Renditen universitetet më të mira në botë për 2019, befasojnë Kina dhe Iraku
Azia vazhdon të rritet vrullshëm në renditjen e universiteteve më të mira në botë, një vrull i kryesuar nga Kina.
Megjithatë, në 10 më të mirat vazhdojnë të mbeten universitetet nga Britania e Madhe dhe SHBA.
Oksford dhe Kembrixh mbeten në vend të parë dhe të dytë respektivisht, ndërkohë që SHBA mbizotëron totalin e 100 universiteteve më të mira në botë.
Universiteti më i mirë në SHBA mbetet Stanford, duke u renditur dhe i treti në të gjithë botën, përkrah Masaçusetsit (MIT) dhe universitetit të Kalifornisë për Teknologji, në vend të katërt e të pestë.
Japonia ia ka kaluar Britanisë si vendi i dytë me më shumë universitete në listën e 1000 më të mirave (103 të tilla nga 89), ndërkohë që Britania ka shfaqur një rënie të lehtë.
Kina mbizotëron në hemisferën lindore me universitetet që kapin majat e renditjes në gjithë Azinë, duke hyrë mes më të mirëve në botë. Universiteti Tsinghua i Pekinit tani ka zënë vendin e parë në Azi, që dikur mbahej nga Universiteti Kombëtar i Singaporit.
Simon Marginson, profesor në Oksford, thotë se nuk habitet që Tsinghua i Pekinit ka zënë atë vend, pasi kërkimet e tyre për matematikë dhe shkenca kompjuterike ia kanë kaluar dhe SHBA-ve e BE-së, ndërkohë që renditet mes më të mirëve në botë për shkenca fizike dhe inxhinieri. Veç kësaj, tarifa vjetore e këtij universiteti është rreth 4360 dollarë në vit, shumë më pak se universitetet e barasvlershme perëndimore, dhe dhomat e studentëve kushtojnë nga 4 deri në 12 dollarë në ditë për person.
India ka rënë në renditje dhe nuk ka futur dot asnjë universitet në 200 më të mirët, ndërsa universiteti i Seulit, nga Koreja e Jugut, është renditur në vend të 63-të.
Në BE, Gjermania vazhdon të mbizotërojë me tetë universitete në 100 më të mirat, me LMU-n e Mynihut në vend të 32-të.
Franca ka vetëm dy universitete në 100 më të mirët, ndërsa Holanda shtatë. Belgjika është futur në listën e 100 më të mirëve vetëm me një universitet, KU Leuven.
Australia ka nëntë universitete në 200 më të mirët, por gjashtë prej tyre kanë zbritur në renditje, ndërsa të tjerët janë vendnumëro. Disa nga arsyet janë shkurtimet e buxhetit të arsimit.
Bagdadi, ndërkohë, ka hyrë për herë të parë në listën e 1000 më të mirëve. Universiteti i Bagdadit është në vendin e 801-të, duke arritur pikë të mira në nivelin ndërkombëtar.