Shpërthime të fuqishme në bazat ajrore ruse, sulmojnë ukrainasit

14 gusht 2024 | 08:39

Ukrainasit pretendojnë se gjatë natës së kaluar kanë kryer një sulm masiv mbi objektivat në Rusi, derisa Kremlini pretendon se ka arritur të shkatërrojë 117 dronë dhe katër raketa.

Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, mbrojtja kundërajrore rrëzoi 37 dronë dhe katër raketa mbi rajonin e Kurskut, 37 tjerë në Voronezh, 17 në Belgorod, 11 në Nizhny  Novgorod, nëntë në Volgograd, tre në Bryansk, dy në Oryol dhe një në Rostov, transmeton Telegrafi.

Është konfirmuar se bëhet fjalë për sulmin më të madh me dronë të realizuar nga ukrainasit në tokën ruse. E sulmi i dytë më i madh në atë territor konsiderohet të jetë kryer në maj.

Në kanalet e ndryshme ruse në Telegram, dëgjohen shpërthime të fuqishme në fshatin Savasleyka të rajonit Nizhny, ku edhe gjendet një bazë ajrore rreth 650 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Aeroplanët luftarakë rusë janë të stacionuar në bazën Savasleyka, përfshirë fluturaket MiG-31K si dhe raketat Kinzhal me të cilat Rusia pothuajse çdo ditë sulmon Ukrainën.

Shpërthime janë raportuar edhe në Borisoglebsk të rajonit Voronezh, ku një bazë tjetër ajrore ruse gjendet. Gleb Nikitin, guvernatori i rajonit Nizhny Novgorod si dhe ai i Voronezhit, Alexandr Gusev kanë konfirmuar sulmet me dronë në rajonet ruse. /Telegrafi/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gobekli Tepe në Turqi është një nga vendet më të…