GP i AAK-së: Arrestimi i deputetëve, kalkulim për bllokim të punës së Kuvendit

28 shtator 2018 | 13:58

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nëpërmjet një komunikate për medie është shprehur i indinjuar me arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Milaim Zeka dhe Shkumbin Demaliaj.

Deputetët e AAK-së nuk mund të pajtohen me logjikën e arrestimit të deputetëve për shkak të fjalës së tyre edhe kur ajo është më e ashpër dhe më emocionale se sa që duhet.

Sipas grupit parlamentar të AAK-së, arrestimi i deputetëve Demaliaj dhe Zeka mund të jetë i kalkuluar për motive politike dhe me qëllim të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës.

“Konsiderojmë se deputetët e arrestuar nuk kanë bërë asnjë veprim konkret i cili mund të cilësohej kanosje ose rrezik të kujtdo qoftë dhe mbajtja në paraburgim e tyre kur ata nuk paraqesin rrezik për askënd, është shkelje e rëndë e dinjitetit dhe integritetit të deputetit. Druajmë se arrestimi i deputetëve Demaliaj dhe Zeka mund të jetë i kalkuluar për motive politike dhe me qëllim të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës”, është theksuar në komunikatën e grupit parlamentar të AAK-së.

Deputetët e AAK-së kanë thënë se pamjet e prangosjes së deputetëve për fjalën e tyre mund të shihen vetëm në sisteme totalitare.

“Prandaj kërkojmë që deputetet që po mbahen  në arrest të lirohen menjëherë dhe gjykata të ndjek procedurën e rregullt në raport me ta”, është thënë më tutje në komunikatë.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Monzas ka njoftuar se ish-pronari i Milanit, Silvio…