Moska në alarm | Mbi 12 mijë ushtarë të Ukrainës përparojnë edhe më thellë në Rusi

15 gusht 2024 | 14:09

Rusia evakuoi mijëra persona të tjerë nga rajonet kufitare të enjten, pasi Ukraina tha se po avanconte edhe më thellë në vend, teksa vijon inkursionin më të madh të huaj në territorin sovran të Rusisë që prej luftës së dytë botërore.

Guvernatori në detyrë i Kursk, Alexei Smirnov, njoftoi se po evakuonin distriktin e Glushkov me një popullsi prej 20 mijë banorësh.

Të paktën 200 mijë vetë janë shpërngulur deri më tani nga rajonet kufitare që prej 6 gushtit kur mijëra trupa ukrainase nisën ofensivën e paprecedentë.

Presidenti Volodimir Zelenski tha të mërkurën se forcat e tij kishin avancuar edhe me disa kilometra të tjerë dhe se qëllimi për të siguruar këmbim të të burgosurve të luftës, ishte arritur.

“Shënuam përparim të rëndësishëm sot në rajonin e Kursk. Po e arrijmë qëllimin tonë strategjik”, tha Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes në Rusi tha se gjatë natës kishin rrëzuar dronë ukrainas mbi rajonin e Belgorod dhe se bombarduesit Sukhoi-34 kishin shënjestruar pozicione armike në Kursk.

Moska pretendon se shtetet perëndimore qëndrojnë pas inkursionit edhe pse vazhdimisht ato kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuara mbi planet e Ukrainës.

“Kur kam studiuar në SHBA rregulli kryesor ishte. Mos e ngacmo ariun. Dhe çfarë po bën Perëndimi sot. Po ngacmon ariun”, tha ligjvënësja ruse Maria Butina.

Autoritetet ruse kanë paralajmëruar se nëse armë perëndimore po përdoren në territorin rus, Moska do të konsiderojë një përshkallëzim të madh.

Sipas komandantit të forcave speciale ruse, Apti Alaudinov, të paktën 12 mijë ushtarë të forcave të armatosura ukrainase e po ashtu mercenarë, kanë hyrë në rajonin të Kursk.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka…