IKD: Kuvendi ka pasur shkelje të mëdha të kushtetutshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë

11 gusht 2024 | 08:30

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës, në sesionin pranveror, nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues, pasi që ka pasur shkelje të mëdha në raport me Kushtetutën, transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë përballë Kuvendit.

Mes tjerash, sipas IKD-së, Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është shkelur edhe në Ligjin për Zyrtarët Publikë, për mos-respektimin e afatit prej gjashtë muajsh të vendosur nga Gjykata.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, ka thënë se sasia e projektligjeve për të cilat pushteti po krenohet se i ka bërë – pjesa dërrmuese e tyre janë marrëveshje ndërkombëtare e një e treta, ligje të cilat ndryshojnë dhe plotësojnë ligje aktuale.

Ai ka thënë se premtimet elektorale, të cilat janë të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim në programin qeverisës 2021-2025, nuk janë miratuar, duke përmendur këtu Ligjin për Banimin Social të Përballueshëm e Ligjin për Punë.

“Gjatë sesionit pranveror deri në seancën e fundit, Kuvendi i miratoi në tërësi 36 projektligje, prej të cilave siç mund të shihet janë 21 të proceduara në vitin 2023 dhe 15 të proceduara në vitin 2024. Sasia e projektligjeve për të cilat pushteti politik po thotë dhe po krenohet se i ka bërë, pjesa dërrmuese e tyre marrëveshje ndërkombëtare, në fakt një e treta e tyre, në ndërkohë edhe pjesa tjetër, janë ligje të cilat ndryshojnë dhe plotësojnë ligje aktuale”.

“Ndërkohë premtimet elektorale, aktivitet të cilat janë të parapara në planin kombëtar për zhvillim në programin qeverisës në 2021-2025 nuk janë miratuar, Ligji për Banimin Social të Përballueshëm, Ligji për Punë, ligjet në reformën e drejtësisë – tashmë asnjëri nuk është në fuqi për shkak se u rrëzuan në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

Jakaj ka thënë se kjo legjislaturë përveç se ka shkelur Kushtetutën nuk ka zbatuar as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, siç ka qenë rasti me Ligjin për Zyrtarët Publikë, ligj i cili nuk është miratuar as në lexim të dytë.

Ai ka thënë se edhe tek Ligji për Pagat në Sektorin Publik, tanimë kanë kaluar katër ditë që Kuvendi ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Një kuvend që ka prodhuar në sasi projektligje, por në përmbajtje realisht nuk ka diçka që kishte me e veçuar jo vetëm në këtë sesion por në krejt legjislaturën. Masivisht ka pasur shkelje të Kushtetutshmërisë dhe përveç shkeljeve të Kushtetutshmërisë, pastaj kemi edhe mos zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, siç ka qenë rasti me Ligjin për Zyrtarët Publik ku ligji nuk është miratuar ende në lexim të dytë, por ai përmban të meta kushtetuese në ndërkohë ai nuk është miratuar as brenda afatit”.

“Ligji për Pagat në Sektorin Publik, ligj i cili tashmë kanë kaluar katër ditë kur Kuvendi është duke e shkelur Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por përveç Kuvendit edhe Qeveria. Kjo sepse nuk e zbatojnë brenda afatit prej gjashtë muajsh sa ka dhënë afat Gjykata Kushtetuese. Një afat prej gjashtë muajsh është afat optimal që si qeveri, si kuvend t’i ndërmarrin vendimet për t’i zbatuar aktgjykimet sipas kërkesave që janë të vendosura”, ka thënë ai.

Jakaj ka thënë se në këtë sesion puna e Kuvendit nuk ka dalluar nga vitet e kaluara e se ajo është përcjellur nga mungesa e thellë e transparencës.

Ai ka thënë se puna e Kuvendit është përcjellur edhe nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, siç ka qenë tek ligji i Komisionit të Pavarur për Media, tek kundërligjshmëria e komisioneve hetimore e deri tek mbikëqyrja e dobët parlamentare.

“Kuvendi i Kosovës nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues gjatë këtij sesioni pranveror edhe në rastet kur ajo është përmbushur teknikisht ka pasur shkelje të mëdha në raport me kushtetutshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien e Qeverisë përballë Kuvendit. Sikurse në vitet paraprake edhe në këtë sesion puna e Kuvendit nuk ka dalluar nga vitet e kaluara, puna e tij është përcjellur nga mungesa e thellë e transparencës në raport me ta zëmë votimin elektronik. Do të mbahet mend ky kuvend që nuk ka prodhuar votimin elektronik për deputetë. Pastaj, puna e Kuvendit është përcjellur edhe nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës siç ka qenë tek Ligji i Komisionit të Pavarur për Media. Tek kundërligjshmëria e komisioneve hetimore, tek mbikëqyrja e dobëte parlamentare, ka tashmë një fenomen të ri që deputete kur parashtrojnë pyetje nuk janë aty të pranishëm. Po përmbi 40 për qind e pyetjeve parlamentare mbesin shumë herë pa u parashtruar për shkak se mungojnë deputetët, më herët ka qenë se kanë munguar vetëm ministrat tani mungojnë edhe deputetët me të madhe”, ka thënë ai.

Hulumtuesi i IKD-së ka shtuar se Kuvendi është përballur edhe më punë të dobët të Komisioneve Hetimore Parlamentare, duke shtuar se shumica parlamentare është bërë pengesë që hetimet të shkojnë sipas kërkesë që është vendosur sipas vendimit për themelim të Komisionit Hetimor.

“Kemi pastaj edhe gjetjen sa i përket komisioneve hetimore parlamentare ku shumica parlamentare është bërë pengesë që hetimet të shkojnë sipas kërkesës që është vendosur, sipas vendimit për themelim të komisionit hetimor. Në anën tjetër kemi pasur edhe mungesë ose udhëheqje të dobët të disa komisioneve hetimore nga radhët e opozitës. Puna e dobët e komisioneve hetimore është karakterizuar fillimisht prej shumicës parlamentare, prej pengesës së tyre në drejtim të plotësimit të kuorumit ose të votimit të çështjeve të cilat kanë qenë në rend dite sikurse ta zëmë lista e dëshmitarëve, lista e materialeve ose kërkesave që do të duhej t’i dorëzohej ose afatit kur është paraqitur apo koha se kur do të duhej të hetohej”, ka thënë ai. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Shpejtim Shurdhiqi, ka…