Rusët e zemëruar që po i ikin me shpejtësi avancimit ukrainas në Kursk

15 gusht 2024 | 11:23

Një burrë rus ka refuzuar të largohet prej shtëpisë së tij në rajonin kufitar, deri në momentin kur është goditur me lëndë shpërthyese, dhe më pas ai dhe gruaja e tij kanë ikur me makinën e fqinjit.

Një tjetër rus nuk ka pranuar të evakuohet, por është zvarritur më pas nëpër fushë për dy ditë, në tentim e sipër për t’iu ikur minave fushore dhe dronëve ajrorë në rajonin Kursk.

Një tjetër grua ka dënesur teksa ka qenë duke pritur në një pikë humanitare në Kursk.

“Sinqerisht jam shumë i befasuar me atë që po ndodh. Në fillim nuk braktisëm vendin, mirëpo këtu janë zënë mijëra ushtarë rusë dhe territori rus tani është i pushtuar”, ka thënë mekaniku Misha, 35-vjeçar, duke folur jashtë një qendre për shpërndarje të ndihmave.

“Nuk e kam pritur këtë kur ka nisur lufta”.

Tetë ditë pas nisjes së inkursionit – më të madhit në territorin rus prej Luftës së Dytë Botërore – forcat ushtarake të Ukrainës po vazhdojnë të zgjerojnë operacionet e tyre në rajonin jugperëndimor të Kurskut, i cili shtrihet më shumë se 150 kilometra në kufi me Ukrainën.

Gati 1.000 kilometra katrorë të tokës ruse besohet se kanë qenë nën kontrollin e ushtrisë ukrainase deri më 14 gusht, ndërsa ushtria dhe forcat ruse është raportuar se nuk kanë arritur t’i zmbrapsin avancimet e ukrainasve.

Autoritetet civile është raportuar të kenë pasur vështirësi në menaxhim të personave të evakuuar, apo të atyre që kanë ikur prej shtëpive të tyre.

Rreth 120.000 njerëz është thënë se kanë ikur si pasojë e avancimeve ukrainase, shumë prej tyre kanë përfunduar në qendrën administrative rajonale të Kurskut.

Rajoni i Kurskut i ka pasur rreth 440.000 njerëz para luftës.

Një pjesë e madhe e tyre janë të zemëruar se si zyrtarët – përfshirë edhe presidentin rus, Vladimir Putin – e kanë menaxhuar krizën.

Në një qendër për shpërndaje ndihmash në Kursk, më 9 gusht, disa grupe njerëzish – shumë prej tyre të evakuuar – janë parë duke tentuar të marrin ndihmat e shpërndara prej vullnetarëve, derisa forcat e sigurisë kanë tentuar të mbajnë rendin.

“Kemi mbetur në zonë konflikti në momentin e fundit”, ka thënë një grua e identifikuar vetëm si Natasha, prej fshatit Korenevo.

“Burri im nuk ka dashur të largohet, ai vetëm thoshte, ‘Kjo është shtëpia ime, unë jam burrë, une do ta mbroj’. Kemi dëgjuar zhurmën e tankeve dhe kam dalë për t’i parë. Një sekondë më vonë, nuk më ka mbetur asgjë për të mbrojtur, një raketë apo dron e ka goditur shtëpinë”.

Natasha ka thënë se ajo dhe burri i saj kanë ikur me makinë e fqinjit prej Korenovos, vendbanim rreth 28 kilometra larg kufirit.

“Edhe qielli gumëzhinte, ne udhëtuam në shpejtësi të madhe. Mbylla sytë, u shtrëngova në mbajtëse dhe kështu erdhëm deri këtu”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ajo e ka përshëndetur një fqinje që ka ikur me të në makinën e njëjtë, dhe ka nisur të qajë.

“Të gjithë janë në hall”, ka thënë Natasha, e cila ka shprehur shqetësim pse nëpër media është duke u minimizuar kriza.

“I kam dy fëmijë, më janë dhënë tre jastëkë dhe nuk pati mjaftueshëm edhe për të”, ka thënë ajo, duke iu referuar fqinjës.

“Më pas, në mbrëmje, ajo e ka parë në televizion që gjithçka është në rregull këtu, që ne jemi mirë dhe që “po e vërejmë mbështetjen e gjithë shtetit dhe presidentit”.

“Mbështetja e shtetit është e mjaftueshme, neve nuk na duhet mbështetja e presidentit”, ka thënë Natasha për Putinin.

Kur është pyetur të sqarojë më tepër deklaratën e vet, ajo ka thënë: “Kush është ai për ne? Shumë keq që e kemi kuptuar që nuk duhet votuar për të, vetëm pasi kanë nisur të shtënat drejt nesh”.

Jo shumë larg shihet edhe Misha, mekanik prej fshatit Boshoje Soldatskoje, 30 kilometra larg kufirit, i cili ka treguar që ditë më parë ka kërkuar ndihmë për t’u evakuuar, mirëpo ka hequr dorë pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje, dhe kështu është strehuar në një pyll të afërt.

“E kuptova që nuk do të ketë evakuim për ne, ndoshta evakuim të kamionëve që tashmë janë shkatërruar”, ka thënë Misha, që nuk ka dashur të identifikohet me mbiemër.

Në pyll ai ka parë dronë mbi kokën e tij dhe është frikësuar që mund të goditet.

“Pati mina në pyll. Të gjelbra dhe ngjyrë kafe. Më është dashur të ec shumë ngadalë. Nëse ecni mbi ndonjërën mbeteni pa këmbë dhe duhet të zvarriteni”, ka treguar ai.

“Në ditën e parë shpresoja të gjeja diçka për të ngrënë, por nuk gjeta asgjë. Në ditën e dytë i thashë vetes – do të ha bretkosa, pati rënë shi dhe pati shumë prej tyre”.

Pas gati dy ditëve, ai ka thënë se ka dëgjuar zhurmën e makinave në rrugë dhe është dërguar në Kursk.

Ai ka thënë se është i zemëruar për shkak se në nisje të luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022, autoritetet ruse kanë thënë se operacioni do të zhvillohet shpejt dhe që forcat ruse do të çlirojnë rajonin ukrainas të Donbasit – referencë për propagandën e Kremlinit që pretendon rrejshëm se Donbasi është duke u mbajtur ilegalisht i okupuar prej Qeverisë së Ukrainës.

Në fillim, ai ka thënë se “besoja që ushtria do ta çlironte shpejt Donbasin, ta inkorporonte në Rusi dhe aq. Mirëpo gjërat vetëm vazhdonin e zhvilloheshin”.

“Disa njerëz flasin për Hersonin, disa flasin për Odesan”, ka thënë ai, duke përmendur rajonet ukrainase që janë shënjestruar prej forcave ruse.

Mirëpo, për të tani është kryesore që të çlirohet Kursku.

“Shtëpia ime duhet të çlirohet tani”.

Olga, 50-vjeçare, e cila jeton në Shën Petersburg, ka thënë se nëna e saj, Lyudmila, nuk dëshiron të largohet prej shtëpisë së saj në Kursk, ndonëse zona po mbetet pa shërbime komunale.

“Nëna më thotë që pothuajse asnjë autobus dhe tramvaj nuk qarkullon – vetëm taksitë kanë mbetur. Ka edhe mungesë të ujit”, ka thënë Olga për Radion Evropa e Lirë, në një bisedë telefonike prej Shën Petersburgut.

“Nëna mendon që nuk do të ndodhë asgjë e tmerrshme”, ka thënë ajo, duke shtuar që nëna e saj mendon që situata afër kufirit – sikurse në qytezën Sudzha, që tani e kontrollojnë ukrainasit – nuk është aq e keqe sa po portretizohet.

“Ajo mendon që gjithçka është e ekzagjeruar për Sudzhan”, ka thënë Olga.

Ajo thotë se “ata po zmadhojnë gjithçka në internet, për të na frikësuar neve”.

Fotografi e publikuar prej Ministrisë ruse për Emergjenca, në të cilën shihen duke u evakuuar banorët e Kurskut.
Fotografi e publikuar prej Ministrisë ruse për Emergjenca, në të cilën shihen duke u evakuuar banorët e Kurskut.

Natasha, gruaja prej Korenevos, ka thënë se shumë prej atyre që janë evakuuar, janë të shqetësuar dhe të zemëruar për situatën humanitare.

“I kuptoj të gjitha… pse gjithçka po ndodh kaq keq?”, është ankuar ajo.

Ajo i ka përmendur disa hetime të korrupsionit në nivel të lartë, në muajt e fundit, që kanë shënjestruar zyrtarë të lartë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, si dhe raportimet e së kaluarës që ushtarët rusë kanë plaçkitur shtëpi ukrainase në muajt e parë të luftës, duke hyrë prej banjove.

“Gjeneralët po burgosen. Nuk i shihet fundi kësaj lufte. Duket se vetëm hajna ka në ushtrinë tonë”, ka thënë ajo.

“Ndoshta edhe rrëfimet për plaçkitje prej banjove nuk janë të rreme?”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë në qytetin e Mitrovicës është hapur festivali i artit…