Superkupa e Evropës, Ancelotti: Do të jetë e vështirë ndaj Atalantës

13 gusht 2024 | 15:47

Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti e ka analizuar ndeshjen e ardhshme të Real Madridit, i cili nesër mbrëma do të luajë me Atalantën në finale të Superkupës së Evropës në Varshavë të Polonisë.

Fituesi i Ligës së Kampionëve do të përballet me fituesen e Ligës së Evropës për ta përcaktuar super-kampionin e Evropës.

Trajneri italian i ka paralajmëruar lojtarët e tij duke e pasur parasysh se përpara e ka një skuadër të papërshtatshme dhe të paparashikueshme si ajo e Berat Gjimshitit me shokë.

“Do të jetë e vështirë si gjithmonë sepse është fillimi i sezonit. Por, ne do të shkojmë atje me një besim të madh, duke i pasur në mendje krejt sfidat. Besoj se Atalanta e meriton të jetë atje sepse luajti shkëlqyeshëm në Ligën e Evropës në edicionin e kaluar, duke eliminuar top-ekipe si Liverpooli. Ata ishin në gjendje t’i fitonin ndeshjet e tilla mjaft lehtë, madje edhe në finale. Për këtë, ne e respektojmë shumë këtë ekip. Ndërkohë, ne shpresojmë të jemi në formën tonë më të mirë”, deklaroi Ancelotti në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s.

“Unë nuk mendoj se dikush e ka pritur që Atalanta ta mposhtte Leverkusenin aq lehtë dhe në mënyrë aq komode në finale të Ligës së Evropës. Siç e thash, Atalanta e kishte një sezon fantastik. Ata janë një ekip mjaft i rrezikshëm në mënyrë speciale dhe unike. Bayer Leverkuseni nuk ishte në gjendje të luante në mënyrën se si ishte mësuar të luante, kjo falë punës dhe përkushtimit që e patën në fushë lojtarët e Atalantës”, ka përfunduar Ancelotti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompanie Regjionale e Ujësjellësit (KRU) “Gjakova” ka bërë apel që…