Kosova edhe këtë vit mori pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit

19 gusht 2024 | 13:39

Edhe këtë vit, Kosova ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit, në mesin e 40 vendeve nga e gjithë bota, i cili kësaj radhe është mbajtur në qytetin Tartu të Estonisë. I pranishëm në këtë kampionat ka qenë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci, i cili nga afër ka përcjell garat në këtë kategori.

Në njoftimin e BPZhR-së, ministri Peci, ka pasur një takim të frytshëm me ministren e Punëve Regjionale dhe Bujqësisë të Estonisë, Piret Hartman, me ç’rast kanë diskutuar për bashkëpunimin dypalësh në fushën e bujqësisë, shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e politikave për të mbështetur bujqësinë dhe sektorët e saj, por gjithashtu edhe çështje me interes politik.

“Kosova ka nevojë për përvojën estoneze në digjitalizim dhe integrimin e plotë të tij në prodhimtari. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Estonisë. Dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta dhe ballafaqohen me sfida të natyrës së njëjtë, përfshirë edhe ato të sigurisë”, ka thënë Peci.

Në fund të takimit, të dy ministrat janë dakorduar që bashkëpunimin në mes të dy vendeve mike ta formalizojnë me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arben Marton B.I. shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me…