ShBA-ja kërkon nga Turqisë ta bindë Iranin t’i ulë tensionet në Lindjen e Mesme

13 gusht 2024 | 12:34

Shtetet e Bashkuara po i kërkojë Turqisë dhe aleatëve të tjerë, të cilët kanë raporte me Iranin, që ta bindin atë të ulë tensionet në Lindjen e Mesme, ka thënë ambasadori amerikan në Turqi.

Ambasadori Jeff Flake i ka bërë këto komente teksa rajoni i Lindjes së Mesme po përgatitet për sulme të mundshme nga Irani dhe aleatët e tij, si shenjë hakmarrjeje për vrasjen Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni.

Haniyeh është vrarë më 31 korrik në Teheran të Iranit dhe për vrasjen e tij Irani dhe Hamasi kanë fajësuar Izraelin, i cili është duke luftuar me grupin radikal palestinez në Gazë që nga 7 tetori i vitit të kaluar. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e shefit politik të Hamasit. “Ne u kërkojmë të gjithë aleatëve tanë që kanë raporte me Iranin që ta bindin që të ulë tensionet dhe këtu përfshihet edhe Turqia. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që situata të mos përshkallëzohet”, ka thënë Flake gjatë një debati në Stamboll.

ShBA-ja dhe Turqia kanë pasur raporte të tendosura viteve të fundit, për shkak të aleancës së ShBA-së me kurdët sirianë që Turqia i cilëson terroristë, por edhe për shkak të blerjes së sistemeve ruse “S-400” nga Ankaraja, që ka shtyrë Uashingtonin ta largonte Turqinë nga programi për blerjen e avionëve amerikanë “F-35”.

Megjithatë, Flake ka thënë se raportet ShBA-Turqi tash janë “më të mira”.

Ai ka vënë në dukje “rolin produktiv” që Turqia ka luajtur në atë që është konsideruar si këmbimi më i madh i të burgosurve në mes të ShBA-së dhe Turqisë që nga Lufta e Ftohtët, që është realizuar përmes Ankarasë në fillim të gushtit.

“Ata nuk ishin të përfshirë në negociata, por në anën logjistike dhe luajtën rol të rëndësishëm”, ka thënë Flake.

Në qershor, në një intervistë për “Reuters”, Flake kishe deklaruar se Turqia qëndron fuqishëm me Perëndimin dhe partneritetin e saj me ShBA-në.

Por, gjatë debatit në Stamboll, Flake ka thënë se situata në Gaza është “shumë e vështirë”, dhe retorika e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, kundër Izraelit e ka bërë më të vështirë për Ankaranë që të luajë rolin e ndërmjetësueses. Ai ka thënë se dallimet mes Ankarasë dhe Uashingtonit sa i përket Gazës janë zvogëluar pasi ShBA-ja “në mënyrë aktive” nisi të bëjë thirrje për armëpushim, por ka pranuar se ende ka mospajtime. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri spanjoll, David de Gea, ka folur për herë të…