Qytetarët të shqetësuar për prishjen e marrëdhënieve Kurti-Osmani

07 gusht 2024 | 08:43

Mosmarrëveshjet ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës, qytetarët e vendit po i shohin për keqardhje.

Ata për Ekonomia Online kanë thënë se këto dy institucione duhet të bashkëpunojnë ndërmjet vete në të mirë të vendit.

Ata po ashtu janë shprehur se të dyja institucionet duhet të kenë “kahje të njëjtë”.

Këto komente, qytetarët i kanë bërë pas reagimit të presidencës së Kosovës se është “për keqardhje” mënyra se si u trajtua incidenti i 1 gushtit në Aeroportin e Shkupit, gjatë konferencës për media më 5 gusht të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski atje.

Qytetari Izet Zhuja ka thënë se duke pasur parasysh që të dyja institucionet kanë drejtimet e veta, kryeministri dhe presidentja mund të kenë mosmarrëveshje, por se ato nuk duhet të ekzagjerohen.

“Në Qeveri secili e ka resorin e vet, resorin që udhëheqë që ia ka besuar Qeveria dhe secili mundohet për të bërë më të mirën për Kosovën. Natyrisht dikujt nuk i pëlqen, mendon që është dashur që të bëhet ndryshe, dhe sigurisht ata diskutojnë për ato gjëra. Si po na thënë këta miqtë tonë që duhet me na konsultuar me ne, sepse ne jemi më të mëdhenj. Por, kur je kryetar i shtetit duhet me vepruar sipas interesave të shtetit tënd. Dhe ato sigurisht ka pasur ndonjë bisedë mes tyre por ajo nuk do të thotë që ata janë prishur mes vete. Kryeministri dhe kryetarja kanë ndryshime mes vete, në pikëpamjet e tyre edhe ata i bisedojnë këto gjëra dhe secili mendon që për larmin e vet është më mirë kështu, sigurisht që nuk mbërri që gjithmonë me u konsultu para se me fol diçka, prandaj mundet me pas mosmarrëveshje por ato janë mosmarrëveshje të vogla të cilat nuk duhet me i dramatizuar, përkundrazi duhet me i afruar mendimet”, ka thënë ai.

Mustafë Morina, qytetar tjetër nga Prishtina, ka thënë se këto mosmarrëveshje ndërmjet dy institucioneve kryesore të shtetit i ka parë me shumë brenga.

“Këtë çështje e kam parë shumë me brengë, këta duhet me qenë shumë të lidhur nder vete për me arritë Kosova diçka dhe propozimet e përbashkëta të tyre të jenë të përbashkëta jo njëra të merr një kahje dhe tjetra një kahje tjetër. Pritshmëria më e madhe e tyre është që të punojnë së bashku, ky është propozimi im”.

“Faktikisht këta janë munduar me arrit diçka, mirëpo nuk kanë mundur me arritë qëllimin, qëllimi i fundit është që Kosova të realizojë atë projektin përfundimtar që është e parapamë që të realizojë”, ka thënë ai.

E qytetari Xhelal Gashi ka thënë se çdo mosmarrëveshje mes presidentes dhe qeverisë është për keqardhje dhe se shpreson se në të ardhmen të mos ketë mosmarrëveshje të tilla por që të punohet për të mirën e këtij vendi.

“Çdo mosmarrëveshje mes presidentes dhe qeverisë është për keqardhje, shpresoj se mosmarrëveshje të tilla të ardhmen nuk do të jenë të nivelit të tillë, me gjetë gjuhë të përbashkët me funksionuar dhe me komunikuar për të mirën e këtij vendi. Unë kam një vlerësim shumë pozitiv për punën e kësaj qeverie, ministritë përkatëse kanë trashëguar probleme të shumta nga qeveritë e mëhershme, kanë bërë jo edhe më të mirën e mundshme, është mirë që mandati po përfundon i plotë dhe shpresojmë që kushdo qe vjen të vazhdojë të punoj për të mirën e këtij vendi”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim këngëtarin shqiptar Arkimed Lushaj,…