10 fakte magjepsëse rreth Druidëve të lashtë

11 gusht 2024 | 08:22

Romakët ishin të tmerruar prej tyre, ata mund të bënin që të binte shi zjarri mbi armiqtë e tyre – dhe ishin të përjashtuar nga taksat. Këto fakte rreth druidëve të lashtë do t’ju habisin.

Druidët ishin priftërinjtë e keltëve të lashtë, që jetuan shumë kohë më parë në Ishujt Britanikë dhe Gali (një rajon i lashtë që përfshin kryesisht Francën e sotme). Imazhi i druidëve i transmetuar tek ne gjatë shekujve është ai i figurave misterioze me rroba të bardha që kryejnë rituale të çuditshme dhe që bëjnë magji me krahët e shtrirë.
Por çfarë dimë vërtet për ta?
Vetë Keltët e lashtë nuk i lanë shumë historianëve dhe arkeologëve për të zbuluar, për fat të keq. Pjesa më e madhe e asaj që ne dimë për druidët vjen nga literatura kelte dhe tregimet e lashta greke dhe romake (edhe pse besueshmëria e tyre është e diskutueshme).
Ja 10 fakte rreth druidëve të lashtë.

1. Origjina e tyre është mister

Druidët ndoshta e kanë origjinën në Gali ose Ishujt Britanikë, pasi këto ishin tokat në të cilat dihet se kanë jetuar, por historianët nuk mund të thonë me siguri nëse rrënjët e tyre ishin aty, apo më larg.
Studiuesit nuk janë gjithashtu të sigurt se kur u shfaqën për herë të parë druidët. Shkrimet më të hershme në të cilat përmenden janë nga shekulli i IV para Krishtit, por origjina e tyre ka të ngjarë të jetë të paktën në vitin 1000 para Krishtit, dhe ndoshta më herët. Pavarësisht se shpesh përmenden bashkë me Stonehenge, nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë që lidh druidët e lashtë me ndërtimin e Stonehenge, i cili daton rreth 5000 vjet më parë.
Druidët u nënshtruan nga romakët në shekujt 1 dhe 2 pas Krishtit pasi kishin pushtuar Britaninë dhe Galinë. Nga Periudha e Mesjetës së Hershme, ato në thelb ishin zhdukur. Një formë e druidizmit e kohëve moderne, që i ka rrënjët tek një ringjallje e mitit të tyre në shekullin 18 vazhdon edhe sot e kësaj dite, por druidët e vërtetë, pra ata të lashtë, janë zhdukur prej kohësh.

2. Lisat ishin shumë të rëndësishëm për druidët

Lisat dhe të gjitha gjërat që lidhen me lisin ishin tepër të shenjta për druidët. Fjala “druid” do të thotë “të njohësh pemën e lisit” në gjuhën galike. Për shekuj me radhë lisat identifikoheshin me forcën, fuqinë, pjellorinë, qëndrueshmërinë dhe mençurinë, jo vetëm në mesin e keltëve të lashtë, por kudo ku pema rritej.
Një nga ritualet më të shenjta të druidëve përfshinte mbledhjen në pemët e lisit gjatë natës dhe prerjen e veshtullit me një drapër të artë. Veshtulla nuk mund të prekte tokën, kështu që ndërsa druidi që mbante drapërin e artë priste një copë, dy të tjerë ishin gati poshtë për ta kapur me një leckë të bardhë.

3. Të famshëm se ishin të frikshëm

Njerëzit e botës klasike, veçanërisht romakët, besonin se sa më në veri të udhëtoje, aq më ‘barbarë’ bëheshin njerëzit. Ata mendonin se Ishujt Britanikë ishin vendi i njerëzve të egër dhe të frikshëm.
Historiani romak Tacitus, duke iu referuar pushtimit romak të Anglesey-t në Uells në mesin e shekullit të parë pas Krishtit, shkruante se druidët e Uellsit “u fusnin tmerrin ushtarëve romakë”. Druidët, vazhdon ai, qëndronin në mes të betejës “duke bërtitur mallkime të tmerrshme, me duart e ngritura drejt qiellit”. Legjionet e kapërcyen frikën, me sa duket, pasi romakët përfunduan duke pushtuar Anglesey-n dhe pjesën më të madhe të Uellsit.

4. Druidët kishin flokë të shkurtër

Ndryshe nga sa besohet gjerësisht, druidët i mbanin flokët të shkurtra, në ndryshim nga keltët e zakonshëm të asaj kohe që prireshin t’i mbanin ato të gjata. Megjithatë, Druidët mbanin mjekra të gjata.

5. Druidët thuhej se ishin magjistarë

Shkrimtarët romakë dhe grekë, si Plini, kanë shkruar se druidët ishin magjistarë.
Detaje të fuqive magjike të druidëve mund të gjenden, jo vetëm në burimet e lashta, por edhe në mitet dhe legjendat kelte. Këto aftësi të magjisë përfshinin udhëtimin në kohë, ndryshimin e formës, padukshmërinë, kontrollin e motit, ngritjen në ajër dhe tregimin e fatit.
Një shkrimtar i historisë së druidëve shkruante se “çdo druid mbante në dorë një shkop”. Druidët ishin gjithashtu të pranishëm në shumë nga betejat e popullit të tyre, duke ndihmuar ushtrinë përmes përdorimit të “artit të tyre magjik”. Shembuj të kësaj përfshijnë lëshimin e rebeshit të zjarrit mbi armikun dhe stuhive verbuese të dëborës. Ata gjithashtu mund të ndryshonin ditën në natë, madje disa ishin në gjendje të ‘hidhnin male’ mbi trupat kundërshtare dhe t’i bënin pemët dhe gurët të dukeshin si njerëz të armatosur.
Legjendat kelte hyjnë në detaje të mëdha rreth aftësive magjike të druidëve, duke treguar histori të përdorimit të ilaçeve magjike dhe magjive të fuqishme, të recituara duke qëndruar në një këmbë dhe me njërin krah të shtrirë.

6. Druidët ishin falltarë

Përveçse magjistarë, druidët ishin edhe falltarë. Thuhej se kishte shumë forma të ndryshme parashikimi të fatit, të praktikuara nga druidët. Sakrifica e kafshëve ishte një metodë veçanërisht e zakonshme dhe e frikshme.
Në një ritual të tillë, druidi mbështetej në një shtrat me degë peme dhe përdorte lëkurën e një demi të sapo therur si jorgan të përgjakur. Më pas shkonte të flinte duke menduar për një pyetje të veçantë dhe ëndrrat u jepnin përgjigjen.
Një metodë e ngjashme përfshinte tregimin e fatit nga qeni. Një qen fatkeq vritej dhe druidi hante më pas një pjesë të mishit të tij. Druidi më pas, ose flinte ose mbyllte sytë për një çast. Në këto gjendje, ai kishte vizione të së ardhmes ose shenja të tjera që u përgjigjeshin pyetjeve që ai kishte në mendje.

7. Druidët mund të kenë praktikuar flijimet njerëzore

Një temë debati rreth druidëve është nëse ata praktikonin apo jo flijimin njerëzor. I famshmi ‘Lindow Man’, i zbuluar në një moçal në Cheshire në vitin 1984, janë eshtrat e një njeriu i cili pati një vdekje brutale rreth 2000 vjet më parë. Disa ekspertë pretendojnë se ai ishte viktimë e flijimit nga druidët.
Autori romak Lucan pikturonte një pamje të tmerrshme të druidëve, duke thënë se ata merreshin me rituale flijimi njerëzish dhe se në tokat e tyre “pemët ishin të spërkatura me gjak njeriu”.
Kur romakët më në fund pushtuan Anglesey-n në Uells nën komandantin e Suetonius Paulinus, duke vrarë shumë vendas dhe druidë, ata zbuluan prova të vrasjeve me rituale të njerëzve. Taciti shkruante se druidët vrisnin për qëllime parashikimi të fati. Sipas tij, ata i vrisnin njerëzit me thikë në altar dhe më pas shihnin se nga cila anë do të shembeshin përtokë. Të brendshmet e viktimave kontrolloheshin për shenja hyjnore.

8. Mund të duheshin deri në 20 vjet për të mësuar të bëheshe druid

Tradita e druidëve u mbajt gjallë gojarisht, duke kaluar ndër breza për shekuj të tërë. Të rinjtë fillonin si praktikantë nën një mjeshtër dhe mësonin sekretet e njohurive druidike – urtësinë e lashtë druide të magjisë, filozofisë, fesë dhe ligjit. Kjo praktikë zgjaste deri në 20 vjet. Britania duhet të jetë parë si një qendër e rëndësishme e druidizmit, pasi druidët praktikantë nga Keltët e Galisë shkuan përtej Kanalit për t’u trajnuar.

9. Druidët nuk ishin vetëm priftërinj

Druidët ishin një rend priftëror, por roli i tyre në shoqërinë kelte shtrihej edhe përtej fesë. Ata ishin gjithashtu njerëz të ditur – filozofë, historianë, tregimtarë dhe këshilltarë. Mbretërit bënin ligje, por ata këshilloheshin nga druidët, dhe druidët ruanin një fuqi të madhe në shoqëri. Ata ishin të respektuar, konsideroheshin pjesë e klasës më të lartë dhe shpesh ishin të përfshirë në jetën politike dhe ushtarake të komunitetit të tyre.
Jul Cezari përshkroi me hollësi shumë nga të drejtat, rolet dhe zakonet e druidëve, duke përfshirë faktin se ata ishin, të paktën në atë kohë në Gali, të përjashtuar nga pagimi i taksave.

10. Kishte edhe druide femra

Ne zakonisht i mendojmë druidët si burra, por fakti që kishte druide femra ndoshta nuk është aq befasues sa mund të mendohet. Gratë e lashta kelte në përgjithësi kishin një rol të madh në shoqëri dhe kishin shumë më tepër të drejta se të ngjashmet e tyre greke dhe romake.
Burimet e lashta romake dhe greke i referohen ‘dryades’, ose druidesha. Disa perandorë romakë, si Diokleciani dhe Aureliani, janë takuar me druide kelte në Gali për të dëgjuar profeci në lidhje me fatet e tyre.
Ka edhe shumë druide legjendare dhe mitike. Mitologjia irlandeze përmban shumë ‘bandrui’ (druide femra). Bodhmall dhe Liath Luachra, për shembull, janë dy druidesha luftëtare mitike, që ishin personazhe kyçe në mitet e hershme irlandeze. / bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjithë trupat janë nxjerrë nga vendi i një aksidenti…