Qendra është rikthyer… dhe mund t’i mposhtë populizmat

15 gusht 2024 | 08:34

Rruga e Tretë e Tony Blairit, por edhe realizmi i ish-kryebashkiakut të Nju-Jorkut, Bloomberg, plus përpjekjet franceze dhe italiane: të gjitha shenjat se ka hapësirë. Dhe do të jetë sërish vendimtare nëse ajo gjen udhëheqje (dhe guxim).

“Unë kurrë nuk i kam dhënë shumë rëndësi etiketave. Kqm punuar ngushtë dhe në mënyrë produktive me demokratë, të pavarur dhe republikanë. Mendoj se nuk më dëmtoi që isha demokrat, republikan dhe i pavarur. Asnjë parti nuk ka monopol mbi idetë e mira”, thotë Michael Bloomberg. “Udhëheqësit e qendrës mund të tregojnë pavarësi nga platformat partiake dhe kështu të fitojnë besimin e votuesve: është një nga avantazhet e mëdha të të qenit në qendër”. Fjalët e ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, i cili në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 kishte investuar (pa sukses) gjysmë miliardë dollarë për të fituar kandidimin e Demokratëve, mund të duken anakronike në këtë epokë populizmi dhe polarizimi, e dominuar nga thirrmat sociale që e vështirësojnë ndërtimin e konsensusit rreth pozicioneve të moderuara.

Megjithatë, ka nga ata që argumentojnë se një vëmendje e rikthyer tek qendra e spektrit politik mund të jetë busull për lundrimin në ujërat e trazuara të kohës sonë, një kohë e mbytur nga konfliktet, ndryshimet klimatike dhe pabarazitë ekonomike. Kështu shkruan Yair Zivan, këshilltar i ish-kryeministrit centrist të Izraelit, Yair Lapid, tani në opozitë, në librin e tij “The Center Must Hold”. Zivan thekson se centrizmi është një forcë thelbësore politike dhe për të shpjeguar rëndësinë e tij, ai mbështetet në fjalët e disa prej centristëve më të njohur të kësaj epoke: vetë Bloomberg, por edhe Matteo Renzi dhe Sandro Gozi në Itali dhe, padyshim, Tony Blair, i cili në vitin 1996 me Rrugën e Tretë dukej se kishte hapur një epokë të re për centrizmin.

Ish-kryeministri britanik ishte arkitekti i “New Labour”, një vizion i rinovuar dhe i moderuar i Partisë Laburiste, i cili kombinoi politikat sociale progresive me menaxhimin e kujdesshëm ekonomik dhe që i dha atij konsensus të gjerë global. Deri në atë pikë sa The Guardian shkroi: “Blair e ka bërë të ftohtë centrizmin”. Në mënyrë më pragmatike, ish-kryeministri i Downing Street e ka centrizmin jo vetëm një domosdoshmëri politike,” shkruan Economist, “por një përgjegjësi morale për të ruajtur demokracinë dhe stabilitetin social. Partitë e qendrës duhet të demonstrojnë se mund të ofrojnë stabilitet dhe ndryshim, duke siguruar dhe frymëzuar në të njëjtën kohë votuesit.”

Sloganet

Shkurt, sfida e centristëve bashkëkohorë është e vështirë: duhet t’i rezistojnë tundimit për të ndjekur parullat e lehta të populistëve, duke ruajtur në të njëjtën kohë aftësinë për të folur me zemrën e elektoratit. Kjo është paksa si ajo që Joe Biden u përpoq të bënte në Shtetet e Bashkuara, i përshkruar shpesh si një centrist i moderuar, i aftë për të gjetur një kompromis midis dy palëve të barrikadës politike, ai u përpoq të merrej me krizat e mëdha që ndeshi kur hyri në Shtëpinë e Bardhë – në veçanti ato klimatike dhe ekonomike – me Build Back Better, planin ambicioz që u bë ligj në nëntor 2021, i cili premtoi investime masive në energjinë e rinovueshme duke mbajtur një sy te punëtorët në sektorët tradicionalë. Qasja e administratës Biden në fund reflekton filozofinë e mbështetur nga Zivani: kërko progres, por pa lënë pas askënd. Tani, shkruan New York Times, «për Kamala Harris sfida do të jetë pikërisht ajo e mbajtjes së koalicionit demokrat të bashkuar pa e tjetërsuar qendrën». Është kjo edhe receta e Keir Starmer, i cili i ktheu laburistët në qeveri pas 14 vjetësh dominimi të pandërprerë të konservatorëve: duke u çliruar nga histeria ideologjike dhe ofruar zgjidhje pragmatike.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të flasim gjithmonë për të njëjtat, probleme pa i zgjidhur ato”, tha dikur Renzi, themeluesi i Italia Viva, i cili në Itali punoi për të thyer modelin e vjetër djathtas-majtas dhe u përpoq të manovrojë nga qendra.

Në Francë, Emmanuel Macron e ka bërë “en même temps” – përpjekjen për të pajtuar kërkesat e ndryshme duke kapërcyer ndarjet tradicionale – busullën e tij politike. Megjithatë, gjetja e ekuilibrit të duhur nuk ka qenë e kollajtë dhe këtë vit presidenti ka arritur në pikën e llogaridhënies. Francezët u hodhën djathtas, në zgjedhjet europiane dhe në raundin e parë të zgjedhjeve legjislative, por në raundin e dytë, u kthyen fort majtas dhe, në fund, u gjendën në qendër.

Kjo sepse qendra, shkruan Zivan në librin e tij, «është e vetmja forcë e aftë për të ndërtuar koalicione të gjera dhe të qëndrueshme për të përballuar sfidat globale. Pa qendrën, ne rrezikojmë të mbetemi të paralizuar mes ekstremizmave”. Siç argumentojnë Renzi dhe Gozi, «centrizmi është bastioni i fundit kundër ekstremizmit: ai synon të bashkojë më shumë aktorë politikë dhe të nxisë një kulturë kompromisi. Në këtë mënyrë ne mund të kapërcejmë ndarjet tradicionale që nuk korrespondojnë më me sfidat dhe nevojat e shoqërive tona”.

Reforma

Ajo që nevojitet është një “centrizëm i guximshëm”, shkruan Zivan, një projekt i aftë të propozojë reforma të guximshme duke ruajtur një qasje pragmatike. Nëse nga njëra anë polarizimi, fragmentimi i informacionit dhe sfidat globale e komplikojnë zhvendosjen në qendër, nga ana tjetër mund të përfundojnë duke e bërë të nevojshme: mund të shndërrohet në një forcë të aftë për të kundërshtuar dezinformimin dhe për të promovuar një debat të bazuar në fakte. Në fund të fundit, siç shkruan opinionisti i New York Times, Tom Friedman, «qendra nuk ka vdekur. Thjesht pret liderë të aftë për ta rishpikur atë për shekullin e 21-të”. / bota.al

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat lidhur me…