Asambleisti i Vetëvendosjes propozon shpërndarjen e Kuvendit Komunal të Gjilanit

27 korrik 2024 | 12:38

Dje Kuvendi Komunal i Gjilanit ka qenë dashur të mbajë seancë ku në rend dite ka qenë edhe vendimi për realizimin e bartjes së mjeteve që Kuvendi ia ka ndarë Handikosit dhe Shoqatës së të Verbërve.

Por, sikurse edhe në tre herët e fundit, as kjo seancë nuk u mbajt në mungesë të kuorumit.

Mbajtja e seancave po pamundësohet nga mospjesëmarrja e asamblistëve të LDK-së, të cilët bojkotimin po e arsyetojnë me “mungesë të transparencës”.

Ismajl Kurteshi, këshilltar komunal në Gjilan nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila edhe e drejton komunën, duke e parë këtë gjendje, ka kërkuar zgjidhje për këtë ngërç, dhe ka bërë dy propozime: “Kuvendi duhet të funksionalizohet ose të shpërndahet”.

Madje ai fajëson edhe bashkëpartiakun e tij, kryetarin e Komunës Alban Hyseni, nga i cili po kërkon që të mos e luajë rolin e vëzhguesit, por të angazhohet në gjetjen e zgjidhjes.

“Problemi i shkaktuar në komunë duhet të zgjidhet nga kuvendarët, të cilët duhet t’i kryejnë obligimet e tyre ligjore dhe morale ndaj votuesve të tyre. Karshi këtij problem nuk mund të qëndrojë indiferent as Kryetari i Komunës, por duhet të angazhohet me tërë kapacitetin e tij, prej të parit të Komunës, që të kontribuojë për funksionalizimin e kuvendit, sa më të shpejtë, sepse i zoti i shtëpisë nuk guxon të luaj rolin e vëzhguesit në shtëpinë e tij, pavarësisht rrethanave”, tha Kurteshi.

Asamblistin e LVV-së në Gjilan po e shqetëson edhe fakti që për këta katër muaj që nuk kanë punuar, janë paguar nga buxheti i shtetit, që rrjedhimisht janë mjete të mbledhura nga kontributet e qytetarëve.

Ai po kërkon që t’i jepen fund inateve politike në kurriz të qytetarëve.

“Gjilani ka nevojë për një Kuvend që e gjen mënyrën për të kryer punën e tij e jo për një Kuvend që gjen arsye për mospunën e tij. Inateve dhe lojërave politike, në kurriz të qytetarëve, duhet t’ju jepet fund. Këshilltarët komunalë kanë për obligim që t’i përmbushin obligimet e tyre, ose në të kundërtën duhet t’i hapin rrugë zgjedhjeve të reja për Kuvendin Komunal”, theksoi Ismajl Kurteshi, këshilltar komunal i KK të Gjilanit.

Për këtë çështje ka reaguar edhe LDK-ja e Gjilanit.

Nga kjo parti thanë se edhe kësaj radhe, “pas disa dështimeve radhazi, qeverisja komunale në Gjilan nuk ka qenë e gatshme të jetë transparente me qytetarët e saj për t’u përballur me problemet dhe kërkesat e tyre”.

Sipas LDK-së, në mungesë të mediave, po tentohet të kalohen pikat e rendit të ditës.

“Kjo është e papranueshme për ne si LDK! Një i dështuar në ekzekutivin e Gjilanit nuk mund ta dështojë Kuvendin Komunal sepse LDK nuk e lejon në asnjë mënyrë”, ka thënë LDK-ja në reagimin e saj.

Ndër të tjera, kjo parti ka akuzuar kryetarin e Komunës edhe për ofendime, por që nuk ka treguar se cilat kanë qenë ato. “I pari i ekzekutivit i cili nuk do të mbahet në mend për asnjë punë në Gjilan, do të mbahet mend për ofendimet e tij sa herë që nuk i kanë shkuar gjërat ashtu siç ka planifikuar. Edhe sot, në mungesë të guximit për t’u përballur me opozitën dhe me dështimet e tij të muajve të fundit, ofendoi përsëri në drejtim të LDK-së, me fjalët më të ulëta të mundshme”.

“Me këtë gjuhë të instaluar në Kuvendin Komunal, i bëjmë me dije këtij administratori të Komunës, që hendeku ynë i mosbashkëpunimit veçse po thellohet”.

“LDK i bën me dije këtij administratori për të satën herë se seanca nuk do të ketë pa u siguruar transmetimi medial”, përfundoi reagimi i LDK-së.

Ndërkaq kreu i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh ish-kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, është deklaruar pro kërkesave të Handikosit dhe Shoqatës së të Verbërve, teksa ka kërkuar që mjetet e aprovuara nga Kuvendi t’u alokohen dy shoqatave me urgjencë.

“LDK në Gjilan i jep mbështetje në plotni kërkesave kaq bazike të tyre, duke theksuar edhe njëherë se duhet të respektohen me urgjencë vendimet e Kuvendit Komunal dhe të ndahen mjetet e premtuara e të zotuara për këto dy shoqata, të cilat nuk e ndalën aktivitetin e tyre dhe i qëndruan besnik komunitetit që përfaqësojnë edhe në kohë më të vështira”, është shprehur Haziri pas një takimi që kishte zhvilluar me drejtuesit e organizatave Handikos dhe Shoqatës të Verbërve.

Në fund të seancës së katërt të dështuar, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka propozuar që javën e ardhshme të mbahet një takim mes kryetarit të Komunës dhe shefave të grupeve të Kuvendit të Komunës për ta zgjidhur këtë problem.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kujtuar veprimtarin e çështjes…