Hakerë nga Koreja e Veriut vjedhin sekrete ushtarake

26 korrik 2024 | 09:26

Britania e Madhe, SHBA dhe Koreja e Jugut paralajmërojnë për një fushatë globale spiunazhi kibernetik nga Koreja e Veriut, e cila synon të plotësojë ambiciet e saj bërthamore.

Hakerë të mbështetur nga Koreja e Veriut kanë ndërmarrë një fushatë globale spiunazhi kibernetik për të vjedhur sekrete ushtarake për të mbështetur programit e armëve bërthamore të Phenianit, thanë në një deklaratë të përbashkët Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Koreja e Jugut. Ekspertët e sigurisë kibernetike i quajnë hakerët e mbështetur nga Koreja e Veriut “Anadriel” ose “APT45”.

Paralajmërimi u bë nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe agjencitë kibernetike nga SHBA-ja, nga Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Mbretërisë së Bashkuar (NCSC) dhe Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut (NIS).

Çfarë dihet deri tani për sulmin e Anadrielit?

Hakerët e mbështetur nga Koreja e Veriut kanë vënë në shënjestër ose kanë depërtuar në sistemet kompjuterike të një numri të madh kompanish që punojnë në fushën e mbrojtjes ose të inxhinierisë, ndër ta edhe prodhues tankesh, nëndetësesh, anijesh luftarake, avionësh luftarakë, raketash dhe prodhues sistemesh për radarë.

Andariel konsiderohet si krah i agjencisë së spiunazhit të Phenianit.

Në paralajmërimin e agjencive nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Koreja e Jugut thuhet se ato besojnë se grupi dhe teknikat kibernetike vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për sektorë të ndryshëm të industrisë në mbarë botën, pra jo vetëm në këto tri vende, por edhe në Japoni apo Indi.

Thirrje për vigjilencë

Sipas FBI-së Andarieli ka përdorur pika të dobta të softuerëve për të filluar sulme kibernetike duke përdorur malware dhe phishing, për të hyrë në banka të dhënash dhe mbledhur informacione sekrete.

FBI u bëri thirrje kompanive të përfshira në sektorët e mbrojtjes, të hapësirës ajrore, të energjisë bërthamore dhe të inxhinierisë “të qëndrojnë vigjilente për mbrojtjen e rrjeteve të tyre nga operacionet kibernetike të sponsorizuara nga Koreja e Veriut”.

FBI njoftoi edhe se Andariel ishte përpjekur të merrte informacione si specifikime dhe projekt-skica për proceset e përpunimit dhe të pasurimin të uraniumit, si dhe për raketa dhe sisteme të mbrojtjes prej raketave./DW/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania hekurudhore gjermane Deutsche Bahn shënoi në gjysmën e parë…