Vuçiqi ngre alarmin për grusht shteti, opozita i thotë: Mos nxit luftë civile

13 gusht 2024 | 08:22

Beogradi dje u mbush një prej protestave më të mëdha të thirruara ndonjëherë nga opozita e vendit, e cila është kritikuar nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, madje duke ngritur alarmin se do të ketë trazira dhe tentativë për grusht shteti.

Vuçiq tha se ka mësuar përmes kanaleve zyrtare nga Rusia se “në Serbi po përgatiten trazira masive me qëllim një grusht shteti”. Sipas tij, Agjencia kompetente për Siguri dhe Informim (BIA) dhe njerëzit e specializuar në qeverinë e Serbisë po bëjnë punën e tyre për të ruajtur rendin dhe sigurinë.

“Ata që imagjinojnë se do të bëjnë diçka me forcë – nuk do ta bëjnë. Serbia po ecën pa pushim përpara, nuk mund dhe nuk do ta ndalin. Askush nuk do ta ndalojë më kurrë. Njerëzit nuk kanë nevojë të shqetësohen”, tha Vuçiq.

Përpara tij, edhe kryeministri Millosh Vuçeviq paralajmëroi protestuesit se “nuk do të ketë një 6 tetor të ri” dhe askush nuk do ta marrë pushtetin në rrugë dhe me dhunë në Serbi.

“Dua të siguroj publikun e Serbisë, pa marrë parasysh faktin se ata janë të bombarduar fjalë për fjalë me një sasi të pabesueshme informacioni që sjell ankth dhe shqetësim se Serbia është një vend i sigurt dhe i qëndrueshëm”, tha kryeministri.

Por, deklaratave të Presidentit dhe Kryeministrit i janë përgjigjur ashpër liderët e opozitës serbe, duke i akuzuar Vuçiç dhe Vueçeviçin se po vjellin vrer për popullin e thjeshtë dhe po i fryjnë zërave për një luftë civile.

Nënkryetarja e Partisë Liri dhe Drejtësi (SSP) Marinika Tepiq deklaroi në platformën ‘X’ se në rrugë, në protestat kundër minierave të litiumit në të gjithë Serbinë, do të jenë “njerëzit më të ndershëm – fshatarë, punëtorë, intelektualë, sportistë…”

“Të gjithë duan vetëm një të ardhme të shëndetshme, jo Serbinë si koloni minerare. Dhe ju, si bisha të tërbuara, jeni ata që nxisni njerëzit kundër njëri-tjetrit përmes hekurave tuaja të helmit dhe bëni thirrje për luftë civile”, deklaroi Tepiq.

Edhe kryetari i Partisë së Qendrës Serbe (SRCE) Zdravko Ponosh deklaroi se regjimi po flet për trazira dhe dhunë dhe po kërcënon me gjendje të jashtëzakonshme.

“Epo, ne tashmë kemi një gjendje të jashtëzakonshme, është koha për normalitet. Këtë kërkon populli në protesta. Për trazirat dhe gjendjen e jashtëzakonshme, qeveria mbështetet në falangën e (Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë së Serbisë) Novak Nediq sepse nuk ka besim te policia. Njerëzit mbështeten te vetja për një shtet normal”, tha Ponosh,

Ndërkohë, Savo Manojlović, drejtor i fushatës së lëvizjes Kreni-promeni, i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiç, që të sigurojë që policia të respektojë ligjin dhe të mos ushtrojë dhunë gjatë protestës, si dhe të “ndalojë së krijuari incidente“.

“Herën e fundit që Ivica Daçiq dhe Vuçiq u angazhuan në një protestë, Ranko Paniq vdiq tragjikisht. Daçiq në atë kohë ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe Aleksandar Vuçiq mori pjesë në organizimin e atyre protestave. Ai tregoi se sa shumë kujdeset për Ranko Paniqin, vdekjen e të cilit po e kërkonte politikisht, duke e emëruar sërish Daçiqin ministër të Policisë”, shtoi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të…