Edhe këtë vit prindërit do të subvencionohen për librat e nxënësve

13 gusht 2024 | 13:48

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShTI), ka vendosur edhe këtë vit që librat për nxënësit të mos dërgohen falas nëpër shkolla për nxënësit, por që prindërit të kompensohen me para për t’i blerë tekstet shkollore.

Kështu ka bërë me dije ministrja e  MAShTI-it, Arbërie Nagavci. Ajo ka treguar se deri të ky vendim kanë ardhur pas një mbledhje me drejtoritë komunale të arsimit.

Nagavci ka thënë se prindërit do të mund të aplikojnë për subvencionim qysh nga dita e nesërme.

“Konferencën po e mbajmë pasi përfunduam mbledhjen me drejtoritë komunale. Trajtuam gjithë punën e përbashkët deri më tani lidhur me udhëzimet administrative, legjislacionin, kalendarin e ri shkollor. Temë shumë me interes është furnizimi me tekste dhe mjete mësimore. Duke pasur parasysh rolin e jashtëzakonshëm të teksteve, dhe faktin që mbeten një nga burimet kryesore të vetme për mësimdhënënie dhe mësimnxënie, edhe sivjet tekstet mësimore, do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar: subvencionit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë që nesër. Subvencionojmë edhe mjetet shkollore me proces transparent, dhe që shmang mundësinë e çfarëdo keqmenaxhimi që ka ndodhur në të kaluarën. Aplikimi hapet nesër në ‘E-Kosova’, besojmë që do të jetë shumë më lehtë pasi të gjithë prindërit që kanë hapur platformën, i kanë llogaritë aktive”, ka thënë ajo.

Më tutje, Nagavci ka thënë se lista me libra është marrë nga drejtoritë komunale të arsimit. “Për ta lehtësuar këtë proces, do të lansojmë edhe një video për mënyrën e aplikimit. Ky proces furnizimi si proces në MASHT ka filluar që nga qershori i këtij viti kur kemi miratuar listën e teksteve të aprovuara. Kemi qenë në kontakt me drejtoritë komunale. Listat që kemi pranuar nga drejtoritë komunale do t’i publikojmë në faqe të ministrisë. E diskutuam që këto lista të bëhen publike në vende të dukshme”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka treguar se për nxënësit prej klasës së parë deri në të pestën, prindërit do të subvencionohen me 80 euro, kurse për nxënësit prej klasës gjashtë deri në të nëntën, kompensimi do të jetë 110 euro. “Sipas kërkesave që kemi pranuar nga drejtoritë komunale, sivjet kemi 218 mijë nxënës nga klasa 1 deri në të pestën, dhe nga klasa 1 deri 5 subvencionim do të jetë në vlerë prej 80 eurove, kurse për nxënësit prej klasës 6 deri në 9 do të jetë 110 euro. Në mënyrë që gjithçka të finalizohet me sukses është e rëndësishme bashkëpunimi me shkollat, prindërit dhe palët e tjera. Do të jemi në dispozicion në vazhdimësi për përgjigje në çdo pyetje”,  ka thënë Nagavci.

Metoda e njëjtë ishte përdorur edhe vitin e kaluar dhe kishte pasur shumë kritika.

Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kolegjiumi i drejtorëve komunalë, i cili funksionon në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka shprehur brengën e tyre për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit.

Ky kolegjium ka bërë me dije se më 1 shtator nxënësit nuk do i kenë të gjitha librat shkollor.

Sipas tyre, do të përsëritet situata e vitit të kaluar.

“1. MAShTI do vazhdojë me subvencionimin e teksteve shkollore. 2. drejtorët komunal të arsimit shprehën brengën që me 1 shtator nxënësit nuk do i kenë të gjitha librat shkollor, bazuar në kohën e shkurtë në dispozicion deri më 1 shtator dhe praktikën e vitit të kaluar”, është thënë në reagimin e kolegjiumin. Drejtorët komunalë kanë kërkuar që procesi i shpërndarjes së teksteve mësimore të bëhet duke i dërguar drejtpërdrejtë nëpër shkolla. 3. Ka pasur kërkesa nga drejtorët komunal, bazuar në përvojat e tyre, që procesi i shpërndarjes së teksteve mësimore të bëhet duke i dërguar drejtpërdrejtë nëpër shkolla sepse MAShTI i posedon të gjitha informatat për numrin e nxënësve për secilën shkollë. 4. Përkundër vonesave në procedura nga ministria, drejtorët e DKA-ve u shprehën të gatshëm ta ndihmojnë procesin brenda kompetencave të tyre vetëm që nxënësit të kenë të gjitha tekstet shkollore në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor”, është thënë në reagimin e AKK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmjen e së hënës në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë…