Haradinaj ftoi kryeministrin Kurti për debat publik, reagojnë nga Qeveria

23 korrik 2024 | 11:47

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ditën e hënë e ka ftuar për debat publik kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Kreu i AAK-së, në deklarimin e tij tha se në debat do të diskutohet për qeverisjen nga LVV.

E për këtë kanë reaguar nga Qeveria e Kosovës zëdhënësi, Përparim Kryeziu ka thënë se AAK fillimisht kishte kërkuar debat për punën e qeverisë, e që në seancë nuk kishin marrë pjesë pikërisht deputetë e kësaj partie, duke përfshirë edhe kreun e saj, Ramush Haradinaj.

“Më 24 maj, Kryeministri Kurti e pat shkurtuar vizitën në Londër dhe nga aeroporti erdhi direkt në seancë për përballje. Atë ditë pritej të kishte debat për 3-vjetorin e punës së qeverisë, me ftesë të AAK-së. Në konkluzionet e rezolutës, kërkohej shkarkimi i qeverisë. Debati nuk u mbajtë në mungesë të deputetëve të opozitës (vetëm 3 deputetë ishin të pranishëm). Në atë seancë mungoi edhe vetë z. Haradinaj. Tërë dimrin e pranverën këtë vit kanë folur për këtë mocion, prej të cilit hoqën dorë më 24 maj”, thotë Kryeziu.

Tutje, ai ka pohuar se ftesa e Haradinaj për Kurtin bëhet pasi kanë pakënaqësi me shikueshmërinë e emisioneve, ndërsa prezenca e Kurtit do ta ndryshonte atë.

“Tash, ftesa e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt për debat me Kryeministrin Kurti, nuk ka se si të kuptohet ndryshe veçse pakënaqësi me shikushmërinë e emisioneve ku merr pjesë ai. Sigurisht që sjellja e kryeministrit Kurti në të njëjtin kuadër televiziv do ta ndryshonte këtë”, ka shkruar Kryeziu në reagimin në Facebook.

Ndryshe, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ftuar që të jetë pjesë e një debati publik mes tij dhe kryeministrit aktual, Albin Kurti. Sipas Haradinaj, kjo thirrje për përballje mes tij dhe Kurtit është të diskutohen arritjet kryesore të qeverisë Kurti dhe Haradinaj.

“Propozoj të ballafaqohem me listën e sukseseve të Qeverisë Haradinaj të asaj kohe dhe Qeverinë Kurti. Pavarësisht që qeveria Haradinaj kishte më pak se dy vjet qeverisje. Kurti ka thuaja katër vite. Do të shihni se sa është ndryshimi i listës së sukseseve të asaj qeverie dhe kësaj”, ka pohuar Haradinaj.

Kritika ndaj Qeverisë Kurti kanë bërë në vazhdimësi subjektet opozitare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igli Tare ishte i ftuari special në “Sky Sport TG…