Mbi 11 mijë konsumatorë kanë përditësuar të dhënat në KESCO

05 gusht 2024 | 16:10

Thirrjes së KESCO-s për të përditësuar të dhënat e tyre deri tash i janë përgjigjur mbi 11 mijë konsumatorë.  Ky angazhim tregon përkushtimin e KESCO-s që nëpërmjet përditësimit të të dhënave, si një obligim ligjor, të bëjë edhe përmirësimin e infrastrukturës së shërbimeve të qëndrueshme të kompanisë ndaj konsumatorëve. 

Marrëdhënia e rregulluar kontraktuale  përveçse obligim ligjor, ka edhe përfitime të shumanshme, si, komunikim efektiv, shërbime më të mira dhe dorëzim i faturës në adresë të saktë me të dhëna të sakta.

Thirrja bëhet për të gjithë konsumatorët që duhet të përditësojnë në kontratën e tyre emrin, adresën e saktë, numrin e telefonit, etj. Këtu përfshihen edhe rastet kur bëhet bartja e pronës, duhet të bëhet edhe bartja e njehsorit, pastaj; kur ndërrohet trashëgimtari/ja duhet të ndërrohen të dhënat e kontratës; kur prona lëshohet me qira, duhet të bëhet bartja e përkohshme; në rastet e shitblerjes duhet të bëhet edhe ndryshimi i pronarit/es së njehsorit etj.

Të gjitha këto kategorizime kompania i ka paraqitur në faqen e saj zyrtare, në mënyrë që konsumatorët të informohen sa më mirë  dhe sa më qartë për procesin. Po ashtu, në çdo pikë të KESCO-s, janë printuar fletushka që konsumatorët paraprakisht t’i lexojnë dhe të informohen se çfarë dokumentacioni duhet të plotësojnë për përditësimin e të dhënave të tyre.

Pas kontaktimit të drejtpërdrejtë nga KESCO, konsumatorët hyjnë në limite kohore të përditësimit të të dhënave. Në momentin që kompania i kontakton ata, atëherë konsumatorët duhet të bëjnë përditësimin brenda dy javësh. Pas kësaj periudhe do të jenë subjekt i shkyçjes nga rrjeti elektrik.

Prandaj, kompania fton të gjithë konsumatorët të vijnë pranë zyrave të KESCO-s dhe të përmbushin këtë kriter ligjor, që si qëllim ka përmirësimin e komunikimit në mes kompanisë dhe konsumatorëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtegtime nëpër Atdhe (CCCXXIV) Shkruan: Berat Luzha Fshati Begracë, për…