Reagim i KMDLNj-së / Lojë e pandershme e Gjykatës Speciale Raciste!

01 gusht 2024 | 14:06

Salih Mustafa fillimisht ishte dënuar me 26 vite burgim të rëndë ndërkaq që Gjykata Supreme ia shqiptoi një dënim me 22 vite të rëndë burg. Pas ankimimit të këtij vendimi rasti i kthehet përsëri Gjykatës së Apelit e cila do të diskutojë për lartësinë e dënimit. GJSR në Hagë ishte votuar në rrethana terrori nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. E vërteta është se disa deputetë kanë votuar me dëshirë sikur që kanë dhënë kontribut të madh për arrestimin e udhëheqësve të lartë politik dhe ushtarak që janë duke u gjykuar apo që tashmë janë dënuar. GJSR gjithmonë është deklaruar se është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe se punojnë sipas ligjeve të Kosovës ndonëse kurrë dhe me asgjë nuk e kanë dëshmuar këtë. Përkundrazi, turpërisht kanë injoruar institucionet e Kosovës e në veçanti Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Në proceset që kualifikohen si shkelje e rëndë e të Drejtës Humanitare në shtetet që janë formuar nga shpërbërja e ish Jugosllavisë ndaj të dënuarve është zbatuar ligji më i favorshëm për të akuzuarit, i aplikueshëm në kohën kur ishte kryer vepra e që kështu nuk ishte vepruar në rastin Salih Mustafa dhe Pjetër Shala. Edhe në Kosovë ndaj serbëve të akuzuar për krime lufte është zbatuar kjo e drejtë më e favorshme për të akuzuarit ku lartësia e dënimit nuk i kalon 15 vjet e që në disa raste ka shkaktuar protesta të viktimave dhe qytetarëve të pakënaqur me këtë vendim të gjykatës.

Nëse kemi parasysh faktin se për gjenocidin në Srebrenicë ku janë ekzekutuar mbi 8500 boshnjakë nga ushtria serbe janë shqiptuar 4 dënime me burg të përjetshëm ndërsa dënimet me burg efektiv dënimi më i lartë ishte 36 vjet kurse i ulëti ishte 5 vjet, dënimet ndaj shqiptarëve janë drakonike dhe kriminale pasi as në rastin Salih Mustafa apo Pjetër Shala nuk ishte vërtetuar përgjegjësia konkrete për vrasjen e dy personave, njëri nga Salih Mustafa e tjetri nga Pjetër Shala.

Dënimet e kësaj gjykate janë qartazi prapavijë etnike dhe politike e assesi nuk sigurojnë drejtësi për viktimat apo përgjegjësi për ata që e kanë kryer krimin e që deri më tani mbesin të panjohur. Një gjykatë që nuk i nënshtrohet asnjë kontrolli përmes monitorimit të pavarur dhe që nuk jep asnjë llogari siç është GJSR në Hagë domosdoshmërisht i nënshtrohet ndikimit të politikës apo grupeve të interesit që nënkupton që mungojnë kushtet elementare për një gjykim të drejtë, fer, të paanshëm dhe të pandikueshëm e që garantohet nga Kushtetuta e Kosovës, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Tash, Salih Mustafës mund t’i ulet ndjeshëm dënimi por se për te e as për drejtësinë nuk paraqet zgjidhje apo sukses, padrejtësia tashmë ka marrë formë juridike. Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë treguar të mjerë dhe qyqarë, sidomos këta të Komisioneve për të Drejtat e Njeriut dhe Legjislacion duke e refuzuar mandatin e fituar nga votuesi për përfaqësim dhe mbrojtje të interesit të qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve fetare dhe politike si dhe statusit në shoqëri. Ministria e Drejtësisë e ka përmbushur qëllimin e mandatit që ia caktuar vetes duke dobësuar mbrojtjen efektive juridike të të akuzuarve, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë duke ua shkurtuar mjetet financiare larg syve të publikut, pa transparencë, pa debat dhe në mënyrë të kundërligjshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Carlo Ancelotti foli në konferencën për shtypin pas humbjes 1-0…