Një filxhan me çaj të këndshëm

31 korrik 2024 | 09:00

GEORGE ORWELL

Nëse kërkoni fjalën “çaj” në librin e parë të gatimit që ju kap dora, me siguri do të zbuloni se është e papërmendur, më e shumta do të gjeni disa rreshta udhëzimesh të përgjithshme që nuk japin asnjë orientim për disa nga pikat më të rëndësishme. Është e çuditshme jo vetëm sepse çaji është një nga shtyllat kryesore të qytetërimit në këtë vend, si dhe në Irlandë, Australi dhe Zelandën e Re, por sepse mënyra më e mirë e përgatitjes së tij është objekt mosmarrëveshjesh të dhunshme.

Kur shikoj me hollësi recetën time për filxhanin e përsosur të çajit, nuk gjej më pak se 11 pika të rëndësishme. Ndoshta për dy prej tyre mund të ketë deri-diku një pajtim të përgjithshëm, por të paktën katër të tjera janë shumë të diskutueshme. Këtu keni 11 rregullat e mia, secilën prej tyre e shoh si të artë:

Para së gjithash, duhet përdorur çaj indian ose nga Sri Lanka. Çaji kinez ka virtyte që nuk duhen përbuzur në ditët e sotme – është ekonomik dhe mund të pihet pa qumësht – por nuk ka shumë përbërje nxitëse në të. Nuk ndihesh më i mençur, më i guximshëm apo më optimist pasi e ke pirë. Kushdo që ka përdorur frazën ngushëlluese “një filxhan i këndshëm çaji” pa dyshim e ka pasur fjalën për çajin indian.

Së dyti, çaji duhet të bëhet në sasi të vogla – domethënë në një çajnik. Çaji nga një poçe është gjithmonë pa shije, ndërsa çaji i ushtrisë, i bërë në kazan, ka shije yndyre dhe gëlqereje. Çajniku duhet të jetë prej porcelani ose prej balte. Çajnikët prej argjendi ose prej kallaji të lëmuar bëjnë çaj me cilësi të ulët dhe ibrikët e emaluar janë më të këqij; edhe pse çuditërisht i zier në një ibrik çaji prej kallaji dhe plumbi (një gjë e rrallë në ditët e sotme) nuk është aq i keq.

Së treti, ibriku duhet të ngrohet më parë. Kjo bëhet më mirë duke e vendosur në cep të oxhakut sesa me metodën e zakon­shme të shpëlarjes me ujë të nxehtë.

Së katërti, çaji duhet të jetë i fortë. Për një ibrik që mban një litër, nëse do ta mbushni deri në buzë, do të duheshin gjashtë lugë të plota çaji. Në një kohë racionimi, kjo s’është një ide që mund të realizohet në çdo ditë të javës, por unë pohoj se një filxhan me çaj të fortë është më i mirë se njëzet me çaj të dobët. Të gjithë dashamirësit e vërtetë të çajit jo vetëm që e pëlqejnë çajin pak më të fortë pas çdo viti që kalon – një fakt që njihet prej racionit shtesë që u jepet pensionistëve të moshuar.

Së pesti, çaji duhet të hidhet direkt në çajnik. Nuk ka kullesa, cohë ose pajisje të tjera për ta burgosur çajin. Në disa vende çajnikët janë të pajisur me shportëza të varura nën grykë për t’i kapur gjethet të cilat mendohet se janë të dëmshme. Në fakt, gjethet e çajit mund të gëlltiten në sasi goxha të mëdha pa ndonjë efekt të dëmshëm, dhe nëse çaji nuk është i lirshëm në çajnik, ai nuk zihet kurrë siç duhet.

Së gjashti, çajniku duhet të çohet te ibriku dhe jo anasjelltas. Në momentin e hedhjes së ujit në çajnik ai duhet të jetë duke vluar, që do të thotë se duhet ta mbani në flakë ndërsa e derdhni. Ka që thonë se duhet përdorur vetëm ujë i sapovaluar, por s’e kam vënë re kurrë se ka ndonjë ndryshim.

Së shtati, pas përgatitjes së çajit duhet të përzihet ose, më mirë, të tundet mirë ibriku, për t’i lënë pastaj gjethet të bien në fund.

Së teti, njeriu duhet të pijë në një filxhan të mirë – d.m.th. në filxhan cilindrik, jo të sheshtë dhe të cekët. Ku filxhan mban më shumë dhe me llojin tjetër çaji është gjithmonë gjysmë i ftohtë përpara se të kesh filluar ta pish.

Së nënti, kremi duhet të hidhet nga qumështi përpara se ta përdoret për çaj. Qumështi që është shumë kremoz i jep gjithmonë çajit një shije të keqe.

Së dhjeti, fillimisht duhet të hidhet çaji në filxhan. Kjo është një nga pikat më të diskutueshme nga të gjitha; në të vërtetë në çdo familje në Britani ka ndoshta dy shkolla të mendimit mbi këtë temë. Shkolla e parë e qumështit mund të sjellë disa argumente mjaft të forta, por unë them se vetë argumenti im është i pakundërshtueshëm. Sipas asaj që them unë, ndërsa hedh çajin në fillim dhe e trazon ndërsa derdhet, mund të përcaktohet saktësisht sasia e qumështit që nevojitet, ndërsa ka gjasa të hidhet tepër qumësht nëse e bën anasjelltas.

Së fundi, çaji – me përjashtim të rastit kur pihet sipas stilit rus – duhet të pihet pa sheqer. E di shumë mirë që këtu jam me pakicën. Por prapëseprapë, si mund ta quash veten një dashnor i vërtetë i çajit nëse e shkatërroni shijen e çajit duke i hedhur sheqer? Po aq e arsyeshme do të ishte të hidhje piper ose kripë. Çaji është menduar të jetë i hidhur, ashtu si birra është menduar të jetë e hidhur. Nëse e ëmbëlson, nuk po shijoni më çajin, thjesht po shijon sheqerin; mund të bëni një pije shumë të ngjashme duke tretur sheqerin në ujë të nxehtë.

Ka që do të thoshin se nuk e pëlqejnë çajin në vetvete, se e pinë vetëm për t’u ngrohur dhe si nxitës dhe se u duhet sheqer për t’i hequr shijen. Këtyre njerëzve të kequdhëzuar do t’u thosha: Provoni të pini çaj pa sheqer, le të themi, për nja dy javë dhe ka shumë pak gjasa që do të doni ta prishni shijen e çajit duke e ëmbëlsuar përsëri.

Këto nuk janë pikat e vetme të diskutueshme që lindin në lidhje me pirjen e çajit, por ato janë të mjaftueshme për të treguar se sa e sofistikuar është bërë kjo punë. Janë edhe rregu­llat e mistershme të sjelljes shoqërore që lidhet me çajnikun (pse konsiderohet vulgare të pish nga pjata jote, për shembull?) dhe mund të shkruhet shumë për përdorimet dytësore të gjetheve të çajit, të tilla si tregimi i fatit, parashikimi i ardhjes së vizitorëve, ushqyerja e lepujve, shërimi i djegieve dhe fshirja e tapetit.

Ia vlen t’u kushtohet vëmendje detajeve të tilla si ngrohja e ibrikut dhe përdorimi i ujit që vlon në mënyrë që të siguroheni që të keni njëzet filxhanë me çaj të mirë e të fortë, të përgatitur siç duhet.

Evening Standard, 12 janar 1946

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela. Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”.

© Të drejtat e botimit të këtij përkthimi, “Armagedoni”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
DAVID LODGE Them se kjo pikturë konsiderohet mbretëreshë e koleksionit.…