Jeton Musliu i RTK-së: E redaktova lajmin pas presionit të vazhdueshëm për ta transmetuar

25 korrik 2024 | 20:02

Pas lajmit të transmetuar disa ditë më parë në edicionin qendrot të lajmeve në RTK, ku atakoheshin dy media në Kosovë, ka reaguar redaktori i lajmeve në kete medium, Jeton Musliu.

Musliu pohon se lajmi në fjalë është redaktuar nga ai pas presionit të vahdueshëm që është ushtruar mbi te per ta publikuar.

Sqarimi i plotë i Musliut.

Deklaratë/Sqarim

Para një viti, e pata urryer Mark Zuckerberg-un, për krijimin e FB sepse më shumë më merrte kohë me këtë platformë, sesa merresha me familjen time. Prandaj edhe e pata mbyllë këtë llogari.

Kështu, mezi u pata mësuar pa të. E dija që do ta rihapja një ditë, sepse më thoshin se është si cigarja. Por që ta bëja për të dhënë sqarime publike , për një gjë që do të duhej të mbaronte brenda vendit aktual tim të punës, pasi e gjitha është e qartë, për menaxhmentin e për Bordin, këtë nuk e kam besuar.

Nejse, në vazhdën e distancimeve të kolegëve të mi, edhe pse nuk e di se nga kush janë distancuar sepse sa kamë parë, përveç që kanë rrëfyer histori personale e kanë treguar për kontributet e tyre në punë, për çka nuk e bëjnë falas, nuk pashë ndonjë adresë.
Po të distancoheshin qoftë edhe nga unë me emër, do t’i vlerësoja edhe më shumë.
Jo kolegë të RTK-së, por edhe mediave të tjera. Unë kam adresë. Distancohem nga veprimet, presioni i vazhdueshëm dhe gatishmëria e drejtorit aktual të TV-së, z. Rilind Gërvalla si dhe U.d Kryeredaktores Leonora Bërbatovci, për të ndërhyrë në edicionin e Lajmeve Qendrore të RTK-së.

Derisa e dyta edhe ka njëfarë të drejte për shkak të pozitës që mban, i pari nuk e ka asnjë të drejtë. Por që do, i pari presion tek e dyta dhe kjo tek i treti, në këtë rast redaktori i Lajmeve Qendrore.Më shpesh, hiq pa përfillur të dytën.
Kur them presion, nuk bëhet vetëm me bërtima!

Jam munduar në këto katër ditë, të duroj e të mos flas. Të respektoj mediumin ku këtë muaj, me ndërprerje të shkurtra, mbush dhjetë vjet punë.
Më parë, si gazetar i padijshëm, siç më ka cilësuar Berat Buzhala (edhe disa fyerje të tjera linçuese që AGK-së me siguri i kanë ikë), kam punuar për tetë vjet bashkë me të.
Tash kur e kujtoj, s’e kuptoj përse më ka mbajt në punë! Apo mos kam ndryshuar unë rrugës! Ku i dihet, njeriu i ndryshon bindjet, partitë, mediumet e lere më interesat. Por jo! Po te ndryshoja, do te dergoja linqe apo te mos refuzoja poste, deri ne lutje, qe nuk dua te jem ne pozite.

Kam punuar edhe me BIRN-in. Edhe me gazetarë ndërkombëtarë. Kështu, i padijshëm, butak… Edhe pse si butak, jam vlerësuar me çmime vendore e ndërkombëtare,bile në kohën kur punoja në Express me Buzhalën. Por s’ka lidhje! Prapë, ndjesë edhe atij po aq edhe Ilir Mirenës dhe kolegëve të të dy mediumeve. Por janë disa gjëra që duhen thënë. Gjyqi publik, pa ditur situatën brenda, dhëmb shumë. Për më shumë, kur e di se çfarë thuhen e shkruhen për ty, s’kanë lidhje me realitetin.

Berati, ka gazetar që më parë kanë punuar në RTK. Mund t’i pyeste për funksionimin apo keqfunksionimin editorial. Edhe Iliri e ka një redaktor që si gazetar nga RTK-ja, pati dalë me shumë zhurmë për shkak , sipas tij, të presioneve. Atëherë ishin parti të tjera në pushtet. Tani është një tjetër. Ajo që dua të them është se presionet e partive mbi RTK, vetëm ndryshojnë ngjyrë, por jo në përmbajtje. Nejse, edhe ashtu të dytë i dinë edhe pa e pyetur askënd.

Të dal në thelb. Lajmi i publikuar të hënën në TV e ku redaktor isha unë, nuk e di pse, por në njëfarë mënyre disi bizare, më vjen mirë që doli. Pavarësisht insistimit tim që kjo të mos ndodhë, por kur presioni bëhet i vazhdueshëm mbi ty si redaktor, vjen çasti që përpiqesh që lajmi i deleguar të jetë më dëm sa më të vogël. Nuk ke nga ia mban. Të tjerë ndoshta edhe kanë.

Unë nuk rri me asnjë pushtetar apo ish pushtetar. Bile kafen e mëngjesit e pi shpesh me pastrueset të cilat i cmoj shumë më shumë sesa moralistët që të vetmen punë e kanë me heq e me ngjit bishta. Sigurisht, në pritje të ndrrimit të pushteteve, sepse pastaj duhet vazhduar njësoj si ata që ikin. Pra është cikël!
Kështu ndodhi edhe të hënën. Lajmi që do të duhej të ishte kronikë disa minutëshe me citime e parafrazime, munda (edhe U.d Kryeredaktorja Berbatovci tha se lajmi pa emra beson se mund te dale v.j), që të dilte vetëm me katër fjali. Pa përmendur emrat e mediumeve në Kosovë (flas për TV . Për pjesën e webit, s’kam lidhje). Lajmi i deleguar nga linku i RTKlive, është në Youtube. Mund ta vërtetoni.

E di që interpretimet tani janë përse nuk e hoqe emrin, përse nuk rezistove, e shumë përse të tjera. Po patët durim të lexoni korrespondencën zyrtare timen me menaxhment dhe rastet e përplasjeve, apo përpjekjen time të asaj dite që të verifikosh brenda pak kohe e në fund pak para lajmeve të të dërgohet lajmi për transmetim, nuk besoj se ke as fuqi fizike dhe as mendore të rezonësh si duhet.

Në presion kohe kur duhej bërë përgatitjet e fundit për fillim të edicionit të lajmeve dhe në njërën anë të verifikosh atë medium e të gjesh, se nga ai kanë marrë lajme edhe Gazeta Express, Gazeta Blic, edhe Al Jazeera, e të arrish që të mundohesh të menaxhosh, duke e bërë lajmin DISI të transmetueshëm, besoj se nëse jo për ta kuptuar në tërësi, të paktën të mundohen, të gjithë ata që e njohin punën në TV.
Nuk dua të shfajësohem. Thjesht po tregoj situatën. Tani, ndodhi. Jam i gatshëm të bart përgjegjësinë, sido që të jetë ajo. Por jo pa u shoshitur të gjitha. Menaxhmenti e ka të qartë. Bordi gjithashtu e ka të qartë. Në mbledhje të menaxhmentit, z. Gërvalla e pranoi përgjegjësinë. Edhe në Bord, gjithashtu.

Nuk e kuptoj përse duhet rënë nga Kina për të marrë vesh situatën.
Edhe pse jam në pushim vjetor, të planifikuar më herët, dua të them dy fjalë për parimet mbi të cilat të gjithë thirremi. Ato dreq, ose i ke ose nuk i ke sepse s’besoj se janë llokume që t’i hash, varësisht se cila parti është në pushtet.

Më poshtë gjeni e-mailat zyrtar të komunikimit tim. Kam pritur që Komisioni të formohet brenda ditës për të shoshitur këtë cështje. Meqë nuk ka ndodhur, duke marrë aprovim paraprak nga U.d e drejtores së Përgjithshme të RTK-së, në shenjë respekti për institucionin ku ende punoj, dua të nënvizoj se përveç përmbajtjes së tekstit, nuk lejoj që në portale të ripubilikohet asnjë fotografi e imja e paautorizuar, që mund të merret në FB, Google apo rrjetet tjera sociale.

Përndryshe, do të kontaktohet secili medium nga avokati im, Arlind Fetahu, për procedura të mëtejshme ligjore.
Faleminderit!
Jetoni
P.S Çfarëdo fyerje, linçimi dhe kërcënimi do ta adresoj menjëherë në organet përkatëse të sigurisë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një top ofertë ka promovuar për klientët e saj besnik…