Erdogani thotë së Turqia mund të hyjë në Izrael t’u ndihmojë palestinezëve

29 korrik 2024 | 08:56

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Turqia mund të hyjë në Izrael, siç ka bërë në të kaluarën në Libi dhe Nagorno-Karabak, ndonëse nuk ka treguar se për çfarë intervenimi e ka pasur fjalën.

Erdogan, kritik i ashpër i ofensivës së Izraelit në Gazë, ka folur për luftën përgjatë një fjalimi në të cilin ka lavdëruar industrinë e mbrojtjes së Turqisë, shkruan REL.

“Ne duhet të jemi shumë të fuqishëm, në mënyrë që Izraeli të mos i bëjë këto gjëra pamend në Palestinë. Sikurse kemi hyrë në Karabak, sikurse kemi hyrë në Libi, ne mund të veprojmë ngjashëm ndaj atyre”, ka thënë Erdogan para anëtarëve të partisë së tij.

“Nuk ekziston asnjë arsye pse të mos e bëjmë këtë… ne duhet të jemi të fuqishëm që të mund t’i marrim këta hapa”, ka thënë Erdogan përmes një adresimi televiziv.

Përfaqësues të partisë së tij nuk u janë përgjigjur thirrjeve për më shumë hollësi.

Pala izraelite i është përgjigjur menjëherë Erdoganit. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, e krahasoi presidentin turk me ish-udhëheqësin irakian Saddam Hussein.

“Erdogan po ndjek rrugën e Sadam Huseinit dhe po kërcënon të sulmojë Izraelin”. Thjesht duhet të mbani mend se çfarë ndodhi atje dhe si përfundoi”, shkroi Katz në Platformën X, ku publikoi një fotografi të Sadam Huseinit dhe Erdoganit.

Në vitin 2020, Ankaraja kishte dërguar trupa dhe pajisje ushtarake në Libi për të mbështetur Qeverinë Libiane të Unitetit Kombëtar dhe udhëheqësin e saj Abdulhamid al-Dbeibah.

Vitin e kaluar, Turqia mohoi përfshirjen e drejtpërdrejtë në operacionin ushtarak të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh, por theksoi se ajo e mbështet aleatin e ngushtë “me të gjitha mjetet”, duke përfshirë trajnimin dhe modernizimin e ushtrisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për…