Në sheshet e Prishtinës dhe aeroport, shpërndahen fletushka informuese për votuesit e diasporës

16 gusht 2024 | 14:53

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë të premten fletushka informuese për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se përveç shpërndarjes së fletushkave në sheshet e Prishtinës, ato janë duke u shpërndarë edhe në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe në të gjitha pikat kufitare.

Ai ka thënë se është momenti i përshtatshëm për të arritur një numër sa më të madh të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve që kanë ardhur për pushime në Kosovë.

“Meqenëse jemi në një periudhë në prag të fillimit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, pasi së shpejti pritet edhe të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, prej disa javësh Komisioni i Zgjedhjeve ka filluar disa fushata informuese për qytetarët e Republikës së Kosovës. Pasi ditë më parë kemi filluar fushatën informuese për disa nga ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, sot kemi filluar një tjetër kampanjë informuese. Së bashku me kolegët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) po shpërndajmë broshura informuese për procesin e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi, duke shtuar me anë të këtyre broshurave, diaspora do të informohet se si do të realizohet procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

“Kemi në këtë periudhë pushimesh dhe është moment i përshtatshëm për të arritur një numër sa më të madh të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve që kanë ardhur për pushime në Kosovë. Me anë të këtyre broshurave po shpërndajmë informacion se si do të realizohet procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës dhe pastaj edhe faza tjetër, që është procesi i votimit jashtë Kosovës. Përveç shpërndarjes së fletushkave apo broshurave informuese në sheshet e Prishtinës, kjo gjë po bëjnë edhe kolegët në aeroportin ‘Adem Jashari’ si dhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës”,  ka thënë Elezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është…