Pacolli kërkon nga Gjermania mbështetje për liberalizimin e vizave

28 shtator 2018 | 14:10

Në kuadër të dhjetëra takimeve që ka zhvilluar me homologë të tij nga shtete të ndryshme njohëse dhe jonjohëse, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar të enjten një takim zyrtar bilateral në selinë e misionit gjerman në OKB me ministrin e Jashtëm, Heiko Mass.

Pacolli ka kërkuar mbështetjen gjermane për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Interpol dhe për njohjen e patentave kosovare të udhëtimit.

Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe mbi mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë dhe rolin që shteti gjerman do ta ketë në këtë proces.

“E informova ministrin, Heiko Maas, me ecurinë e dialogut me Serbinë dhe ai më rikonfirmoi pozicionin e Kancelares Merkel, që e sheh zgjidhjen përfundimtare në përputhje me vlerat evropiane, si zgjidhje stabilizuese për dy vendet dhe rajonin në përgjithësi. I kërkova një konvergjencë më të madhe të Gjermanisë me SHBA-të në lidhje me dialogun, duke pasur parasysh se vendi i tij është vend udhëheqës i Bashkimit Europian”, thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Jashtme.

“E takova për herë të dytë gjatë UNGA-s, ministrin gjerman të punëve të jashtme, Heiko Maas. Në këtë takim zyrtar që patëm në selinë e misionit gjerman në OKB, i shpreha homologut tim, mirënjohjen për rolin gjerman në ndaljen e gjenocidit, në ndërtimin e shtetit të Kosovës, në mikpritjen e diasporës së madhe kosovare, plotësisht të integruar në vendin e tij”, ka thënë ministri i Jashtëm Pacolli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër (e shtunë) nga ora 18:00 zhvillohet ndeshja derbi në…