Presidenti i FC Kosova Dusseldorf, Bujar Neziri: Ky është një moment i rëndësishëm dhe emocionues për të gjithë ne, që e duam dhe mbështesim futbollin

17 gusht 2024 | 10:24

Gjithçka gati për edicionin e ri në Landesliga. FC Kosova Dusseldorf ndeshjen e parë në Landesliga do ta luaj të dielën në orën 15.30.FC Kosova Dusseldorf është kampion i Bezirksliga dhe tani është anëtar më i ri i Landesliga.

Skuadra shqiptare Kosova e Dusseldorfit është gati për edicionin e ri dhe synon të kthehet me rezultat pozitiv nga udhëtimi, në duel me SC Kapellen-Erft.

Kryetari i klubit FC Kosova Dusseldorf, Bujar Neziri, iu është drejtuar me një mesazh të qartë dashamirëve dhe të gjithëve në klub, para fillimit të edicionit të ri në Landesliga.

Mesazhi i plotë i presidentit të klubit:

“Të dashur bashkatdhetar, sponzorë, tifozë, futbollistë, trajnerë, përfaqësues të klubit FC Kosova Dusseldorf:

Me kënaqësi të veçantë dhe ndjenjë të thellë krenarie e përgjegjësie, ju uroj për fillimin e edicionit të ri garues në futboll që nis këtë fundjavë në Landesliga.

Ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe emocionues për të gjithë ne, që e duam dhe mbështesim futbollin – këtë sport magjik, i cili na bashkon të gjithëve në Mërgatë me FC Kosova 🇦🇱Düsseldorf.

Ky edicion premton të jetë i jashtëzakonshëm dhe përplot emocion, me FC Kosovën tashmë të dëshmuara, por edhe me të tjera që duan të bëjnë histori e të lënë gjurmë.

Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një rritje dhe zhvillimi të jashtëzakonshëm të nivelit të lojës së futbollit në Mërgatën tonë, gjë e cila ka rezultuar edhe me paraqitjet e mira në të gjitha garat.

Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë hapësirë për përmirësime, veçmas në infrastrukturë, por ky edicion presim që të vazhdojë me të njëjtën trajektore pozitive, ku klubet tona do të demonstrojnë organizim të lartë dhe do të na dhurojnë emocione pa fund.

Natyrisht se futbolli luhet për tifozët dhe ai merr hijeshi vetëm kur ata janë të pranishëm në tribunat e stadiumeve, andaj më shumë se kurrë më parë, ata, duhet ta shfaqin dashurinë për klubet e tyre të zemrës me praninë në tribuna dhe t’u japin kurajë e motiv futbollistëve për të dhënë më të mirën e tyre.

Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj të gjithë atyre që kontribuojnë në rritjen e futbollit në Mërgatë; futbollistët, që japin gjithçka në fushë, trajnerët që punojnë me përkushtim për t’i përmirësuar skuadrat e tyre dhe nivelin e futbollit në vendin tonë, drejtuesit e klubeve që nuk kursejnë asgjë për t’u krijuar kushte sa më të mira si dhe tifozët që mbështesin skuadrat e zemrës me entuziazëm.

Pa angazhimin dhe pasionin e gjithsecilit prej tyre, futbolli nuk do të ishte sporti më i dashur për të gjithë”, ka shkruar Bujar Neziri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kroacia…