Largohet drejtuesi i “Projektit 2025”

31 korrik 2024 | 08:10

Drejtuesi i “Projektit 2025” në Fondacionin Heritage, ku parashtrohej vizioni për një reformim të plotë të qeverisë federale, ka dhënë dorëheqje, informoi fondacioni konservator të enjten.

Në një deklaratë të presidentit të Fondacionit Heritage, Kevin Roberts, thuhet se largimi i zotit Paul Dans vjen pasi projekti “përmbushi pikërisht atë çfarë synoi: të mblidhte së bashku mbi 110 organizatat kryesore konservatore, për të krijuar një vizion të unifikuar konservator, të motivuar për t’ia pakësuar pushtetin shtetit të pazgjedhur administrativ dhe për t’ia rikthyer atë popullit”.

Ky lajm erdhi pasi kandidati republikan për president Donald Trump është distancuar gjithnjë e më shumë nga “Projekti 2025”, ndërsa janë shtuar sulmet nga demokratët. U krijua kështu spekulimi se ishte ekipi elektoral i ish-Presidentit Donald Trump që e detyroi zoti Dans të largohej.

Gjatë muajve të fundit, demokratët e patën bërë “Projektin 2025” një temë të fuqishme elektorale, duke e paraqitur planin ultrakonservator si një shembull se sa ekstreme do të ishte një administratë e dytë Trump.

Plani prej 1 mijë faqesh paraqet ndryshime të thella në qeverinë federale, përfshirë ndryshimin e rregulloreve për t’u siguruar që punonjësit e qeverisë të jenë më besnikë ndaj presidentit.

Sidoqoftë, ish-Presidenti Trump është distancuar vazhdimisht nga ky dokument, duke thënë në mediat sociale se nuk e ka lexuar dhe se nuk ka njohuri për të. Gjatë një tubimi në Miçigan më herët këtë muaj, ai tha se “Projekti 2025” është shkruar nga njerëz nga “e djathta e ashpër” dhe se disa prej gjërave në të janë “seriozisht ekstreme”.

Në një deklaratë të këshilltarëve të tij zgjedhorë, Susie Wiles dhe Chris LaCivita thuhet se: “Ekipi elektoral i Presidentit Trump ka qenë shumë i qartë për mbi një vit se Projekti 2025 nuk kishte asnjë lidhje me ekipin elektoral, nuk fliste në emër të tij dhe se nuk duhet bashkëlidhur në asnjë mënyrë me fushatën apo Presidentin. Njoftimet për rënien e Projektit 2025 do të ishin shumë të mirëpritura dhe duhet të shërbejnë si një paralajmërim për këdo apo cilindo grup që përpiqet të hiqet sikur kanë influencë tek Presidenti Trump apo ekipi i tij elektoral – nuk do t’iu dalë mirë”.

Përfaqësuesit e ekipit elektoral të ish-Presidentit Trump nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse ekipi elektoral kërkoi apo nxiti largimin e zotit Dans nga drejtimi i këtij projekti. Fondacioni Heritage tha se zoti Dans u largua vullnetarisht dhe se nuk pati trysni nga ekipi elektoral i ish-Presidentit Trump. Zoti Dans nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës nëpërmjet postës elektronike për të dhënë një koment.

Ekipi elektoral i Nënpresidentes Harris tha se “Projekti 2025” vazhdon të jetë i lidhur me axhendën e ish-Presidentit Trump.

“Fshehja e 920 faqeve nga populli amerikan nuk e bën atë më pak të vërtetë. Në fakt, duhet t’i bëjë votuesit edhe më të shqetësuar se çfarë tjetër fshehin Trump-i dhe aleatët e tij”, tha menaxherja e fushatës elektorale të zonjës Harris, Julie Chavez Rodriguez.

Faqja në internet e “Projektit 2025” do të vazhdojë të funksionojë dhe ky grup do të vazhdojë të shqyrtojë historikun e rreth 20 mijë kandidatëve për zyrtarë të qeverisë, që do të ishin të gatshëm të zbatonin vizitonin e këtij grupi për qeverisjen, tha Fondacioni Heritage të martën. Grupi njoftoi se operacionet e “Projektit 2025” do të drejtohen tashmë nga vetë presidenti i fondacionit. /VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, tha në Banja Luka…