Socialiteti dhe shoqëria e vogël digjitale

15 gusht 2024 | 08:49

Nga: Gëzim Tushi

Nuk ka qenë e paparashikuar, që në procesin e zhvillimit modern, shoqëria shqiptare do të përballej në mënyrë të pashmangshme me “teknologjinë dixhitale” me disa efekte, prirje, tendenca e determinime sociale të natyrshme dhe të panatyrshme, por që janë tipikisht ontologjike për kohën, natyrën universale e tendencat unike e të pakthyeshme globaliste. Në këtë kontekst një nga komponentët dukshëm thelbësor, me potencë ndikuese polivalente është zgjerimi i statusit social të përdorimit në jetën e përditshme individuale, profesionale e sociale të internetit dhe rrjeteve sociale. Efektet e të cilave janë të dyanshme dhe ndikim mbi zhvillimin e personalitetit të ndryshuar të individit, por dhe me reperkursione të gjëra, intensive në ndryshimet që po ndodhin në transformimin e strukturës, rolit dhe funksioneve të shoqërisë.

Është fakt fare evident, që interneti dhe zgjerimi i përdorimit të rrjeteve të komunikimit social ka sjellë ndryshime, transformime, të cilat pa ekuivok mund të themi se janë shoqëruar në mënyrë të pashmangshme me “përmbysje” të formave të vjetra, klasike, tradicionale, etike të mënyrës së lidhjeve e marrëdhënieve të njerëzve tanë me “veten” dhe shoqërinë. Dukuri sociale që janë dominante, qoftë në raportet e njerëzve tanë me njëri-tjetrin apo shoqërinë në tërësi.

Ky raport i fundit i njeriut me shoqërinë, është bërë shqetësues, turbulent, i paqartë. Besoj se edhe filozofikisht dhe në pikëpamje sociale i diskutueshëm. Është e vërtetë që interneti dhe rrjetet sociale, me gjithë inercinë e kontekstit tonë, ndikimet frenuese etike e sociale të njohura të së kaluarës kolektive e supersociale, tani ato janë kthyer në faktorë teknologjikë me shtrirje masive, me dimensione të një akseleratori social, që ka marrë forcën e është kthyer në burim transformimesh të natyrshme, të pashmangshme të këtyre raporteve edhe në Shqipëri.

Madje, për shkak të nivelit të lartë të shfrytëzimit dhe intensitetit demografik të lundrimit social në këto rrjete, këto procese të raporteve “individ-shoqëri” po ndryshojnë me ritme të përshpejtuara. Madje, edhe me shumë se në vendet e rajonit dhe Europës. Të cilat kanë dhënë pasoja tipikisht adekuate, që shfaqen dukshëm, me efekte të drejtpërdrejta e të tërthorta, në ndryshimin e sjelljes individuale dhe sidomos në raportet e tyre me strukturat themelore të jetës sociale e komunitare. Kjo situatë duhet vlerësuar me kujdes sociologjikisht, duke e parë atë përtej aspekteve që lidhen me ndikimet e shfaqjes sociale, të procesit gjithëpërfshirës të një lloj “determinimi teknologjik” mbi individin dhe shoqërinë si dhe në marrëdhëniet reciproke midis tyre. Ato tashmë nuk janë sikurse kanë qenë më parë dhe nuk do të jenë më kurrë ashtu sikurse kanë qenë në shoqërinë shqiptare tradicionale. Prania, ndikimi, interferenca polivalente e teknologjisë, internetit dhe rrjeteve sociale, janë kthyer në faktorë dinamikë, me fuqi ndryshuese të paimagjinueshme tri dekada më parë. Kjo do të thotë, që vlerësimet individuale dhe optika e gjerë sociale duhet të nisen nga fakti, që gjërat janë ndërlikuar, janë bërë më të thella dhe impaktet e ndryshimeve janë në zgjerim gjithëpërfshirës. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme, që përtej statistikave dhe anës empirike të raporteve të njeriut me internetin, duhet të sjellim një debat të gjerë e thelbësor filozofik e social, si reagim dhe mënyrë adekuate e vlerësimit objektiv, pa gjykime të deformuara e paragjykime të sjellja nga paradigmat, arketipat e vjetër të lidhjeve sociale midis njeriut dhe shoqërisë..

Pra, duhet dhe është e mundur dhe e domosdoshme, që për t’u përgjigjur sfidave të reja të ndikimit të teknologjisë në lidhjet dhe marrëdhëniet e individit me shoqërinë, të bëjmë analiza, të kontribuojmë për të gjetur dhe siguruar raporte të reja reale dhe ekzistenciale, për të rivlerësuar ndryshimet e interferuara sociale në “kohën teknologjike”. Sidomos për të pasur një këndshikim modern për efektet pozitive, kundërefektet negative dhe pasojat e këtyre raporteve të “përmbysura” të njeriut, në lidhjet e tij të determinuara me teknologjinë dhe nevojën e koherencës për të pasur lidhje e marrëdhënie koherente me strukturat e natyrshme e të pashmangshme të jetës sociale. Në fakt duhet pranuar, që me gjithë përpjekjet herë me natyrë spontane e sporadike e herë shkencërisht timide, akoma nuk ka analiza të thelluara, të integruara të këtyre raporteve të reja njeriteknologji-shoqëri.

Mungojnë debatet profesionalisht të pushtetshme, kompetente e konsistente për parë jo “enblock”, por “a la page”, efektet dhe kundërefektet e internetit, komunikimit virtual dhe rrjeteve sociale, për rolin e informacionit dhe komunikimit social në ndryshimet thelbësore që kanë sjellë në ristrukturimin e shoqërisë, në procesin e kalimit të saj nga një shoqëri me marrëdhënie të “ngurta”, raporte “fikse” midis individit dhe shoqërisë, në situatën e re kur ekuacioni i ndikimeve reciproke ontologjike të shoqërisë me teknologjinë, kanë ndryshuar në favor të kësaj të fundit. Në këto kushte është imperative, kusht i domosdoshëm shikimi gjërave me optikë të re, duke u larguar nga koncepti thjeshtëzues, logjika sempliste prej “struci”, që vetëm na pengon për të kuptuar ndryshimet që po ndodhin në marrëdhëniet e njeriut me veten dhe shoqërinë.

Urgjenca e reflektimeve adekuate është e lidhur me faktin, se ndodhemi në kushtet kur ky problem i ndërlikuar social, është jo vetëm i paneglizhueshëm për rregullimin e raporteve të reja individ, teknologji, shoqëri, por është edhe shqetësim ontologjik serioz e funksional, i madh në dimensione e me peshë sociale kruciale. Vetëm injorantët, ata që jetojnë të mbyllur në guaskën e ngushtë të jetës empirike, nuk e kuptojnë që kjo çështje nuk është thjesht problem teorik, apo “sfidë luksoze” e fenomenologjisë së modernitetit social, e shfaqur thjesht si fakt në përbërjen tërësore të paradigmave të jetës dhe sociologjisë moderne.

Tashmë jemi në situata të reja, kur interneti dhe sitet elektronike janë kthyer nga element teknologjik, në faktor shtesë për shfaqjen dhe përshpejtimin e individualizmit ekstrem. Jo vetëm në tipologjinë e ndryshuar në lidhjet dhe marrëdhëniet e njerëzve midis tyre, por sidomos me ndryshimin e “instrumenteve” të marrëdhënieve me strukturat e jetës sociale. Si kurrë më parë, teknologjia ka interferuar thellë në këto marrëdhënie, ka krijuar situatë të re sociale, ku çdo individ kërkon të shfaqet njëherësh “unik” dhe “universal” në shoqëri. Teknologjia ka sjellë mundësitë e padyshimta, por shoqëruar edhe iluzionin po aq të padyshimtë tek nevoja e njeriut për të qenë i ndarë nga shoqëria reale, i personalizuar në botën e vet subjektive dhe lidhjet virtuale, duke menduar se kështu mund të jetë “individualitet” dhe personalitet, që shfaqet në shoqërinë virtuale me praninë e mendimit, dëshirave dhe shijet e veta. Këtë përpiqet ta bëjë realitet përmes lidhjeve, kontakteve dhe strukturave të shfaqjes së dukurisë postmoderne dhe posteknologjike të “socializimit elektronik”.

Situata në shoqërinë tonë nuk është ndryshe nga realitetet europiane dhe shoqëria globale. Jetojmë në një realitet dhe brenda një shoqërie që për fat të mirë është nga përdoruesit e gjerë të internetit dhe rrjeteve sociale, e dalluar në nivel ballkanik e europian. Kjo është “ana e ndritur” e medaljes, fakt konkret, realitet social që na bën krenar. Interneti dhe rrjetet sociale brenda një kohe të shkurtër, janë bërë ontologjikisht një realitet social në zgjerim që ka filluar të shfaqet si “botë më vete”, duke zgjeruar realitetet psikosociale, hapësirat komunikative virtuale. Por, shoqëria jonë po përballet edhe me “andrrallat” e kësaj bote virtuale në zgjerim, ku janë evidente ndikimet kontroversale në lidhjet dhe marrëdhëniet individuale dhe në pasojat kontradiktore sociale. Kjo dikotomi është pjesë e “përfitimeve shtesë”, por edhe e shqetësimeve në rritje. Gjërat tashmë kanë marrë karakter serioz dhe kanë ndikime polivalente, me pasoja sociale kontroversale, që nga rritja dhe edukimi i fëmijëve, zgjerimi vanitetit social, shtimi agresivitetit kibernetik, bullizmit, vojerizmit dhe shumë sjelljeve asociale, efektet negative të të cilëve janë tejet evidente. Padyshim duhen njohur shkaqet, arsyet e këtij realiteti, që po bëhet dukuri masive, prirje dominante në lidhjet virdukuri masive, prirje dominante në lidhjet virtuale dhe marrëdhëniet njerëzore jopersonale.

Sociologët e komunikimit social mendojnë se kjo prirje përveç anës së ndikimeve integrale të jetës postmoderne, është e lidhur me faktin se lidhjet konkrete fizike, të personalizuara po reduktohen për shkak të ndikimit të prirjes individualiste të njeriut, i cili jeton gjithnjë e më shumë në shoqërinë e “rrethuar nga indiferentizmi social”, sjelljet evidente agresive, shoqërisht armiqësore. Duket qartë që dominimi lidhjeve virtuale mbi ato reale, po i jep sputo krijimit të fizionomisë së “njeriut abstrakt”, të mbyllur në vetvete, me sa më pak lidhje e marrëdhënie sociale reale (jo thjesht virtuale). Ky proces i “qendërzimit tek individi”, idolatrizimi i lidhjeve, komunikimit virtual përveç kollajllëkut të interferimit të informacionit interpersonal, është bërë një mënyrë e ndërtimit të komuniteteve të një “lloji të veçantë”, që për shkak të prirjeve indiferente, individualiste, marrëdhëniet sociale po “ngushtohen”, komunitetet reale janë bërë më të vështira të ndërtohen dhe funksionojnë si dikur, me njeriun e pranishëm si “qenie sociale” dhe fizikisht në realitetet e vërteta, ku duhet edhe sot të jetojnë njerëzit tanë.

Sepse pikëpamjen sociale, kjo teknologji ka sjellë pasoja në strukturën e lidhjeve sociale e shoqërizimit human, sepse njerëzit janë më shumë të lidhur dhe presin nga teknologjia se sa nga lidhjet me njëri-tjetrin. Sociologët mendojnë se diskutimet për raportet e njeriut dhe shoqërisë me internetin dhe komunikimin digjital duhet vlerësuar në mënyrë sintetike, sepse ndikimet e tij janë gjithëpërfshirëse dhe ndikojnë në ndryshimin e aftësisë së njeriut për të bërë një bisedë të vërtetë, për të pasur marrëdhënie të sinqertë me njëri-tjetrin. Sepse ndërsa lidhjet virtuale po forcohen, lidhjet e vërteta sociale midis njerëzve janë duke u copëtuar, deri në nivele të skajshme të shfaqjes së njeriut të vetmuar, të vetëmjaftueshëm, me lidhje të personalizuara virtualisht. Sociologët me të drejtë mendojnë se “Interneti luan para së gjithash rolin e vitrinës dhe vendit të rekrutimit” social, ku shpesh krijohen komunitete virtuale të përbërë nga grumbull individësh të rastësishëm, që janë pa lidhje ndërmjet tyre dhe për pasojë edhe jashtë shoqërisë reale”.

Padyshim nuk mund të ndodhte ndryshe me njerëzit dhe shoqërinë tonë. Interneti dhe marrëdhëniet e njerëzve tanë me të, duket se i ka bërë gjithnjë e më anësore marrëdhëniet sociale, lidhjet me mjedisin real. Madje, edhe pse në pamje të parë duket sikur jemi me mundësi më të gjëra, për të qenë më të lidhur me njëri-tjetrin dhe shoqërinë, ky është një realitet që nuk po ndikon për ndërtimin dhe funksionimin e “komuniteteve reale”, të llojeve dhe natyrave të ndryshme. Lidhjet e njerëzve përmes internetin kanë meritën formale, shërbejnë për krijimin në mungesë të komuniteteve dhe “hapësirave reale”, të “hapësirave virtualisht zëvendësuese”. Nuk do ishte e drejtë apo shoqërisht utilitare të mendojmë, se ky është realiteti që i përgjigjet në mënyrë adekuate kohës dhe “universit të komunikimit normativ”, që lidhet në mënyrë të njëanshme vetëm me individualizimin e mënyrës së të jetuarit … Mbase duhet reflektuar pak më ndryshe dhe në mënyrën e duhur …

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Enkeleda Suti Në vitet 1800, shumica e pikturave ishin…