin Gjithëserb”, reagoi edhe kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviç, i cili këtë projekt e cilësoi si “projekt i rrezikshëm” i Vuçiç-it, i cili lidhet drejtpërdrejt “me përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Evropën Juglindore dhe për të larguar vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë”.

“Një skenar i tillë i përshtatet vetëm Rusisë së [Vladimir] Putinit dhe për këtë arsye nuk është rastësi që zyrtarët më të lartë rusë e kanë përkrahur publikisht mbajtjen e ‘Kuvendit Gjithëserb’”, tha Beqiroviç.

Ai shtoi se organizimi i një kuvendi tërësisht serb është në kundërshtim me praktikat e një bote demokratike dhe të civilizuar – e cila respekton ligjin ndërkombëtar – dhe paraqet “një hap jashtëzakonisht të rrezikshëm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Etikën i Senatit amerikan e informoi senatorin Bob…