Karakteri politik dhe kombëtar i Lëvizjes së Kryezinjve

13 gusht 2024 | 09:15

Prof. dr. Agim Zogaj

Pjesëmarrja e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore është një prej kapitujve jo aq të studiuar nga fusha e historio­grafisë shqiptare. Në veçanti nuk janë studiuar sa duhet rretha­nat e pjesëmarrës së forcave ushtarake dhe politike nacionaliste properëndimore shqiptare në atë luftë të madhe botërore. Histo­riografia socialiste i kishte shtrembëruar ngjarjet dhe realitetin e pjesëmarrës së grupimeve pro perëndimore shqiptare duke i pasqyruar ashtu siç i kërkonte regjimi. Një ndër aspektet e rën­dësishme të këtyre studimeve është edhe pjesëmarrja, roli dhe karakteri politik e kombëtar i qëndresës antifashiste të Lëvizjes së Kryezinjve nga Gjakova. Ishte ajo qëndresë e një Lëvizje të rëndësishme kombëtare, properëndimore dhe antikomuniste. Bashkëpunimi i krerëve të Lëvizjes së Kryezinjve me anglo­amerikanët ishte një ndër pikat më të ndritshme të tyre që dësh­moi vizionaritet dhe zgjuarsi para sfidave të historisë, në veçanti në interes të çështjes mbarëkombëtare. Çështja e Kosovës dhe çlirimi i saj nga sundimi serb ishte objektiv që mendohej se mund të realizohej duke bashkëpunuar me anglo-amerikanët.

Pavarësisht se historiografia shqiptare e periudhës së pas komunizmit po bën përpjekje për të ndriçuar shkencërisht, mbi bazat e paanësisë politike dhe aq më pak ideologjike zhvillimet përbrenda grupimeve ushtarake dhe politike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore gjithnjë e më tepër kemi nevojë për përqasje të argumentuar në këto fusha dhe në këto relacione. Kjo aq më tepër kur, edhe sot, 60 vjet pas mbarimit të asaj lufte botërore, nga e cila kombi ynë doli jo vetëm sërish i ndarë, shtrohen pyetjet të cilat kërkojnë përgjigje jo vetëm për brezat e sotëm. Pyetjet janë të shumta dhe aspak të lehta. Ndër to, mund të jenë: përse historiografia socialiste kishte këmbëngu­lur se vetëm Fronti Nacional Çlirimtar kishte zhvilluar luftë kundër pushtuesit fashist dhe atij nazist; përse ajo historiografi e fabrikuar ideologjikisht mbronte qëndrimin se grupimet ushta­rake dhe politike jokomuniste, pra nacionalizma shqiptare e kohës, jo që nuk e kishte luftuar pushtuesin, por edhe, kinse, paska bashkëpunuar me të, ndaj ishin në pozita “antikombëtare”; si ndodhi që, Shqipëria, e dalë nga epoka e zogizmit, me orien­tim të qartë perëndimor dhe demokratik, të binte në sundimin komunist ; me cilat arsye dhe motive politike Lëvizja Komu­niste në luftën kundër pushtuesve, gjithnjë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të njëjtën kohë kishte hapur frontin e luftës civile edhe me grupimet nacionaliste, pra siç ishin Balli Kombëtar, Legaliteti, Lëvizja e Kryezinjve etj.; cili ishte ndikimi jugosllav në gjithë atë ballafaqim midis grupimeve politike dhe ushtarake në shoqërinë shqiptare; përse PKSh, edhe para përfundimit të luftës, propagandonte se po luftonte për një rend të ri, për siste­min dhe regjimin socialist dhe me këtë ishte përcaktuar edhe kundër aleancës me Perëndimin; nëse zhvillimet në Shqipëri dhe përgjithësisht për kombin do të ishin të tjera, pra, sikur luf­tën kundër nazizmit gjerman do ta udhëhiqnin jo forcat komu­niste shqiptare, por lëvizja properëndimore, demokratike së cilës i kishin takuar edhe paria nacionaliste dhe pro anglo-amerikane e Kosovës, të njohur në histori si familja Kryeziu nga Gjakova ? Së fundi, a është koha që studimet tona historike ta shtrojnë pyetjen: Cilat ishin dobitë dhe përfitimet për kombin shqiptar nga pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore?

Është e qartë se, përgjithësisht, historia e qëndresës të kombit tonë ndaj fashizmit dhe nazizmit është një histori mjaft e ndërlikuar dhe në të njëjtën kohë edhe kundërthënëse. Depër­timi gjerman në Shqipëri i dha shtysë përçarjes midis faktorit ushtarak dhe atij politik brenda shqiptar. Ka mendime se, pikë­risht taktika gjermane sundo dhe përçaj, e aplikuar edhe në rrethanat e shoqërisë shqiptare të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ndihmoi fitoren e partizanëve dhe marrjen e pushtetit të ri në Shqipërinë e sapoçliruar nga forcat komuniste. Por, kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës.

Gani bej Kryeziu dhe lidhjet e tij me shërbimin britanik

Çështjet dhe zhvillimet përbrenda faktorit politik dhe ushta­rak shqiptar, si dhe ndikimet e drejtpërdrejta jugosllave në to, duhen analizuar edhe nga këndvështrimi i pozicioneve ideolo­gjike kombëtare dhe ndërkombëtare. Një është e saktë dhe kjo, së paku sot në periudhën e pluralizmit politik, ideor, teorik dhe kulturor shqiptar duhet të thuhet: nazizmin nuk e luftuan vetëm forcat komuniste në krye me Frontin Nacional Çlirimtar dhe PKSh-në, por edhe forcat nacionaliste, properëndimore dhe demokratike shqiptare. Nuk qëndron ajo që kishte shkruar historiografia socialiste shqiptare se, në Shqipëri, pra edhe në Kosovë nuk kishte asnjë luftë tjetër antifashiste jashtë Frontit Nacional Çlirimtar. Pra, në vitet dhe zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore në hapësirat shqiptare nuk kishte vetëm qëndresë komuniste, por edhe jokomuniste. Madje vetë historiografia shqiptare si datë të rënies së anëtarit të parë të partisë komu­niste në luftë kundër italianëve shënon fillimin e vitit 1942. Kurse, Gani bej Kryeziu, Ferad bej Draga dhe i biri i tij, Ali Draga, që në vjeshtë të vitit 1941, pra përmes lëvizjes irreden­tiste dhe nacionaliste, bënin propagandë për Shqipërinë Etnike.[1] Që nga kjo periudhë, pra, Gani Kryeziu “…mbante lidhje të ngushtë me shërbimin e fshehtë britanik dhe me idenë e një fronti të përbashkët – pra natyrisht edhe me komunistët – përpiqej ta zgjeronte bazën e qëndresës kundër italianëve”.[2] Le të na lejohet të argumentojmë se shumica e anëtarëve të Ballit Kombëtar e dënuan kolaboracionizmin kurse, sipas his­torianit amerikan Bernd J. Fischer,“disa elementë të Ballit Kombëtar morën pjesë me përkushtim në qëndresën kundër të gjithë pushtuesve”.[3] Veç Ballit Kombëtar, në veri të Shqipë­risë po vepronin Legaliteti, në krye me Abaz Kupin, por edhe grupet e tjera nacionaliste, ndër të cilat, historia i njeh Muharrem Bajraktarin dhe Lëvizjen e Kryezinjve, përkatësisht djemtë e Riza bej Kryeziut, Hasani, Ganiu dhe Sahiti. Gani Bej Kryeziu pa dyshim ishte ndër figurat më me ndikim dhe mbresëlënëse që kishin krijuar emër e traditë në pjesën veriore të Shqipërisë, përkatësisht Kosovës.

Gani Kryeziu, i arrestuar nga italianët, i internuar në kampin e përqendrimit në Ventotene, pas kapitullimit të Italisë ishte kthyer në atdhe, kishte dalë në male dhe kishte organizuar qëndresën antifashiste. Ai, i nisur nga objektivat kombëtare dhe joideologjike, kishte punuar për krijimin dhe forcimin e frontit të përbashkët antifashist duke u dhënë me këtë rast ndihmë edhe partizanëve. Këtë mund ta ilustrojmë edhe me afërsinë në pikëpamjet dhe veprimet politike me Musfata Gjini­shin i cili, pas likuidimit nga Enver Hoxha, ishte cilësuar si “agjent britanik”, pikërisht për shkak të lidhjeve, kontakteve me Gani bej Kryeziun dhe me britanikët gjatë viteve, fillimisht 1940/1941. Në fakt, siç shkruan studiuesi austriak Neuwirth: “Kontaktet e tij të hershme me Gani bej Kryeziun dhe me britanikët e kishin motivuar, shumë kohë përpara Pezës, për idenë e një fronti të bashkuar nacionalist…”. (Hubert Neuwirth, vep. e cit., f. 46)

Nacionalistë demokratë, antikomunistë dhe pro perëndimorë

Pra, Gani bej Kryeziu e kishte mbështetjen britanike, por jo sa duhej dhe deri në fund të meritueshme. Personalisht, por edhe me vëllezërit ishte i bindur, se lufta kundër nazizmit, pra përkrah aleatëve perëndimorë, do t’i sjellë fryte kombit, veçmas Kosovës dhe popullit të saj i cili, edhe me rreshtimin në ale­ancën e madhe botërore antifashiste, në radhë të parë krah anglo-amerikanëve, shpresonte në çlirimin nga sundimi serb. Edhe Kryezinjtë ishin ndër ata nacionalistë demokratë dhe properëndimorë të cilët kishin frikë nga komunizmi dhe komu­nizimi i shoqërisë shqiptare, por ata nuk i sulmuan partizanët edhe për arsye se “…besonin se shumë shpejt do të mbërrinin forcat britanike dhe amerikane dhe do t’i nxirrnin jashtë loje komunistët…” (vep. e cit., f. 259). Gjithnjë me vizionin e tij për zhvillimet politike dhe ushtarake në vend dhe përballë situatës ndërkombëtare, Gani bej Kryeziu me bashkëpunëtorë ishin në platformën e diplomacisë britanike sipas së cilës “…problemi kryesor ishte përcaktimi i një politike bashkuese në gjirin e qëndresës shqiptare…” (vep. e cit., f. 266). Por, a vlente kjo edhe për udhëheqësit e PKSh-së të cilët, gjithnjë edhe nën ndikimin e fuqishëm të jugosllavëve, kishin hedhur poshtë marrëveshjen e Mukjës ndaj, më 8 gusht 1943, përmes një qarkore të lëshuar nga Komiteti Qendror i PKSh-së, bënin të ditur, shpallnin se: “… në asnjë rrethanë nuk do t’i ndajë kurrë frytet e Luftës Nacional Çlirimtare me Ballin Kombëtar dhe me gjithë kundërshtarët e tjerë të kësaj lufte dhe të këtij pushteti” (Historia e Partisë, 1982, f. 39. Cituar sipas: Hubert Neuwirth, vepra e cituar…) Sjellja besëthyese e komunistëve nuk ishte as e para e as e fun­dit, dhe nuk ishte e pa qëllim në raport me forcat nacionaliste shqiptare. Britanikët ndërsa kërkonin bashkimin e të gjitha forcave politike dhe ushtarake shqiptare në qëndresën kundër gjermanëve dhe jo dobësimin e tyre nga grindjet ideologjike.

Nuk ishte e rastit që familja e Kryezinjve të Gjakovës kishte bashkëpunuar me oficerët britanikë të ndërlidhjes me të cilët kishte bashkëpunim edhe Abaz Kupi. Nuk duhet përjashtuar përkrahjen e britanikëve për Lëvizjen e Kryezinjve edhe për dy momente të cilat kërkojnë analizë të veçantë të studimeve tona historike. E para, britanikët, duke pasur parasysh lëvizjet e fuqishme pro komuniste në jug të Shqipërisë, vlerësonin se do të ishte me interes që si kundërpeshë të përkrahnin dhe të for­conin një veri gegë nacionalist dhe, e dyta, diplomacia britanike ishte e interesuar për hapjen e çështjes së Kosovës. Peter Kemp, oficer britanik, kishte deklaruar se “… përkrahja më e fuqishme për aleatët në radhët e parisë së Kosovës vinte nga familja e Kryezinjve të Gjakovës”. (Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, f. 319, 2001.) Kryezinjtë ishin në përgatitje për organizimin e një kryengritje të madhe kundër naziste në Kosovë. Peter Kemp kishte qenë drejtpërdrejt në bashkë­bisedime me Gani bej Kryeziun, ndërkohë që nga eprorët e SOE (Special Operations Executive – Ekzekutimi i Opera­cioneve Speciale) i kishte ardhur urdhri “… për t’i ndërprerë të gjitha kontaktet me ta, me arsyetim se partizanët komunistë po protestonin kundër marrëveshjes së Kempit me krerët e rezi­stencës jokomuniste” (vep. e cit., f. 319). Çuditërisht, për SOE-në britanike marrëdhëniet me partizanët jugosllavë kishin një rëndësi vendimtare.

Pikërisht në këtë dimension qëndron një ndër kthesat e mëdha të relacioneve kundërthënëse dhe absolutisht të papajtueshme midis LNÇ-së, përkatësisht PKSh-së dhe rezistencës shqiptare jokomuniste ku bënin pjesë edhe Kryezinjtë. PKSh, veçmas nga prishja e Marrëveshjes së Mukjes, ishte pozicionuar kundër forcave ushtarake dhe politike nacionaliste në vend. Ajo nuk ishte për bashkëpunim dhe për bashkimin e forcave të kombit kundër nazizmit. Komunistët shqiptarë po shtypnin pamëshir­shëm çdo lëvizje të rezistencës shqiptare e cila ishte e krahut jokomunist, e orientimit demokratik dhe sidomos ato grupe dhe lëvizje të cilat kishin bashkëpunim dhe aleancë diploma­tike dhe ushtarake me anglo-amerikanët, siç ishin Balli Kom­bëtar, Legaliteti, kurse në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kosovë, Lëvizja e Kryezinjve. Nuk ishte e rastit që: “Në dhjetor të vitit 1943 komunistët shqiptarë bën çmos që ta pengonin Piter Kempin që të mbante kontakte me vëllezërit Kryeziu në Gjakovë. Kur Piter Kempi nguli këmbë që të takohej me ta, ata informuan fshehurazi Gestapon në Gjakovë për vizitën e tij” (vep. e cit., f. 321). Politika e tillë e komunistëve shqiptarë, gjithmonë e diktuar, e nxitur dhe e dirigjuar edhe nga jugo­sllavët, la pasoja në bashkëpunimin e Kryezinjve me britanikët. Në fakt, politika britanike e shmangies nga Kryezinjtë kishte vazhduar nga janari i vitit 1944 deri në qershor të të njëjtit vit. Qershori i vitit 1944 dëshmon për rivënien e bashkëpunimit midis Kryezinjve dhe britanikëve, përkatësisht ishin diskutuar gjerësisht planet për organizimin e një rezistence të madhe kundër naziste në Kosovë. Në muajin qershor të vitit 1944, Gani bej Kryeziu, në një takim me oficerët britanikë të ndër­lidhjes në Tropojë, kishte deklaruar: “Kam ardhur për të marrë urdhrat tuaja” (Hubert Neuwirth, vep. e cit., f. 105).

Tradhtia e madhe

Ky plan nuk u shkonte përshtati as komunistëve shqiptarë e as atyre jugosllavë, ndaj të dyja palët reaguan te britanikët që të pengohej organizimi i rezistencës nga ana e Gani Kryeziut me bashkëluftëtarë. “Në muajt gusht-shtator Enver Hoxha u dha urdhër forcave të tij që të sulmonin luftëtarët e Kryeziut, dhe vetë ata të vriten (më në fund ai u kap nga partizanët jugo­sllavë dhe u burgos) (vep. e cit., f. 320). Ai deklaronte hapur se, kushdo që ishte i gatshëm të luftonte nazizmin, duhej të për­fshihej në Frontin Nacional Çlirimtar. Prandaj ishte shumë i prerë: “Për cilindo është e qartë se jashtë Lëvizjes Nacional Çlirimtare nuk mund të ketë bashkim kundër agresorëve. Vetëm Lëvizja përfaqëson popullin” (cituar sipas Hubert Neuwirth, vep. e cit., f. 118). Si rezultat i kësaj politike distancuese, pra përjashtuese, nuk ishte për t’u habitur përse gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore ishte instaluar logjika e mendimit komunist sipas të cilit: “… të gjithë shqiptarët jashtë Frontit Nacional Çlirimtar u damkosën pashmangshmërisht si “ kriminelë” dhe “reaksionarë”(vep. e cit., f. 126)

Kryezinjtë, së koti, sikur edhe nacionalistët e tjerë kishin pro­paganduar për koalicionin e madh kombëtar. Ishin komunistët ata të cilët nuk u pajtuan për bashkimin e forcave politike dhe ushtarake në rrafshin kombëtar. Arsyet ishin të ndryshme. Aspirata për të mos e ndarë pushtetin me asnjë forcë tjetër politike dhe ushtarake, pastaj për të mos shkaktuar huti rreth çështjes së rregullimit sistemor, pra vendosjes së regjimit komu­nist në Shqipëri, ndjenja e fortë anglo-amerikane dhe në të njëjtën kohë projugosllave dhe prosovjetike si dhe moshapja e diskutimit për çështjen e Shqipërisë Etnike, pra të Kosovës. Enver Hoxha me bashkëpunëtorë, në përfundim të luftës, e kuptuan se edhe britanikët në raport me të po tregoheshin të pavendosur, madje duke i lënë pa përkrahje forcat e qëndresës jokomuniste.

Derisa Abaz Kupi kishte ngelur gati në harresë të britanikëve për ta ndihmuar largimin e tij nga Shqipëria, nga ana tjetër, bashkëpunëtorët e tij, vëllezërit Kryeziu “… ishin të vetmit nacionalistë në Shqipërinë e kohës së Luftës, që ishin kapur me gjithë zemër pas idesë për ta ndërtuar Shqipërinë e ardhshme duke luftuar kundër gjermanëve…Nga mesi i shtatorit forcat e Kryeziut ishin bërë aq të forta sa të ndërmerrnin një sulm të gjerë kundër gjermanëve në Gjakovë”. (Reginald Hibbert, Fitorja e hidhur, LNÇ në Shqipëri, Tiranë, f. 311, 2003).

Gjithnjë sipas Reginald Hibbert, oficer ndërlidhës i Misionit britanik në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Suksesi i vëllezërve Kryeziu shihej me xhelozi nga partizanët kosovarë, të udhëhequr nga Fadil Hoxha dhe Mehmet Hoxha…Lëvizja e Kryezinjve, po të vazhdonte, mund të çonte në një kryengritje të përgjithshme nacionaliste të kosovarëve…”. (vep. e cit., f. 312).

Prandaj, ata, gjithnjë sipas vlerësimeve të udhëheqjes së PKSh-së dhe të PKJ-së duhej penguar në veprimin e tyre kombëtar, gjë që ndodhi në pajtim dhe në marrëveshje mes komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë. Fundi i kësaj pjese të një historie trishtuese, të lëvizjes nacionaliste, jokomuniste të Kosovës, ose thënë me shprehjet e arkivave diplomatike gjermane të kohës së Luftës së Dytë Botërore, të Shqipërisë së Re, dihet. Studi­meve historike pikërisht u takon të hedhin dritë në atë pjesë të historisë sonë kombëtare të anatemuar, pra edhe të Lëvizjes së Kryezinjve. Kjo detyrë nuk është aspak e lehtë, sepse mënyra më e thjeshtë për ta falsifikuar realitetin është të heshtësh për pamje të veçanta të tij.

[1] AQSh, f. 253 – D. f. 139 (njoftim i datës 23.10.1941): gli elementi komunisti coi nacionalisti).

[2] Hubert Neuwirth, Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri (1939-1944), Tiranë, f. 45. 2006.

[3] Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë lutës, 1939-1945, Tiranë, f. 253, 2000.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do…