Arrihet marrëveshje mes deputetëve të PDK’së e LVV’së për përleshjen fizike në Kuvendin e Kosovës

14 gusht 2024 | 21:30

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ministrat e Qeverisë Kurti kanë arritur marrëveshje lidhur me përleshjen fizike që kishin pasur në Kuvendin e Kosovës, në korrik të vitit të kaluar.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i deputetit të PDK’së, Bekim Haxhiut, Ardian Megjani, i cili tha se marrëveshja tashmë është dorëzuar tek gjykata dhe se tutje do të procedohet me hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale.

“Pas seancave dhe negociatave në procedurën gjyqësore dhe të ndërmjetësimit, është përfunduar me sukses procedura e çështjes penale, lidhur me ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, të datës 13.07.2023. Marrëveshja e nënshkruar në mes të palëve është dorëzuar tek gjykata, dhe, e njëjta ka fuqinë përmbaruese, duke proceduar tutje me aprovim, hudhje të aktakuzës, dhe pushim të procedurës penale. Përgëzime për të gjitha palët e përfshiera në këtë procedurë, përfshirë gjykatën dhe prokurorinë për qasjen konstruktive!”, ka shkruar Megjani.

Ndryshe, një përleshje fizike kishte ndodhur në Kuvendin e Kosovës më 13 korrik të vitit të kaluar.

Të përfshirë në këtë përleshje kanë qenë deputetët e PDK’së, Mërgim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa, derisa nga Qeveria zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri Hekuran Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Muhamet Kajtazi është…