Gazetari i “Slobodna Bosna” fshehet pas burimeve pas sulmit ndaj dy medieve në Kosovë

26 korrik 2024 | 08:49

Ditë më parë mediumi boshnjak “Slobodna Bosna”, e publikoi një artikull, ku ndër të tjera sulmoheshin mediumet si “Nacionale” e “Periskopi”, të cilat akuzoheshin se financohen nga Serbia.

Për të sqaruar këtë çështje “Debat Plus” kërkoi sqarime nga ky medium dhe po ashtu fakte për pretendimet e tyre.

Në një përgjigje nga Mario Iliçiq, gazetar i mediumit në fjalë, thuhet se nuk mund t’i zbulojë burimet porse i besojnë atyre.

Në tërë përgjigjen e tij gazetari Iliçiq nuk e ofroi asnjë fakt për pretendimet e tyre se dy mediumet nga Kosova paguhen nga Serbia.

“Ne nuk do t’ua zbulojmë burimet, por i besojmë absolutisht burimeve tona, sepse nëse nuk do të kishim informacion të besueshëm, nuk do të publikonim as një artikull për mediat në rajon që janë nën vëzhgimin e regjimit të Vuçiqit”, tha ai.

Më tej ai tha se “Është interesante se si këto media kanë reaguar menjëherë ndaj shkrimit tonë duke kontaktuar një person të besuar në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili ka pasqyruar mediat tona dhe pas vetëm pak minutash ai tekst është përkthyer dhe transmetuar në KosovoOnline, një tjetër media nën vëzhgimin e Vuçiqit”.

“Në fund të fundit, ai person tha për mediat tona se deklaratat e tij për mediat e Kosovës ishin të sajuara dhe të shtrembëruara, dhe pikërisht kështu u ekspozua matrica me të cilën media e Vuçiqit ka vepruar me vite ndaj ‘Slobodna Bosna’ (Bosnjës së Lirë) dhe të gjithë kritikëve të regjimit të Vuçiqit”, tha ai.

“Nuk ka qenë qëllimi ynë që të provokojmë përleshje politike në Kosovë mes palëve kundërshtare, për të cilat përgjegjësia duhet të kërkohet nga politikanët atje”, ka thënë Iliçiq.

Portali në Bosnje-Hercegovinë, “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), ka thënë të enjten se e ka regjistruar pikun e sulmeve brutale prej medieve të Serbisë, të kontrolluara, siç ka thënë, prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pas publikimit të një artikulli në të cilin supozohet se disa medie të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të Vuçiqit.

Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Përmes një reagimi editorial, “Slobodna Bosna” ka thënë se në vend të mbështetjes, përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritare, si dhe asociacione të gazetarëve prej rajonit, i kanë nxitur sulmet, përmes reagimeve që kanë bërë.

“Slobodna Bosna” ka thënë se, megjithatë do të vazhdojë të bëjë “punën profesionale”.

Në reagim i është bërë thirrje një eksperti të Bosnjës, që ka pretenduar se Qeveria e Kosovës është mbrapa artikullit, që të paraqesë fakte për këtë pretendim.

Në reagim janë quajtur të pabazuara pretendimet për “mungesë provash”, apo ato për “burime të dyshimta” në artikullin në fjalë.

“Slobodna Bosna” ka thënë se asnjë medium nuk e ka kontaktuar redaksinë për të verifikuar informacionin e publikuar, dhe të gjithë kanë marrë pozicionin ad hoc se informacioni nuk ka qenë i saktë.

Në fakt, Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një deklaratë nga ky portal, mirëpo punonjësit nuk kanë dashur të komentojnë.

Reagimet në Kosovë rreth këtij teksti kanë qenë kryesisht për faktin se televizioni publik, Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) e ka transmetuar një pjesë të tekstit.

Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se ky medium është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”.

Qeveria e Kosovës nuk është prononcuar rreth këtij rasti, derisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të mërkurën se i ka dhënë informacione Prokurorisë për dy portalet e përmendura të Kosovës, me arsyetimin se “është e rëndësishme të dimë se kush financohet nga Serbia”.

Të mërkurën, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Në reagimin e 24 korrikut të organizatave joqeveritare, materiali i RTK-së është konsideruar “informacion dezinformues, me qëllim të sulmimit të mediave online, Nacionale dhe Periskopi”.

Bordi i RTK-së ka mbajtur më 23 korrik një mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi ka thënë se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e ka cilësuar si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti.

Çfarë portali është “Slobodna Bosna”?

Boro Kontiq, gazetar veteran nga Bosnja dhe Hercegovina dhe drejtor i Qendrës Mediale në Sarajevë, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se, “Slobodna Bosna” është një media e themeluar në vitet 1989-1990 nga Senad Avdiq.

Sipas mendimit të tij, Avdiq ishte një nga gazetarët më të mirë në atë kohë dhe “Slobodna Bosna” një nga mediat kryesore të besueshme që luajti një “rol revolucionar” në vitet 1990 në nxjerrjen në pah të planit për rrethimin e Sarajevës nga ushtria jugosllave.

“Për shumë, ajo ishte një surprizë, por doli që shumica e asaj që publikuan ishte e vërtetë”, ka thënë Kontiq.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk e di nëse mund të flasë më për besueshmëri, pasi ky portal ka pësuar disa ndryshime. Në mesin e viteve ’90, kjo media u kthye në gazetë të përjavshme dhe në 15 vjetët e fundit është vetëm online.

“Në një moment u fol shumë se ata u mbështetën nga SDA [Partia e Veprimit Demokratik], partia më e madhe boshnjake. Nuk e di se çfarë po ndodh. Unë njoh disa nga gazetarët që punojnë atje, janë gazetarë të mirë, profesionistë. Prandaj, është një media që ka një të kaluar të madhe, por çfarë është sot, t’iu them të drejtën, nuk e di”, ka thënë mes të tjerash Kontiq./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy automjete të komunës së Zveçanit janë djegur qëllimshëm nga…