Shqiptarët e Luginës protestojnë për “identitet dhe dinjitet”

12 gusht 2024 | 12:52

Banorë shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë protestuar të hënën për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar Qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.

Ata kanë protestuar në Bujanoc duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrimin “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.

Protesta është thirrur të shtunën nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, nën sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë. “Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin”, ka thënë Kamberi.

Kamberi, i cili e ka fituar edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë gjatë zgjedhjeve serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.

“Ftoj qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar në realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojnë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7 pikës 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore”, ka thënë Kamberi.

Marrëveshja e Konçulit është arritur në vitin 2001 për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare përmes një procesi demokratik.

Në korrik 2013, qeveria e presidentit Aleksandër Vuçiq e ka miratuar planin shtatë pikësh, i cili ishte pothuajse e njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.

Kamberi e ka lënë të hapur mundësinë për protesta të tjera pas kësaj. Në sheshin ku është mbajtur protesta është parë një numër i madh i policëve me uniforma dhe veshje civile. Nuk është raportuar për ndonjë incident gjatë protestës.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Në fund të vitit të kaluar, ata janë ankuar për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë lëshuar një deklaratë…