Rreziku rus dhe objektivat e ideologjisë pansllaviste

19 gusht 2024 | 11:46

“George F. Kenan: Memoare 1925 – 1950” (1 – 2)

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

George F. Kenan i kishte takuar plejadës së intelektualëve amerikanë të cilët, gjithnjë kishin kërkuar qasje më fleksibile politike të ShBA-ve në rrjedhat e politikës botërore në vitet e para të Luftës së Ftohtë.

Ai kishte specializuar për të ashtuquajturën “ çështje, hapësirën ruse”. Në vitin 1933 kishte shkuar në Moskë si anëtar i ekipit të Bullitit. Ishte dëshmitar i spastrimeve të mëdha të Stalinit, personalisht në Pragë kishte përjetuar hyrjen e trupave të Hitlerit dhe okupimin  e Çekosllovakisë, kurse në Berlin  atë e gjen shpallja e luftës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e Hitlerit. Nga viti 1944 deri në vitin 1946 sërish ishte në mision diplomatik në ambasadën amerikane në Moskë, si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ambasadorit Harriman.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Stalini e impononte Rendin e Ri Botëror, i cili në esencë ishte “pansllavizimi, i përforcuar nga ideologjia komuniste”. Stalini, veçmas pas Konferencës  së Postdamit po impononte vullnetin e tij në Evropën Lindore, ndërkohë që e hodhi poshtë bashkëpunimin e pasluftës me ShBA-të.

Derisa qarqet më të larta politike në Uashington shqyrtonin raportet me Bashkimin Sovjetik, me qëllim që të eventualisht të kundërshtonin ekspansionin sovjetik, George F. Kenan, aso kohe diplomat relativisht i ri në ambasadën amerikane në Moskë e kishte dërguar një raport diplomatik nga Moska i cili raport ndikoi në riformulimin e pikëpamjeve të administratës amerikane për zhvillimet në botë. Ai raport, më vonë u bë i njohur në historinë e diplomacisë së jashtme amerikane si “Telegrami i Gjatë”. (George F. Kenan, “Long Telegram” nga Moska, 22 shkurt 1946, në Foreign Relations of the United State, 1946 (Uashington, D. C.: U. S. Goverment Printing Office, 1969 ) vëll. VI, f. 666 – 709

Kenan, sipas vlerësimeve të Henry Kissingerit ishte i mendimit se “Shtetet e Bashkuara duhet të pushonin së bëri veten me faj për papajtueshmërinë sovjetike; rrënjët e politikës së jashtme sovjetike janë thellë në vetë sistemin sovjetik”. Pra, Kenan, siç do të shihet edhe nga fragmentet kryesore, të raportit të datës 22 shkurt 1946 argumentonte se, “ politika e jashtme sovjetike ishte një amalgamë e dëshirës ideologjike komuniste me ekspansionizmin e vjetërsuar carist”. Kenan ngulte në qëndrimin se “në konceptin e botës, Stalini në zemër kishte ideologjinë komuniste. Stalini, vendet perëndimore  i shihte si armiq të pandreqshëm”. Ndërkaq në takimin (1945) me disidentin jugosllav, Milovan Gjilas, Stalini tekstualisht i kishte thënë” Në qoftë se sllavët qëndrojnë të bashkuar dhe ruajnë solidaritetin, asnjeri nuk do të luajë dot as gishtin në të ardhmen”! Ishte fillim i  Luftës së Ftohtë, e cila paralajmërohej edhe nga “Telegrami i Gjatë” i George F. Kenan dërguar nga Moska.

Në fakt, njohësit e diplomacisë sekrete të periudhës  pas Luftës së Dytë Botërore, me të drejtë vlerësojnë se, pa kujtimet e George F. Kenan, fragmente, të cilave për herë të parë në gjuhën shqipe botohen vetëm përmes “Epokës së Re”, nuk mund të kuptohen të gjitha fshehtësitë diplomatike që shpejtuan fillimin e Luftës së Ftohtë si dhe shkatërrimin e komunizmit si projekt, në radhë të parë si ideologjik, botëror.  Por, duke i hedhur një vështrim kritik, përkeqësimit të hapur të marrëdhënieve të sotme midis  Perëndimit dhe Rusisë, në fakt botës sllave, jo vetëm pushtimit rus të Krimesë dhe invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës, është e qartë se, cilat janë objektivat e politikës ruse, pansllaviste edhe në shekullin e XXI. Prandaj, udhëheqjet shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë, kanë mundësi që, përmes këtij fejtoni ekskluziv, të reflektojnë për zhvillimet, shumë të rrezikshme për sigurinë e rajonit, pra, edhe për çështjen shqiptare dhe pretendimet serbo-ruse.

RUSIA, DIÇKA NDRYSHE DHE KREJT TJETËR

Cilat janë themelet e ekspansionit rus?

Së bashku me pranverën, më në fund edhe paqja arriti në Rusi; kurse i huaji i cili jeton këtu, i lodhur me luftën dhe me dimrin rus, dëshiron pa masë që sezona e re  politike të mos jetë e ngjashme në verën ruse.

Prej atyre dy ngjarjeve, me ardhjen e paqes dhe ardhjen e pranverës, i dyti dukshëm imponohet, vërehet në skenën moskovite. Përfundimi i luftës nuk i sjellë ndryshime të mëdha popullit, i cili nën kushtet e luftës, pa pushuar, pa ia ndalur, qoftë luftë ose paqe, ka jetuar tridhjetë e një vjet. Derisa forcat e mëdha aleate ngelin në  Evropë, Stalini nuk ka për qëllim të fillojë demobilizimin e legjioneve të veta. Madje edhe kur armatat aleate të shkojnë, ai do ti duhet, për shkak të politikës së përgjithshme me qëllim të forcimit të pushtetit në territoret e sapofituara, edhe më tej të mbajë fuqinë e madhe të armatosur dhe të drejtojë energjinë nacionale në ndërtimin e fuqisë ushtarake. Dhe së fundi, gjendja e domosdoshme mobile është element i domosdoshëm i shtetit policor. Nga kjo, mund të presim që për një periudhë të ardhshme të pa caktuar  me jetën e popullit rus edhe më tej do të udhëheq nevoja që të prodhohet dhe të bartet arma. Edhe në aspektin e jashtëm  të jetës ruse, në të cilën ai fakt ka pasur rëndësinë dominante më shumë se tre shekuj, nuk guxon të priten kurrfarë ndryshime të afërta.

Mirëpo, pavarësisht në pamjen, dukjen e jashtme, përfundimi i luftës duhet të sjellë ndryshime të mëdha në rrethin në të cilin Rusia duhet të jetojë. Për këtë arsye, ardhja formale e paqes në Perëndim ofron kushte të volitshme për vlerësimin e pozitës së Rusisë përgjithësisht; pozitë kjo deri te e cila ka ardhur përmes  sfidave të luftës dhe invazionit dhe prej nga i duhet nisur në ardhmërinë më të pasigurt dhe të turbullt me të cilën ndonjëherë më parë populli rus është ballafaquar.

Ndryshimi më i madh të cilin lufta ia solli pozitës së Rusisë në botë nuk ka dalë, buruar nga zhvillimi i vetë Rusisë, por nga dezintegrimi i forcave të popujve fqinjë.

Potenciali i gjithmbarshëm i Risisë, sigurisht se pak është ndryshuar nga viti 1940. Humbjet në forcat materiale dhe njerëzore në esencë i ka komentuar forca e re e detyruar e robërve gjerman dhe e qytetarëve të territoreve e të pushtuara, disiplinimi i ashpër i shoqërisë ruse, përdorimi i gjerë i forcës punuese të femrave dhe zhvillimi i territoreve të reja industriale.

Mirëpo forcat konkurrente, kundërshtare të cilat qëndrojnë përballë Rusisë, përtej kufijve të saj tokësor kanë përjetuar rënie të rëndësishme. Kur të mbaroj lufta në Lindjen e Largët, Rusia për herë të parë në historinë e saj nuk do ta ketë më asnjë kundërshtar të madh në masën e territorit të Euroazisë. Ajo gjithashtu do ta ketë pushtetin fizik, mbi ato hapësira të pabanuara; kurse në mesin e atyre hapësirave ka edhe të atilla në të cilat pushteti rus kurrnjëherë nuk është vendosur, zgjeruar. Ato hapësira të reja ( edhe pse kufijtë e tyre të saktë qëllimisht nuk po bëhen publik)  sigurisht se do të përfshijnë më shumë se 100 milion frymë – prej të cilëve më së shumti në pjesën evropiane. Këto ndryshime janë me rëndësi të madhe për zhvillimin e shtetit rus.

Rusia kishte pretenduar edhe territore perëndimore

Kuptohet, rritja e tillë relative e pushtetit rus do të bie deri te rritja e ngjashme e detyrimeve, obligimeve të saja. Tani Ruisia do të detyrohet që para botës të bartë së paku përgjegjësinë morale për fatin, lumturinë dhe përparimin  e popujve të sapopushtuar, për zhvillimin e resurseve të tyre, rregullimin e marrëdhënieve prodhuese e shoqërore, sigurimin e mbrojtjes së tyre ushtarake. Mirëpo, kjo edhe nuk është detyrimi më i madh. Qeverisja, administrata ruse tani e ka një obligim, detyrim të rëndë ndaj vetvetes: pra, që territoret e fituara t’i mbaj të nënshtruara. Kjo, sepse s’ka dyshim se, shumë popuj të nënshtruar nuk do ta durojnë dhe do ta urrejnë pushtetin, administratën ruse. Kurse kryengritjet e tyre të suksesshme kundër administratës, qeverisë së Moskës do të mund të dridhnin tërë fuqinë ruse.

Çështje e madhe e pozitës së re të Rusisë, shikuar nga Moska, konsiston në faktin nëse shteti rus është e aftë që me sukses ti bartë, përballoj detyrat e reja, të forcojë pozitën e vet mbi këta popuj, marrë në përgjithësi ti harmonizoj me strukturën tradicionale politike të popullit rus, dhe që nga pushtimeve të saja të krijojë burimet e forcave të reja dhe jo të dobësohet. Kjo, ashtu siç  shihet nga Kremlini është çështja e parë e ardhmërisë ruse.

Në themel të ekspansionit tradicional rus shtrihet ndjenja shekullore e pasigurisë te një populli i cili ishte i rrethuar me popujt nomad luftarak. Tani shtrohet pyetja, nëse ajo domosdoshmëri, e cila tani është bërë shenjë e përhershme e psikologjisë ruse, do të ofroj bazën për ekspansionin e suksesshëm të Rusisë në këto territore të reja në lindje dhe në perëndim? Dhe, nëse këtë ekspansionin e ka filluar me sukses, a do të di Rusia se kur duhet ndërprerë atë? A mos atë, natyrën e saj do ta shpie në luftën që të sundoj me tërësinë – që plotësisht t’i pushtoj, sundoj brigjet e Atlantikut dhe të Pacifikut?

Nuk duhet harruar se Rusia kishte tentuar të absorbonte  territoret perëndimore, prapa kufijve etnikë rusomadh, bjellorus dhe ukrainas, mirëpo në këtë nuk kishte pasur sukses. Hulumtuesit, studiuesit e historisë ruse tepër pak i kanë kushtuar kujdes lidhjes midis revolucionit rus dhe politikës ekspansioniste cariste në perëndim në shekujt tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë.  Pushtimi i provincave baltike nga ana e Petrit të Madh nuk kishte

nxitur kurrfarë vështirësi gjatë një shekulli e gjysmë, duke i falënderuar asaj se Petri me shkathtësi ishte përmbajtur që ti kufizojë kompetencat e pushtetit të atjeshëm dhe që të përzihet në gjuhë, doke, zakone ose në strukturën shoqërore të provincës. Derisa kishin sunduar parimet e durimit dhe sjelljet e mira nga shekulli tetëmbëdhjetë, madje as Polonia nuk kishte nxitur, shkaktuar telashe më të mëdha.

Shteti rus tani, në periudhën e shkurtër prej dy dekadave, në të shumtën e ka përsëritur historinë e dy shekujve të kaluar të carizmit. Për dhjetë vitet e para, të sundimit të tij Stalini përsëri e ka ngjallur kohën e Petrit të Madh. Në fillim të luftës në Evropë ai tani më jeton në fuqinë, sundimin e Rusisë në stilin e madh të Katarines II. Fundi i luftës e gjen në pozitën e cila është e ngjashme pozitës së Aleksandërit të Parë dhe periudhën e fundit të  Napolonit. Kur shpirti, fryma e Nikolës tani është prezent në pushtetin glomaz dhe të ashpër të policisë ruse, në shumë qëllime dhe veprime të politikës ruse… Nëse ky krahasim qëndron, atëherë mund të presim se po mbillet fara e një grçi të ri, ashtu siç janë farat e revolucionit rus që i kishin mbjellë ata para gati 100 vjete para se ai revolucion të ishte shfaqur. Dhe nëse një histori e tillë e kondensuar vazhdon, për pesë ose dhjetë vjet atëherë Rusinë serish do të duhej ta mbulonin  të njëjtat re të dezintegrimit shoqëror të cilat e kanë errësuar qiellin rus në fillim të këtij shekulli.

Rrezikshmëria nga imperializmi rus

Popujt e shtypur e njohin fytyrën e pushtetit marionet – rus

Rusia sovjetike, si fuqi imperialiste, ka burime të mëdha të forcave. Ajo ka qasje të drejtpërdrejt në territoret të cilat i ka nënshtruar, qasje të cilën Gibboni e mendon si një nga parakushtet në mënyrë që me sukses të kryhet detyra e shtëpisë që popujt e largët të mbahen në nënshtrim. Ajo disponon me përparësitë të cilat regjimit diktatorial, në realizimin, zbatimin e sundimit policor, i ka sjellë zhvillimin e armëve bashkëkohore teknike – përparësi me të  cilat popujve të robëruar, nënshtruar iu kanë pamundësuar kryengritjen kundër fuqisë gjermane në luftën e kaluar. Dhe së fundi, Rusia Sovjetike e ka burimin e saj më të madh dhe më të fuqishëm në shkatërrimin e përgjithshëm të tendencave kundërshtare politike si dhe në dezorientimin e përgjithshëm në shpirtin e popullit. Që nga shkatërrimi, rënia e shtetit gjerman, lëvizja me të cilën udhëheq Moska sipas energjisë së saj, iniciativat, disiplinën, njëtrajtshmërinë dhe pamëshirshmërinë nuk ka shembull në mbarë pjesën e Evropës. Ndërsa është vështir të ndalet çfarëdo lëvizje politike e cila udhëheq, prin në të gjitha ato aftësi, veçori.

Mirëpo, pavarësisht gjithë kësaj, mekanizmi rus në Evropën Lindore dhe ate të Mesme i ka edhe dobësitë e veta.

Në radhë të parë, e ka mangësinë e paevitueshme të sundimit të të huajit. Popujt e atyre territoreve tani e njohin fytyrën e pushtetit marionet. Aty është vështir që dikush ti mashtrojë pas përvojës me gjermanët. Moska do të dëshironte që ata të cilët e pranojnë pushtetin e saj, dhe vullnetin e saj tua përcjell popujve të vet, të veprojnë, paraqiten si forca të pavarura patriotike të atyre popujve. Por kjo është përpjekje e kotë. Evropa nuk i ka humbur së koti pesë vite për të gjetur kuislingët dhe kolaboracionistet; sot, kujtdo qoftë i është vështirë t’i fshehë ose maskojë punën e vet në shërbim të një shteti të huaj.

Për popujt jorus ndoshta agjentët e dikurshëm të Kominternes në mesin e tyre ishin tradhtarë; mirëpo ata ishin tradhtarë të hapur dhe të rëndësishëm, në emër të një besimi e cila në zbatimin e saj asgjë më pak nuk është universale nga krishterimi, besim ky i cili me një arsyetim të mirë mund të proklamohet se në zemër i janë interesat e të gjithë popujve, edhe të mëdhenjve edhe të vegjëlve. Mirëpo në ata të cilët sot i marrin detyrat e realizimit të urdhrave nga Kremlini duhet të  bie dyshimi se para së gjithash  dhe mbi të gjitha, në zemër u janë interesat e popullit rus; edhe pse ata janë pjesëtar të popullit të cilët kanë rënë nën sundimin, pushtetin rus, nuk u është e lehtë te shtëpia që të paraqiten në rolin e shpëtimtarit të popujve të vetë. Ai i cili mendon se shpëtimi nacional mund të vjen vetë, përmes sundimit të tjerëve, popullit më të madh, në disa raste mund të jetë njeri largpamës. Mirëpo, nuk mundet lehtë të bëhet person i popullarizuar.

Politika ruse në territoret e pushtuara 

Implikimet e këtij fakti themelor janë edhe më të ashpra për shkak të valës së shovinizmit dhe arrogancës e cila, duke ju falënderuar kësaj lufte dhe fitoreve ruse, e ka marrë shikimin real në armatën sovjetike dhe burokracinë. Kjo, imperializmit rus i ka dhënë ashpërsi të tillë e cila nuk mund të jetë e llogaritur  në nxitjen e besimit dhe besimit në zemrat e huaja. Rusisë, në një kuptim më mirë i kanë shërbyer fanatikët e guximshëm të Kominternes të cilët në ditët e hershme të pushtetit sovjetik popujve të tjerë u kanë sjellë  flakadanin e socializmit revolucionar se sa ata gjeneral  arrogantë dhe komisarë të cilët sot sundojnë në kryeqendrat e Evropës së mesme dhe të cilët nuk kanë më pak ambicie dhe instinkt dhune si dikur para 100 vjet satrapët carist.

Gjithë kësaj duhet shtuar edhe faktin e mjer se, politika sovjetike në territoret e pushtuara nuk është shumë e pasur sipas përmbajtjes konstruktive nga politika e partnerëve sovjetik. Ndoshta është më e fuqishme për nga  disiplina dhe energjia. Mirëpo, pas veti nuk ka kurrfarë ide të madhe me të cilën popujt e ndryshëm të atij territori do të frymëzoheshin dhe mes veti do të lidheshin në një epërsi unike politike me një qëllim të përbashkët. Marskizmi i pastër është vjetërsuar; nëse fryma e tij e zjarrtë edhe më tej  e përshkon në masë të caktuar pushtetin e Kremlinit, rusët nuk  provojnë, tentojnë ta përdorin si program të drejtpërdrejt politik në Evropën Lindore. Meqenëse kjo u mungon, ata nuk disponojnë me kurrfarë mendim gjithëpërfshirës konstruktiv me të cilin do të mund të paraqiteshin, prandaj thirrjet e tyre deri më tani nuk kanë hasur në përkrahje.

Thirrja, Ftesa në qërim drastik të hesapeve me ata të cilët janë të akuzuar për bashkëpunim me gjermanët, në rastin më të mirë ka ndihmuar përkohësisht dhe jo aq sa për të ushqyer besimin ose entuziazmin. Edhe këtë njerëzit shpesh ndjejnë se rusët i keqpërdorin me qëllim që nga skena t’i largonin elementet të cilët sigurisht se do të qëndroni si pengesë qëllimeve të tyre politike.

Së fundi, me arsye mund të pyesim nëse Bashkimi Sovjetik është i aftë që pa ndihmë nga vendet evropiane të ringrit dhe ta rregulloj jetën ekonomike të atyre popujve në mënyrën që kishte me u quajtur e suksesshme. Me termin “ të suksesshme” nënkuptojmë aso mënyrë e cila do të mundësonte që popujt për të cilët është fjala të pajtohen me dominimin e përhershëm sovjetik.

Rusi është fatalist

Sipas të gjitha arsyeve të mundshme, mund të parashikohet se, rusët në territoret e sapopushtuara, edhe më tej do t’i japin përparësi politikës dhe jo ekonomisë, pavarësisht se sa kjo kushton. Ata nuk do të hezitojnë ta shkatërrojnë produktivitetin e degëve të tëra të jetës ekonomike, nëse me këtë do ti detyrojnë në varësi dhe në pafuqi elementet të cilat përndryshe do të mund t’i kundërviheshin pushtetit të saj. Në rënien e standardit jetësor, i cili do të paraqitet nga këto situata, ata në shumicën e fakteve do të shohin mundësinë për ta disiplinuar pjesën mikroborgjeze të popullit përkatës; ata do të revoltohen pse ata popuj nuk dëshirojnë të pajtohen me standardin jetësor si te  popujt sovjetik.

Mirëpo, nga ana tjetër ata gjithashtu do të synojnë – për shkak të prestigjit dhe sigurisë ushtarake – të zhvillojnë deri në maksimum  degët e caktuara prodhuese të cilat në veçanti janë të rëndësishme për shtetin; dhe do ti zgjedhin ato dukuri në ekonominë e botës së jashtme të cilat mund të jenë të dobishme me qëllime propagandistike në vend dhe jashtë me qëllim për të treguar se si pushteti sovjetik do të ishte ekonomikisht më i fuqishëm, më i begatshëm. Ata do të forcojnë zhvillimin e të gjitha industrive të cilat shërbejnë mbrojtjen e shtetit. Për këtë qëllim do të investojnë më shumë energji. Nëse nuk i marrim parasysh degët prodhuese për nga rëndësia jetësore për politikën e brendshme dhe sigurinë e jashtme të shtetit, kujdesin më të madh do t’i japin, kushtojnë kontributit në planin e politikës së jashtme, dhe jo përmbajtjes së vërtet ekonomike. Rusët janë popull i regjisorëve të teatrove; dhe thellësisht  besojnë që çështjet nuk janë ashtu si janë, por ashtu si duken.

E zbatuar tek rusët dhe për rusët, kjo rregull vlen deri në pikën e caktuar. I ballafaquar me bukën dhe me lojërat, rusi e pranon argëtimin me falënderim, kurse është fatalist në çështjen e sasisë së bukës. Nëse merr ndonjë lëmoshë të papritur, ai atë e fut me gëzim në xhep; as nuk befasohet as nuk reagon nëse serish ia merrni. Dhe për nga natyra ai kujdeset për atë që në çdo kohë të shpreh atë përshtypje të cilën shteti ka dashur ta nxisë me atë shfaqje të zemërgjerësisë. Ashtu, jeta është më e sigurt dhe më e qetë.

Mirëpo, është çështje tjetër nëse një veprim i tillë do të ketë sukses tek popujt jorus. Sigurisht se nuk do të funksionojë aq mirë dhe ky do të jetë një nga problemet serioze me të cilat rusët do të ballafaqohen. (Vijon)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca ka insistuar se dëshiron të…