Izraeli urdhëron evakuime të reja pas një sulmi vdekjeprurës në një shkollë në Gaza

11 gusht 2024 | 17:46

Ushtria izraelite urdhëroi të dielën evakuime të reja në jug të Gazës pas një sulmi ajror vdekjeprurës në një shkollë në veri ku po strehoheshin persona të zhvendosur. Izraeli e akuzon Hamasin dhe militantë të tjerë se fshihen mes civilëve dhe ndërmarrin sulme nga zonat e banuara.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim dhe kthimin e rreth 110 pengjeve të mbetura në Gazë.

Ushtria izraelite urdhëroi të dielën evakuime të reja në jug të Gazës pas një sulmi ajror vdekjeprurës në një shkollë në veri ku po strehoheshin persona të zhvendosur. Autoriteteve shëndetësore lokale thanë se në sulm u vranë të paktën 90 palestinezë, shifra që nuk mund të vërtetohen në mënyrë të pavarur.

Urdhrat e fundit të evakuimit vlejnë për zonat në Khan Younis, përfshirë pjesë të një zone humanitare të shpallur nga Izraeli, nga e cila ushtria tha se ishin hedhur raketa.

Izraeli akuzon Hamasin dhe militantët e tjerë se fshihen mes civilëve dhe ndërmarrin sulme nga zonat e banuara. Khan Younis, qyteti i dytë më i madh i Gazës, pësoi shkatërrime të mëdha gjatë ofensivës ajrore dhe tokësore në fillim të këtij viti. Dhjetëra mijëra njerëz u larguan përsëri javën e kaluar pas një urdhri të mëparshëm evakuimi.

Sulmi i së shtunës në shkollën ku po strehoheshin persona të zhvendosur shkaktoi një zemërim ndërkombëtar. Izraeli tha se sulmi kishte në shënjestër një post komandimi të grupeve militante të Hamasit dhe Xhihadit Islamik dhe se kishte vrarë 19 luftëtarë.

“Infromacionet e zbulimit tregonin se terroristi Ashraf Juda, komandant i brigadës së Xhihadit Islamik, ishte në kompleks. Ai ishte brenda ndërtesës së shkollës Tabaeen në qytetin e Gazës. Pasi morëm informacione të qarta se këta terroristë përbënin kërcënim dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, ne morëm hapa të shumtë për të zbutur rrezikun për civilët, duke përfshirë përdorimin e mbikëqyrjes ajrore para sulmit dhe zgjedhjen e municioneve shumë të sakta për të shmangur viktimat civile”, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Shtëpia e Bardhë tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” për sulmin ndaj shkollës dhe se është në komunikim me Izraelin për të kërkuar të dhëna.

Disa shtete arabe, Turqia, Britania si dhe shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, e dënuan sulmin.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur rreth 30 objektiva ushtarakë të Hamasit në 24 orët fundit, përfshirë strukturat ushtarake, pikat e lëshimit të raketave antitank dhe objektet e ruajtjes së armëve.

Krahu i armatosur i Xhihadit Islamik tha se luftëtarët qëlluan me mortaja kundër forcave izraelite në zonat lindore në Khan Younis.

Gati 40 mijë palestinezë janë vrarë në ofensivën izraelite në Gazë që nga fillimin i luftës tetorin e kaluar, sipas burime palestineze. Zyrtarët shëndetësorë të Gazës, që drejtohen nga grupi militant Hamas, thonë se shumica e viktimave janë civilë, por Izraeli thotë se të paktën një e treta janë luftëtarë. Izraeli nga ana tjetër thotë se ka humbur 329 ushtarë në luftime.

Gjakderdhja e fundit në konfliktin izraelito-palestinez dhjetëvjeçar u shkaktua pasi Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur disa herë nga shtëpitë e tyre, sipas Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që brezi i tyre i ngushtë i tokës është kthyer kryesisht në një shkretëtirë rrënojash.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë muaj që po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim dhe kthimin e rreth 110 pengjeve të mbetura në Gazë. Autoritetet izraelite besojnë se rreth një e treta e tyre kanë vdekur.

Konflikti ndërkohë ka kërcënuar të shkaktojë një luftë rajonale, pasi Izraeli ka shkëmbyer zjarr me Iranin dhe grupet e tjera militante në rajon, aleatë të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë një 35-vjeçar në Shqipëri , punonjësi i…