Lajmi skandaloz, Rexha: Qeveria do të mbajë përgjegjësi nëse sulmohen gazetarët

23 korrik 2024 | 19:37

“Të paprecedenta” i ka quajtur sulmet ndaj mediave nga pushtetarët kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, gjatë paraqitje në Info Magazinë të Klan Kosovë.

Në lidhje me lajmin e “Slobodna Bosna”, mediumi i cili ndërtoi gjoja një ‘hulumtim’ që e dha për lajm ekskluziv se kinse dy mediume në Kosovë janë ofruar në shërbim të shtetit serb: Nacionale dhe Periskopi, Rexha tha se “është vërtetuar se është një media që vazhdimisht përhap lajme të rreme, është në krye të listës të një ‘fact-checking’ në Bosnje dhe Hercegovinë”.

“Ajo çka kemi parë është e paprecedentë, duke nisur nga televizioni publik një informacion i tillë nga një media, e cila siç edhe kanë raportuar më vonë kolegët gjatë ditës, është vërtetuar se është një media që vazhdimisht përhap lajme të rreme, është në krye të listës të një ‘fact-checking’ në Bosnje dhe Hercegovinë që tregon që thjesht shpik, që Qeveria e Kosovës dhe deputetët e LVV-së të bazohen në këto shkrime për të akuzuar mediat se paguhen nga Serbia dhe Vuçiqi është absolutisht e papranueshme”, ka thënë Rexha.

Rexhaj tha se Qeveria e Kosovës do të mbahet përgjegjëse në rast të ndonjë sulmi ndaj gazetarëve të Nacionales apo Periskopit.

“Absolutisht përbën rrezik në nivelin e njëjtë, ndoshta akoma më keq, sesa bëheshin sulme të koordinuara kundër gazetarëve të Klan Kosovës, kur ky televizion akuzohej se po punonte për Serbinë. Tash po bëhet për Nacionalen dhe Periskopin përmendet në shkrim Radoiçiqi, pra Periskopi akuzohet se financohet nga njeriu më i kërkuar i Kosovës, një akuzë e till i targeton gazetarët, njerëzit që punojnë në këto media. Pra edhe reagimi i sotëm është i përbashkët dhe i targeton të gjithë gazetarët, dhe ky është tentimi i vazhdueshëm i Qeverisë për të thënë se mediat janë armiku i popullit, dhe që në fund të ditës akuza më e rëndë ka qenë që bashkëpunojnë me Serbinë dhe bashkëpunojnë me Radoiçiqin, që Qeveria thotë se e lufton atë. Këtë po vazhdojmë të themi se do të mbajmë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës dhe deputetët e LVV-së nëse u ndodh diçka gazetarëve të këtyre mediumeve apo gazetarëve të tjerë”, ka thënë Rexha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari dhe pronari i medias “Periskop” e cila së bashku…