Poezi nga Sara Teasdale

26 korrik 2024 | 09:34

SHTËPIA E ËNDRRAVE

Ndërtova një shtëpi të vogël ëndrrash

dhe e rrethova të tërën me gardh,

por ende dëgjoja Erën e së Vërtetës

që gjëmonte pa pra.

Shtrova një zjarr Kujtimesh

dhe para shkëlqimit të tij u ula,

por përmes plasave dhe rrotull derës,

do të frynte era.

U largova nga Shtëpia dhe për gjithë natën

Erën e së Vërtetës dëgjova.

E ndoqa në vendin ku dukej se të çonte

përgjatë gjithë rinisë sime.

Por, kur kërkova Shtëpinë e Ëndrrave,

për të hyrë brenda dhe për të vdekur atje,

era e së Vërtetës e kish rrafshuar

dhe në heshtje e kish kaluar.

BREDHARAKJA

Pashë rërat e ngjyrosura nga perëndimi i diellit,

Nilin si zjarri në mes që vërshon,

aty ku Ramsesi ngul sytë i qetë

dhe tempulli i rëndë i Amonit qëndron.

Pashë shkëmbinjtë ku shumë kohë më parë,

mbi detin që copëtohet dhe rënkon,

Perseu i ndritshëm me gjarpërinjtë e Meduzës

vashën e bardhë si bora çliron.

Dhe shumë qiej më kanë mbuluar,

dhe shumë erëra përpara më kanë vënë,

dhe e kam dashur veriun e gjelbër, të shndritshëm,

dhe e kam dashur detin e ftohtë e të ëmbël.

Po ç’janë për mua veriu dhe jugu,

dhe ç’janë të shumë vendeve paratë,

që kur ti ke mësuar duart të më kapësh

dhe të më puthësh në gojë?

DO TË VIJNË SHIRAT E BUTË

(Kohë lufte)

Do të vijnë shirat e butë dhe aroma e tokës,

Dhe dallëndyshet që rrotullohen me tingullin e tyre drithërues;

 

Dhe bretkosat në pellgje që këndojnë natën,

Dhe pemët e kumbullave të egra në bardhësi që luhaten,

 

Gushëkuqët do të tregojnë zjarrminë e pendëve,

Duke cicërirë tërë teka në një gardh të ulët teli;

 

Dhe asnjë, asnjë për bé nuk do t’ia dijë për luftën;

Do të kujtohen në fund kur të ketë mbaruar.

 

Asnjë për be nuk do ta kishte problem, qoftë ky zog apo pemë,

Nëse njerëzimi do të zhdukej krejtësisht;

 

Dhe pranvera vetë, kur të zgjohej në agim,

Zor se do ta merrte vesh se ne kishim shkuar pa kthim.

 

Përktheu: Irena Dono Jorgaqi. Marrë nga libri “Kumbime”, botuar nga “Armagedoni”, Prishtinë, 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Policisë së Kosovës ka publikuar emrat dhe fotografitë…