Gërxhaliu kërkon rritjen e pagave të minatorëve: Mëkat që Trepça është bërë barrë për shtetin

07 gusht 2024 | 12:35

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar rritjen e pagave të minatorëve të Trepçës, të cilët i ka quajtur “heronjtë e qëndresës dhe mbijetesës”.

Gjithashtu ai ka kërkuar edhe modernizimin e teknologjisë dhe avancimin e përpunimit të metaleve.

Gërxhaliu në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka thënë se problemet e Trepçës duhet të zgjidhen, jo vetëm me një ligj por me zbatimin dhe implementimin e plotë të atij ligji.

Ai ka thënë se miniera e Trepçës është një ndër asetet më të mëdha që ka Kosova.

Gërxhaliu ka theksuar se është mëkat që ky aset, i cili duhet të jetë në funksion të shtetit, është shndërruar në një barrë.

“Një ndër asetet më të mëdha që ka pasur Kosova të zhvillimit ekonomik është kombinati Trepça. Nuk zgjidhen problemet e Trepçës vetëm me një ligj, por me një implementim dhe zbatim të këtij ligji, nga vetë fakti që pasuritë e Trepçës janë të pakontestuara me vlera shumë dimensionale. Është një aset i cili duhet të jetë në funksion të zhvillimit të Republikës së Kosovës dhe jo të jetë barrë e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në kombinatin e Trepçës gjinden 3/4 e të gjitha elementeve kimike të sistemit periodik, gjë e cila potencon rëndësinë dhe vlerën e saj.

“Heronjtë e qëndresës dhe mbijetesës së Trepçës janë minatorët të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të dhënë kontributin e vet në ruajtjen e këtij aseti, mirëpo nuk mjafton vetëm minatorët të bëjnë, duhet definitivisht edhe institucionet e Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se politizimi i Trepçës përmes bordeve dhe drejtorëve që nga paslufta e ka shndërruar atë në barrë të shtetit.

“Politizimi i Trepçës përmes bordeve, drejtorëve që nga paslufta deri më sot e ka sjellë Trepçën në këtë situatë që është shndërruar në barrë të shtetit. Mëkati më i madh është që sipas shumë analizave në tre vitet e fundit në Kosovë janë shpenzuar më tepër se 520 milionë euro në forma të ndryshme të ndihmave të ndërmarrjeve publike. Ky është një mëkat që do t’i kushtojë Kosovës të ardhmen, prandaj në qoftë se sot bëjmë për Trepçën, ajo nesër do të bëjë për ne”, ka thënë ai.

Duke folur për rëndësinë e investimit në modernizimin e teknologjisë dhe mundësitë e mëdha për eksportin e mineraleve, Gërxhaliu ka thënë se është koha kur duhet të gjendet një modalitet i mbështetjes së minatorëve.

“Është koha kur duhet të motivohen minatorët dhe kur duhet të rriten pagat. Mbi të gjitha duhet të punohet në dy dimensione të tjera, në modernizim të teknologjisë, sepse teknologjia është stërvjetruar dhe e dyta në avancimin e përpunimit të metaleve. Vetë fakti se nga Trepça shitet vetëm koncentrati dhe jo metalet e përpunuara, është një dëm shumë i madh. Nga koncentrati i Trepçës, i cili eksportohet kudo në Evropë, në veçanti në Zvicër dhe në Kinë nxirren më shumë se 31 metale të ndryshme dhe me teknologji moderne prodhohen edhe barna e prodhime farmaceutike”, ka thënë Gërxhaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federico Chiesa i është ofruar Barcelona-s teksa Juventus-i kërkon të…