Vetëvendosje: Opozita po gënjen, vitin e kaluar për libra është shpenzuar më së paku ndonjëherë

16 gusht 2024 | 13:48

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me vendimin për subvencionimin e teksteve shkollore.

Në këtë konferencë është thënë se shifrat e opozitës për shpenzimet për vitin e kaluar janë gënjeshtra.

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, ka thënë se vitin e kaluar, shpenzimet për libra kanë qenë më të ulëtat ndonjëherë.

Sipas tij, shifrat e opozitës, se vitin e kaluar për subvencionimin e librave janë harxhuar 20 milionë euro, nuk janë të vërteta. “Ekziston një insistimi nga opozita që të gënjejë me shifrat e subvencionimit të teksteve shkollore. Kjo ka filluar të bëhet paksa e frikshme, në rast se të dhënat merren zyrtarisht nga thesari dhe thuhet se të dhënat në vitin 2023 janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekstet shkollore. Cili është insistimi që vazhdimisht të gënjejnë që po shpenzohen 11 milionë apo 20 milionë euro për tekste shkollore? Vitin e kaluar janë shpenzuar 5.7 milionë, e cila është më e ulëta deri më tani që është shpenzuar në Republikën e Kosovës. Grupi parlamentar i PDK-së në mënyrë të hapur gënjeu se po shpenzohen 20 milionë euro, kjo nuk është e vërtetë që do të shpenzohen aq për tekstet shkollore, në fakt në vitin 2023 janë tekstet vetëm për shkollimin fillor, kurse në këtë vit edhe për shkollimin fillor dhe për shkollimin e mesëm të ulët”, ka thënë Muja.

Ai ka thënë se për 212 mijë nxënës janë paraparë 13 milionë euro për të mbuluar të gjitha shpenzimet për tekstet shkollore.

“Përpos kësaj shifre Ministria e Arsimit është duke kalkuluar edhe një shifër shtesë që quhet linja materiale për tekstet shkollore, që do të thotë çanta, fletore dhe lapsa. Është linjë që nuk ka ekzistuar më herët. Pretendimi për maltretim për tekstet sipas PDK-së dhe LDK-së, fakti që prindërit do të subvencionohen dhe do të shkojnë në librari me fëmijët e tyre kjo quhet maltretim. Të qenurit pranë fëmijëve para librarive metodologjikisht është e domosdoshme në bazë të gjitha studimeve të arsimit. Angazhimi i prindërve në mënyrë të vazhdueshme është obligim dhe rekomandim për arritshmërinë e nxënësve, kjo nuk duhet të ishte maltretim. Kjo është një argument i dobët dhe ofendim për prindërit”, ka deklaruar Muja.

Ndërsa deputetja Arjeta Fejza, ka treguar arsyen e vendimit për subvencionimin e teksteve shkollore.

“Arsyet pse qeveria ka marrë një vendim të tillë për faktin që nder vite procesi i subvencionimit të teksteve shkollore është përcjellë me probleme dhe me vështirësi. Gjetje këto jo vetëm të auditorit, por edhe të Komisionit Hetimor të krijuar për subvencionim të teksteve shkollore. Keqplanifikimi, abuzime me çmime te larta, vonesë e furnizimit, stoqe të grumbulluara nëpër bodrume të shkollave janë vetëm disa nga problemet që kanë përcjellë këtë proces dhe ky vendim ka ardhur si rezultat për të shmangur keq menaxhimin. Ne jemi plotësisht të bindur që ky proces do të jetë më praktikë pasi që prindërit vetëm se i kanë hapur llogaritë dhe aplikimi nuk zgjatë më shumë se 10 minuta. Ky vendim u atakua menjëherë nga partitë opozitare ne kemi informata të bollshme se si ka shkuar proceset e librave viteve të kaluara. Opozita nuk la gjë pa thënë për këtë proces dhe krijoi një Komision Hetimor për te cilin kur pa që nuk ka asnjë gjetje filloi ta sabotojë atë vet. Ata po thonë që është një proces i vonuar, ndërkohë që harrojnë që prindërit tashmë e kanë këtë përvojë. Kemi gjetje të Komisionit Hetimor që sa herë ka pasur komunikim të duhur me DKA-në dhe shkollave dhe pastaj kur drejtoritë e shkollave kanë treguar problemet tek Ministria e Arsimit, problemi është zgjidhur brenda ditës”, ka thënë Fejza.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arianit Bytyqi nga Prishtina, shpall të pavlefshme Librezën e Edukimit…