Qeveria dhe KFOR-i duhet të marrin masa urgjente për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës

12 gusht 2024 | 11:13

Nga: Hisen Berisha

Raportimi medial për praninë e Ushtrisë Serbe në territorin e Kosovës, më saktë në Bjeshkët e Istogut, domosdoshmërisht duhet t’i vë në veprim institucionet përgjegjëse për të siguruar integritetin territorial të Kosovës. Kjo situatë është një provokim i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje të qartë dhe të vendosur të të gjithë akterëve të ngarkuar me përgjegjësinë për garantimin e pacënueshmërisë së integritetit të territorit të Kosovës, me kufi ende të pa demarkuar zyrtarisht e ratifikuar ndërkombëtarisht. Këtu përgjegjësia bie në rend të parë dhe vetëm te NATO/KFOR (Rez. 1244).

Qeveria e Kosovës, së pari, Kryeministri, ministrat e ministreshat, por edhe shumë deputetë e aktivistë duhet ta kuptojnë se kufiri i Kosovës dhe Kosova nuk janë te Ujmani, as në Urën e Ibrit dhe as në kafet ku gravitojnë liliputët e pushtetit.

Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa të menjëhershme për të adresuar këtë incident, duke forcuar praninë e Forcave të Sigurisë – KFOR-it në ato zona dhe duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar që nuk cenohet asnjë pjesë e territorit të vendit tonë.

Në këtë kontekst, është jetike që KFOR-i, me mandatin e tij nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të rrisë vigjilencën dhe të garantojë pacënueshmërinë e kufijve të Kosovës.

Gjithashtu, i bëhet thirrje të gjithë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të qëndrojnë të bashkuar dhe të gatshëm për të mbrojtur arritjet dhe liritë që kemi fituar me shumë sakrifica. Ky është një moment që kërkon unitet kombëtar dhe angazhim për të ruajtur paqen dhe sigurinë e vendit tonë.

Ky është një veprim që duhet të alarmojë vendet partnere të QUINT për ngritjen e alarmit deri në KS/OKB. Ky është një moment që duhet ta vë në veprim edhe Qeverinë e Shqipërisë, në bazë të Kushtetutës së saj, për veprim politik e diplomatik nga Tirana në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ne nuk do të lejojmë që provokimet të destabilizojnë Kosovën. Qytetarët e vendit duhet të ndihen të sigurt se Kosova është e mbrojtur dhe e pacenueshme. Ky është edhe kuptimi i sigurisë kombëtare si nocion!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin e Organizatës…