Cilët janë udbashët e përmendur nga Hidajete Kelmendi?

14 gusht 2024 | 00:19

Ish-e burgosura politike, Hidajete Kelmendi, ka rrëfyer emrat e udbashëve shqiptarë dhe format e torturave nga ta.

Rrëfim pas rrëfimi. Ish-e burgosura politike, Hidajete Kelmendi, rrëfeu në emisionin “Debat Plus”, emrat e 8 udbashëve torturues.

“Demë Muja, Istref Sadiku, Xheladin Beqiri, Jakup Llonçari, Mehmet Haskaj, Malushi, Sherafedin Ajeti, Mehmet Loci,” janë udbashët e përmendur nga Kelmendi.

Ndërsa, ajo ka treguar edhe format e torturave që iu kishin bërë në burgun e Pejës.

“Forma parë e torturës ishte shuplaka fytyrës, gjaku menjëherë për hune, pastaj me palicë, këmbë, durë kur e panë që nuk mundnin me nxirr asgjë, thojshin qe shoqja jote ka pranu kështu kështu…u dashke sa më pak me folë, kërkojshin nga ne me tregu bashkëpunim dhe a e njohim njëra-tjetrën.”

Më vonë kishte edhe tortura të tjera, siç rrëfen Kelmendi, me rrymë, me ujë, “na kan çu poshtë në podrum me minj, na kanë mbajtë një natë aty, torturë pas torture u lodhke njëri, vike tjetri.”

E pasi qëllimi ishte i mirë, Kelmendi thotë se kjo ishte arsyeja pse nuk ndaluan asnjëherë e nuk u dorëzuan.

E torturat më të mëdha ajo thotë se ia bënë, Demë Muja, Xheladin Beqiri dhe Malush-i (të cilit nuk ia kujton mbiemrin).

“Te unë torturat më të mëdhaja i ka bërë Demë Muja, Xheladin Beqiri dhe Malushi që nuk ia di mbiemrin, por e di që është i Strellcit.”

Ndërsa udbashi, Jakup Llonçari, thotë se nuk e torturoi atë, por bashkëmoshataret e saja po.

Ndërsa, pasi i kishin dërguar në burgun e Mitrovicës, Kelmendi tregon që drejtor i burgut ka qenë Sherafedin Ajeti, të cilin e quan “dorë të djathtë të udbashëve”.

Në dhomë të burgut në Mitrovicë ajo ka thënë se gjeti edhe Teuta Hadrin, gjithashtu e burgosur politike e cila ishte mjeke me profesion.

“Na ka ndihmu shumë, na ka ndihmu me shërimin e plagëve” në kushte burgu.

“Udbash ka qenë drejtori i burgut, Sherafedin Ajeti që nuk jeton më. Ai ka qenë dora e djathtë e tyre… ai o sjellë shumë keq me neve,” ka rrëfyer Kelmendi.

Ajo ka thënë se edhe gjatë vizitave të familjarëve, drita nga ana e të burgosurve të cilët i ndante grila, ka qenë e ndalur, vetëm që mos të shihen lëndimet e tyre.

Torturat ndaj Kelmendit dhe shoqeve dhe shokëve të grupit të saj, ajo ka thënë se kanë zgjatur për 2-3 muaj rresht.

“Për çdo ditë si me hangër mengjes i kemi pasur torturat… nga maltretimet s’mundeshim me nxanë as drekën, ndërsa darkën nuk mundeshim, pasi që duart i kishim të ajta”.

Përballja me udbashët në liri

Pas vuajtjes së dënimit, me rastin e lajmrimit në “sup” [polici] në Pejë, ajo ka thënë se ishte takuar me Demë Mujën, i cili e ka “këshillua” se si duhet të sillet në liri.

Ajo ka thënë se ishte përcjellë edhe për “shumë kohë” nga UDB-ja.

Kelmendi ka thënë se udbashët i kishte rastisur edhe në rrugë pas burgut, vite më vonë, për të cilët ajo thotë se mllefi ndaj tyre është shumë i madh.

“Jakup Llonçarin e kom taku edhe Malushin vetëm në rrugë e kam parë… Ukë Muçën gjyqtarin e kam parë në Istog… i thash burrit du me u çu me i thënë a po më njeh, ka qenë kjo pas luftës… por e lashë, ia ktheva shpinën”.

“Është edhe Mehmet Loci, e kam taku gjatë torturave, por te unë veç ka hy dhe ka dalë, se krejtve nuk ua kemi ditë emrat… nuk e kam taku pas luftës as nuk e njoh,” ka rrëfyer ndër të tjera ish-e burgosura politike, Hidajete Kelmendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka deklaruar se…