Edhe Idriz Kuca “mashtrues”

28 shtator 2018 | 17:08

Shpend Gjocaj, ish-bashkëluftëtar në radhët e UÇK-së

-Mirënjohës përjetë vëllezër të gjakut!

Ushtaraku shqiptar i ulur (lartë) është Idriz Kuca, është djaloshi 28-vjeçar i vitit 1998, i cili në atë kohë priste të martohej në pranverën e madhe, atë pranverën e përgjakshme. Ishte caktuar edhe data e dasmës, ishte marrë apartamenti, ishin blerë gjërat për të marrë atë vajzën më pak se dy metra të gjatë, e 100 për qind burrnore, Meritën, tash si motrën tonë.

Mirëpo, komandanti i tankeve të ushtrisë shqiptare bashkë me shumë e shumë vëllezër të tjerë shqiptarë (ushtarak të karrierës) u vunë në ndihmën tonë aty krah përkrah me ne, të cilëve përjetë e mot iu jemi mirënjohës; ne, populli dhe historia përjashto këtu politikën.

Idriz Kuca i tregoi Luan Hajdaragës (Ministër i Mbrojtjes në atë kohë) se serbët duhet goditur, janë futur në territorin shqiptar, i tha ai, por ministri kundërshtonte në mënyrën më kategorike dhe në radiolidhje i tregoi realitetin e ri duke sulmuar serbët me tanke.

Pra, ligjet i bëri vet oficeri Idriz Kuca pa llogaritur pasojat e mundshme pak para dasmës. As Idrizi as të tjerët (ku nga frika mund ta harroj ndonjë dhe nuk po spekuloj me emra tani) nuk kursyen asgjë qëndruan me ne, ata bënë të pamundurën në përgatitjen tonë profesionale, ishin nen të njëjtën emblemë si në UÇK tërë kohen…, atë kohen kur ne mbi supe bartnim arkivole më shume se moshatarët tanë në botë që bartnin lule.

Pra, iu kemi borxh tërë jetën të paktën të mos i harrojmë, të mos i nënçmojmë, të mos i fyejmë.
Të mos i fyejmë siç e fyem Idrizin tani duke i nxjerrë emrin në listën e veteranëve mashtrues.
Respekt të pafund për Ju i madhi Idriz dhe tërë kolegët tuaj që ishin të pandarë me ne në kohen më të vështirë.
Mirënjohjeje të përjetshme vëllezër të gjakut!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMPS), ka vizituar të…