Hovenier: Serbia i ka kërkuar Kosovës provat që i duhen për ta ndjekur penalisht Radojçiqin, shpresoj që Qeveria t’i përgjigjet kërkesës

13 gusht 2024 | 21:41

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se autoritetet serbe kanë parashtruar kërkesë përmes kanaleve zyrtare që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht Milan Radojiçiqin. Kryeterroristi Radojiç e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist që u krye në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar.

Hovenier shpreson që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkesë, në mënyrë që të ketë ndjekje penale ndaj tij.  Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të qarta lidhur me pritjet që të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë, të japin llogari, duke shtuar se Kosova mund të ndihmojë për këtë, shkruan Reporteri.net.

“Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

I pyetur nëse ka rezultate nga hetimet, Hovenier nuk ka pranuar të komentojë më shumë.

“ E dini, mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të qarta se presim që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin disa standarde. Dhe, mendoj se kemi qenë – sërish, unë punoj në Kosovë për bukën e gojës – prandaj e tëra që mund të them është se besoj se Ambasada e SHBA-së në Beograd është mjaft e angazhuar në përpjekjet për të siguruar që Serbia t’i përmbushë gjërat që vetë ka thënë se do t’i kryejë. Dhe, kjo përfshin që z.Radoiçiq dhe autorët e tjerë të një krimi, të japin llogari për atë krim. Këtu, gjithashtu, përfshihet çështja që Serbia t’iu përmbahet dhe të përmbushë të gjitha detyrimet e saj që i ka marrë në dialog, ashtu siç po bëjmë ne këtu”, ka thënë Hovenier.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E vërteta po del në shesh. Lajmi i rrejshëm i…