Kurti qëndron në Shkup pas incidentit ku u përfshi Osmani

05 gusht 2024 | 11:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po viziton Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me homologun e tij, Hristijan Mickoski. Kjo vizitë po zhvillohet në kohën kur raportet mes dy shteteve janë acaruar për shkak të një incidenti më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan Rel.

“Atje (në Shkup) do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Presidenca kosovare ka pretenduar se një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Më pas, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 gushtit.

Kurti ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje ku është përfshirë numri një i shtetit të Kosovës, përderisa analistët në Kosovë kanë thënë më herët se dy krerët e shtetit kanë mosmarrëveshje për çështje të ndryshme dhe raportet e tyre kanë pësuar një tjetër “krisje”.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të…