Zjarre pranë zonës turistike në Shëngjin, evakuohen banorët

30 korrik 2024 | 10:46

Autoritetet në Shqipëri po raportojnë për përhapje zjarresh në qytetin bregdetar të Shëngjinit, dhe që po punohet në mbrojtjen e banesave dhe hoteleve.

Autoritetet kanë thënë se janë evakuuar banorët afër zonës së zjarreve, ndërsa pushuesit besohet se janë më larg asaj pjese.

Flakët në Malin e Shëngjinit kanë nisur prej të shtunës pasdite dhe zjarri është rindezur në mëngjesin e hënës. Për shkak të erës, izolimi i vatrave të zjarrit është i pamundur.

Në një njoftim të prefekturës së Lezhës, mëngjesin e së martës, theksohet se “vatra e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin ka dalë plotësisht jashtë kontrollit”. Në njoftim është thënë se gjatë gjithë natës kanë operuar 20 mjete zjarrfikëse me personelin përkatës.

Mjetet zjarrfikëse kanë mbërritur jo vetëm nga Lezha, por edhe Mirdita, Tirana, Kamza, Berati, Fieri, Lushnja, Vau i Dejës, si dhe Shkodra.

“Me mjetet dhe efektivët zjarrfikës po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve, deri tani është bërë e mundur që këto objekte të mos preken nga zjarri”, është thënë në njoftimin e prefekturës.

Institucioni i Prefekturës së Lezhës thekson se pavarësisht pranisë së gjithë këtyre forcave, është e pamundur vënia nën kontroll e zjarrit, dhe si rezultat rrezikohen shumë biznese, por dhe shtëpi banimi. Ministri i Brendshëm në detyrë, Taulant Balla, ka shkruar në rrjetin social Facebook se situata është tepër e vështirë.

“Policia e Shtetit, përmes Forcës Kombëtare të Sigurisë, po evakuon banorët”, ka bërë të ditur Balla mbrëmë pas mesnate.

Një ditë më parë, ministria e Mbrojtjes njoftoi se në 24 orët e fundit ishin verifikuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 22 janë shuar.

Mbrëmjen e së hënës është shuar zjarri në fushën e grumbullimit të mbeturinave në periferi të Vlorës, që vijonte prej disa ditësh. Për vënien nën kontroll të kësaj vatre zjarri është nevojitur ndërhyrja e ushtrisë.

Zjarri shkaktoi re të mëdha tymi dhe erë të pakëndshme, që u përhapën në gjithë qytetin e Vlorës në kulmin e sezonit turistik.

Autoritetet kanë bërë të ditur se 1.300 zjarrfikës në gjithë vendin nuk e përballojnë situatën e zjarreve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati, Arianit Koci, njëherësh i autorizuar si përfaqësues i familjes…