Musmurati e PDK-së: Edhe sivjet, Qeveria Kurti po i lë nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor

14 gusht 2024 | 15:21

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besianë Musmurati ka kritikuar Qeverinë Kurti për shkak se po i lë sërish nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor.

Musmurati, në një konferencë për media, tha se njoftimi i djeshëm nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci se librat do të blihen njëlloj si vitin e kaluar është shenjë se 1 Shtatori përsëri do të fillojë me kaos, konfuzion, e pa libra shkollorë.

“Ky është shtatori i tretë me radhë që na gjen me kriza në arsim. Grevat e mësimdhënësve në 2022, mungesa e librave në 2023, dhe siç po duket prapë mungesa e librave në 2024. Pra fatkeqësisht, çdo shtator po e gjen Qeverinë e Kosoves dhe Ministren Nagavci të papërgatitur. Përderisa rezultatet e testit PISA na kanë alarmuar, Ministrja Nagavci ka vendosë me vazhdu eksperimentimin e saj të pakuptimtë, për mos sigurimin e librave shkollore ne kohe. Në vend se të bëjmë hapa para me reformë strukturore, Ministrja Nagavci po na kthen mbrapa me vendime të gabuara. Pra, edhe njëherë nxënësit e klasëve 1 deri në klasën e 9-të do të fillojnë vitin pa libra”, theksoi ajo.

Musmurati tha se Qeveria Kurti po i shpenzon mbi 20 milionë euro për blerje të librave të njëjtë që në vitin 2017 janë blerë me rreth 3.5 milionë euro, për mbi 100 mijë nxënës më shumë se tani, e ministres Nagavci nuk po i bëhet vonë, sepse eksperimentet që rezultuan të gabuara, po i përsëritë qëllimshëm prapë.

“Ministrja na tregoi që janë 218 mijë nxënës që do të subvencionohen me nga 80 apo 110 euro. Nëse e marrim një mesatare që çdo nxënës do të subvencionohet me nga 95 euro, atëherë i bie që buxhetit të shtetit do ti kushtojë 20 milionë e 776 mijë mije euro pajisja me libra. Pra edhe vonë, edhe gati tre fish më shtrenjtë se nga vitet e kaluara. Për shembull, librin e abetares, me shumicë Ministria me herët e ka blerë me rreth 7 euro, kurse vitin e kaluar prindërit në librari e kanë blerë me rreth 11 euro. Kjo do të thotë për çdo abetare të blerë, prindërit e kanë paguar rreth 4 euro më shumë. Dhe dje prapë na u tha, qe kjo praktikë e dëmshme do të vazhdojë edhe sivjet”, tha ajo.

Sipas Musmuratit, vitin e kaluar Qeveria Kurti e privoi arsimin nga projekti i digjitalizimit, duke i shfrytëzuar fondet e dedikuara për këtë proces për të mbuluar subvencionimin e librave.

“Vitin e kaluar, për të mbuluar koston shtesë të rreth 8 milionë eurove për subvencionim, Qeveria i mori fondet nga projekti për digjitalizim të arsimit. Pra, për me ble libra ma shtrejtë, Ministria e Arsimit e sakrifikoi digjitalizimin. Çfarë projekti do të ndalin sivjet për me ble libra që ju kushtojnë më shtrenjtë?”, theksoi ajo.

Musmurati theksoi se ka pasur nxënës që për dy gjysëmvjetorë shkollorë u kanë munguar disa nga librat.

“Për më tepër, në një moment edhe u tha se rimbursimet e fundit të prindërve për vitin e kaluar janë bërë në maj të këtij viti. Pra, mund të konkludojmë që ka pasur nxënës që, që nga shtatori deri në maj, pra një muaj para se të përfundojë mësimi nuk ka pasur fare libra” , shtoi ajo.

Musmurati tha se vitin e ardhshëm, në qeverisjen e PDK-së, furnizimi me libra nuk do të jetë më temë e 1 Shtatorit, sepse digjitalizimin i proceseve në arsim do të vendoset në shërbim të nxënësve.

“Në mënyrë që te sigurohemi qe ky keqmenaxhim i parasë publike nuk përsëritet më dhe mungesa e orëve mësimore ndalet, komisioni hetimor parlamentar duhet të kryej punën e vet pa ndërhyrje politike të partisë në pushtet sa me shpejtë dhe organet e drejtësisë te përfundojnë hetimet njëherë e mirë. Lajmi i vetëm i mirë në krejt këtë mes, e që na jep shprese për të ardhmen, është që veçse jemi në prag të zgjedhjeve të reja. Arbërie Nagavci nuk duhet të jetë më Ministre e Arsimit nga viti tjetër.  Qytetaret tanë do të mund të përjetojnë dallimin e mendësisë në qeverisje me ardhjen e Bedri Hamzës dhe ekipit të tij në krye të shtetit”, përfundoi ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se gjatë javëve…