Ahmeti me mesazh të qartë për maqedonasit: Mund të përparoni vetëm nëse jeni në harmoni me shqiptarët, përndryshe s’do të ekzistoni

13 gusht 2024 | 16:43

Maqedonasit mund të ekzistojnë vetëm nëse janë në relacione të mira me shqiptarët, përndryshe janë të destinuar të mos ekzistojnë.

Kjo ka qenë porosia e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në akademinë e organizuar nga Fronti Evropian me rastin e shënimit të përvjetorit të 23-të të Marrëveshjes së Ohrit.

Në këtë akademi, Ahmeti ka kritikuar ashpër politikat e qeverisë së re duke nënvizuar se kryeministri po sillet si aga, ndërsa shqiptarët janë duke u trajtuar si hyzmeqarë. Sipas tij, me përfshirjen e VLEN-it në qeveri, janë duke u majorizuar dhe poshtëruar shqiptarët.

“Puthadorë e argat të kurrkujt nuk bëhemi. Pavarësisht se dikush mendon se është aga në këtë vend dhe se i ka hyzmeqarët. Ky vend ecën përpara me marrëdhënie të mira ndëretnike, në radhë të parë në mes të dy komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve. Maqedonasit, si komb mund të përparojnë vetëm duke qenë në komunikim e harmoni të mirë e në marrëdhënie me shqiptarët. Përndryshe, i gëlltisin, serbët, bullgarët dhe grekët. Dhe këtë s’ua them unë këtu, ua kam thënë të gjithë përfaqësuesve politik të komunitetin maqedonas. Vetëm me ne, duke bashkëpunuar, duke bashkëjetuar mund ta ruajnë historinë, identitetin e tyre kombëtar. Përndryshe, janë të destinuar që të mos ekzistojnë fare”, ka thënë Ahmeti. /Alsat-M

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Astrit Selmani ka vazhduar me formë të shkëlqyer me fanellën…