Arrestohet edhe i dyshuari tjetër në rastin e patentë-shoferëve

02 gusht 2024 | 08:52

Një hetim i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zbuluar dallaveret me patentë shoferë në rajonin e Pejës, ku janë të përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës. Aksioni që u zhvillua para rreth dy javësh në rajonin e Pejës dhe të Prishtinës rezultoi me arrestimin e 7 prej tyre, teksa grupit të personave të ndalur i është shtuar edhe një tjetër, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, i dyshuari Naim Demolli, i cili nuk u gjet në shtëpi ditën e aksionit ka rënë në prangat e Policisë të enjten.

Ndaj tij, të njëjtat burime thonë se është lëshuar urdhri për ndalim policor dhe brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa për paraburgim.

Personat e arrestuar për përfshirje në këtë rast dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘keqpërdorimi i detyrës zyrtare’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘marrja e ryshfetit në sektorin privat’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’.

Gjatë operacionit policor të 23 korrikut, u arrestuan Ahmet Shala, Denis Tafilaj, Teuta Shkuliqi, Mehmet Iberdemaj, Rame Smajli, Luigj Gojani, Arben Kastrati, kurse Demolli dhe Mehmet Dinaj e Besim Krasniqi nuk u hasën nga Policia.

Personat e dyshuar, gjashtë prej tyre persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës dhe duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike – në shpërfillje të formës zyrtare elektronike.

Ndërsa tre të dyshuar të tjerë, pronarë të autoshkollave kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë falsifikuar dokumente që të njëjtit t’i nënshtrohen testit për patentë shofer.

“Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së. Po ashtu tre të dyshuar pronarë të auto shkollave dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim.” – ka njoftuar Policia pas aksionit.

Gjatë operacionit policor të bastisjes, janë sekuestruar 7800 euro, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve.

“Lidhur me rastin personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës, 6 prej tyre iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve dhe një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt për shkaqe shëndetësore. Për tre nga të dyshuarit e përfshirë në rast të cilët nuk janë hasur, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime të nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AdBlue është emri i tretësirës ujore të uresë. Drejtuesit e…